Dy dekadat e pavarësisë së Malit të Zi: Çfarë marrëdhëniesh ndërtoi me rajonin?

Zastava Crne Gore
Burim: Magnific.com

Mali i Zi sot shënon 20 vjetorin e shpalljes së pavarësisë nga shteti i përbashkët që kishte me Sërbinë, ndërsa manifestimet do të zgjasin tre ditë. A do të kontribuojë performanca e Riki Martin dhe Robin Shulc në Sheshin Pavarësia në Podgoricë që të çlirojë tensionet që me këtë rast kanë shpërthyer me Beogradin, kjo ngelet për t’u parë. Bashkëbiseduesit e Kosovo onlajn vlerësojnë jo njëlloj raportin momental të Malit të Zi me rajonin. Ka opinione se me Sërbinë janë në “këmbë të qelqta“, me Kosovën vështirë të zgjidhen, me Shqipërinë përgjithësisht të paqta, ndërsa me Kroacinë ende nuk është përmbyllur çështja e Prevllakës.

Shkruar nga: Katarina Saiçiq

Festa qëndrore pritet mbrëmjen e sotme në Podgoricë. Kryeministri Millojko Spajiq tha mbrëmë se Mali i Zi dy dekada pas ripërtëritjes së pavarësisë, ka idenë që lidh dhe drejton, realiizimi i së cilës kurrë nuk ka qenë kaq pranë. Ky është, sikurse tha, Mali i Zi europian dhe projekti i Europës së bashkuar.

Për Podgoricën në këto 20 vite shumë gjëra kanë ndryshuar. Në NATO hyrën më 5 qershor të vitit 2017, ndërsa disa parashikojnë që Mali i Zi do të jetë shteti i parë i ardhshëm që do të pranohet në BE.

Festimi, ndërkohë, mbahet vetëm dhjetë ditë pasi komuna më e re dhe më e vogël malazeze-Zeta, miratoi deklaratën për anulimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës në territorin e saj. Ata që janë në dijeni thonë-është akt simbolik, megjithatë theksojnë se kjo mund të shkaktojë ende valë deklaratash të ngjashme në komunat ku sërbët janë shumicë.

Në prag të festimit të jubileut-tensione në linjën me Beogradin.

Presidenti i Sërbisë Aleksandar Vuçiq refuzoi ftesën për pjesmarrje në Podgoricë, duke thënë se nuk dëshiron të festojë shkëputjen nga Sërbia, pas së cilës Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi u tha që ky vend pavarësinë e vet nuk e festoon kundër ndokujt. 
Këto ngjarje të fundit imponojnë pyetjen: çfarë lloj marrëdhëniesh ka ndërtuar Mali i Zi me rajonin gjatë dy dekadave?

Mossuksesi i politikës së përafërsisë rajonale

Historiani Milan Gulliq vlerëson për Kosovo onlajn se politika e afërsisë rajonale që Mali i Zi tentoi të mbante me fqinjët përjetoi mossukses sepse marrëdhëniet nuk janë më të mirat.

Ai vlerëson se tentativa e Malit të Zi që me të gjithë në rajon të jetë e mirë, jo rrallë është ndeshur me dëmin e vet dhe si goditje dinjitetin e asaj çka Mali i Zi është parë historikisht.

“Mali i Zi ka marrëdhënie të këqija me Kroacinë, marrëdhënie të këqija me Sërbinë, jo mjaftueshëm të mira me Kosovën, raporti ndaj Bosnjë-Hercegovinës kryesisht bazohet tek mbështetja tek rrymat e forta të politikës së Sarajevës. Kjo nuk është marrëdhënie e respektit reciprok, kjo nuk është marrëdhënie e barabartë fqinjësore dhe miqësore. Kjo është diçka tërësisht tjetër", tha Gulliq. 

Çështjet e hapura mes Malit të Zi dhe Kosovës, sikurse tregon bashkëbiseduesi ynë, nuk janë zgjidhur.

"Duket se e vetmja gjë që ishte e rëndësishme këtu ishte që Mali i Zi të njihte pavarësinë e Kosovës, të vendoste marrëdhënie diplomatike me të dhe kjo ishte e vetmja gjë që i interesonte Prishtines dhe atyre që e inkurajuan Malin e Zi të bënte. Gjithçka tjetër, që është jeta e pakicës malazeze në Kosovë, demarkacioni mes Kosovës dhe Malit të Zi, incidentet sporadike madje edhe incidentet në atë linjë kufitare, është ajo çka nuk është zgjidhur dhe pyetja është se si do të zgjidhet, sepse vështirë të zgjidhet marrëdhënia me diçka që ishte pjesë e territorit tënd. Ju kujtoj se Mali i Zi në prag të bashkimit, përfshinte territorin e vet shtetëror si pjesë të konsiderueshme të Metohisë. Për këtë, marrëdhënia e Malit të Zi me Kosovën nuk mund të jetë aq e thjeshtë dhe kaq e lehtë sa dikush e mendon në Bruksel, Uashington apo tani në Podgoricë”, tha Gulliq.

Sipas opinionit të tij, kremtimi i 20 viteve të pavarësisë është disfatë.

"Festoni ripërtëritjen e shtetësisë në referendumin që, për ta thënë butë, ishte jo i rregullt, populli do të thoshte i vjedhur. Nuk jam i sigurt që këtu të ketë diçka për të festuar", beson ai.

Kur bëhet fjalë për vendimin e fundit të Komunës së Zetës për të mos pranuar njohjen malazeze të pavarësisë së Kosovës, për Gulliqin kjo nuk ka rëndësi.

“Kjo nuk është kompetencë e komunës, nuk mundet asnjë komunë të udhëheqë politikën e jashtme të një shteti. Megjithatë, kjo flet vetë se një pjesë e konsiderueshme e Malit të Zi, pjesë e konsiderueshme e popullit të Malit të Zi, ende në kuptimin historik, e di mirë se çfarë është dhe pavarësisht nëse këta njerëz deklarohen si sërbë apo deklarohen si malazezë, dinë se çfarë është Kosova për Malin e Zi” konkludon ai. 

Gazetari i Juronjuz nga Podgorica, Marko Stojanoviq, u shpreh për Kosovo Onlajn se Mali I Zi prej ripërtëritjes së shtetësisë punon që me fqinjët të mbajë raporte të mira. 

"Ky ka qenë prioritet i të gjitha qeverive, por mund të komentohet në mënyra të ndryshme sesi u ruajt ajo marrëdhënie e fqinjësisë së mirë. Marrëdhënia me Sërbinë është në këmbë të qelqta. Me Kroacinë ka pasur fërkime vitet e fundit për temën e Prevllakës, për temën e anijes shkollore Jadran, por-pak a shumë me të gjithë të tjerët, duket se nuk ka çështje të hapura", tha Stojanoviq.

Kosova është temë e hapur 

Kur bëhet fjalë për Kosovën, kjo sikurse thotë Stojanoviq, ka qenë temë e hapur për 18 vitet e fundit, pra prej vitit 2008, kur Mali i Zi njohu pavarësinë e Kosovës.

"Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Malit të Zi ishin kundër atij vendimi dhe sot e kësaj dite ai vendim shkakton opinione të ndara. Veçanërisht nëse merret parasysh se në vitin 2008, kur u mor vendimi, në fakt më shumë se 85% e popullsisë së Malit të Zi ishte kundër. Kjo është temë që ndan publikun, madje edhe koalicionin qeverisës, duke marrë parasysh se koalicioni qeverisës i Malit të Zi është mjaft heterogjen dhe përbëhet nga përfaqësues si të komunitetit sërb, ashtu dhe të pakicës kombëtare të shqiptarëve, aty ka dhe boshnjakë. Sigurisht nën përfaqësuesit e kombit malazez", tha Stojanoviq.

Sipas opinionit të tij, akti i marrjes së vendimit për çnjohjen e Kosovës që ndodhi në Komunën e Zetës ka më shumë rëndësi simbolike.

"Kjo rezolutë nuk është juridikisht e detyrueshme, ajo nuk ka asnjë pasojë. Ajo nuk është e rëndësisë thelbësore për popullsinë sërbe në Mal të Zi, por vetë akti mund të përfaqësojë 'dritë në fund të tunelit', pra faktin që, të paktën në plan të brendshëm, një komunë vendos të mos e njohë pavarësinë e Kosovës. Një pjesë e mirë e publikut malazez nuk e pa me sy të mirë këtë veprim. Atë e dënuan partitë shqiptare që janë pjesë e koalicionit në nivel shtetëror. Megjithatë, të gjithë ata janë të vetëdijshëm se ky vendim nuk prodhon efekt ligjor. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e partive sërbe që janë në pushtet në Zetë, e përshëndetën këtë vendim. Vendimi u mirëprit nga popullsia sërbe në Mal të Zi, por e përsëris, nuk ka pasoja ligjore, nuk ka të bëjë me asgjë veçse Komunës së Zetës, e cila është një nga komunat më të vogla në Mal të Zi dhe më e reja për nga formimi” thotë ai. 

Diplomati Albert Prenkaj tha për Kosovo onlajn se me shpalljen e pavarësinë, Mali i Zi formësoi hartën politike të Europës. 

Marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës, pesë vitet e fundit janë në të ashtuquajturën “stand by”. Asnjë palë nuk është spikatur në aktivitetet ndërshtetërore. Është e dukshme që Mali i Zi ka marrëdhënie pozitive me Shqipërinë si partner i NATO dhe ka dhe rivalitet pozitiv në proçesin e integrimit në Bashkimin Europian. Kohët e fundit, për shkak të përpjekjeve të vazhdueshme të Sërbisë dhe Kishës Ortodokse Sërbe për t’u përzier në çështjet e brendshme, lidhjet sociale, kulturore, historike e madje dhe fetare, marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Sërbisë janë të tendosura dhe do të theksoja se janë në nivelin më të ulët qysh nga pavarësia e deri më sot.

Mendoj se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përqendrohen tek prioritetet e integrimit europian dhe anëtarësimit në paktin e NATO", tha Prenkaj. 

Për këtë të fundit, Mali i Zi është anëtar konstruktiv i rajonit të Ballkanit Perëndimor. 

"Në këto 20 vite, politika rajonale dhe e jashtme e Malit të Zi ka pasur dinamikë pozitive. Ndërkohë, Mali i Zi është bashkuar me fuqinë më të fortë të njohur në historinë botërore, dhe kjo është NATO dhe nga ana tjetër, në proçesin e negociatave të integrimit në BE, ka hapur 33 kapituj, 14 prej të cilëve janë mbyllur. Në këtë proçes, Mali i Zi është lider, para Shqipërisë, Sërbisë dhe Maqedonisë. Rasti i Malit të Zi është i pandashëm nga ndërhyrja e interesave gjeopolitike jo-perëndimore në rajonin e Europës Juglindore.

Tensionet aktuale në Mal të Zi shkaktohen nga çështjet e identitetit, mosmarrëveshjet diplomatike me Sërbinë fqinje dhe me Kroacinë, ndërsa prioritet mbi prioritete është anëtarësimi në BE parashikuar deri në vitin 2028", thekson ky diplomat. 

Kujton se Mali i Zi, së bashku me Maqedoninë e Veriut, nuk e njohën Kosovën fill pas shpalljes së pavarësisë. 

"Marrëdhëniet mes Podgoricës dhe Prishtinës vazhduan në nivel miqësor, të ngjashëm me ato fqinje, herë pas here me tendenca tensioni. Çështja e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi para së gjithash prodhoi tensione në Kosovë mes qeverisë së atëhershme me në krye presidentin Thaçi dhe kryeministër Mustafa në një anë dhe opozitës së udhëhequr nga Albin Kurti.

Marrëveshja e demarkacionit u nënshkrua më 26 gusht 2015 në Vjenë dhe u ratifikua zyrtarisht nga Kosova në vitin 2018 pas shkëmbimit të notave diplomatike në Podgoricë. Ajo marrëveshje ishte parakusht që qytetarët e Kosovës të merrnin regjim pa viza për udhëtim në zonën Shengen, i cili u mor vetëm më 1 janar të vitit 2024", spegon Prenkaj. 

Fokusi në integrimet europiane

Ish-i ngarkuari me punë i Shqipërisë në Kosovë, Gëzim Podgorica, vlerësoi se marrëdhëniet e Malit të Zi me fqinjët në 20 vitet e fundit kanë qenë të larmishme dhe se fokusi momental kryesor i Podgoricës në integrimin europian, do të jetë pasi është lider në rajon.

Podgorica bën të ditur për Kosovo onlajn se klima politike në Mal të Zi nuk është më paqësore në raport me fqinjët e vet, por ata kanë gjetur mënyrën që me entuziazëm të zbatojnë të gjitha reformat dhe përshpejtojnë proçesin e integrimit europian. 

"Kohët e fundit, egziston entuziazëm në lidhje me zbatimin e të gjitha detyrave që BE i ka lënë një vendi si Mali i Zi me qëllim anëtarësimin në të. Nëse e krahasoni me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, do të shikoni që klima politike aty nuk është paqësore në raport me fqinjët e saj, përkundrazi. Tensionet politike janë të pranishme prej shumë vitesh, por duket dhe ky është fakt se janë më korrektë në zbatimin e disa proçeseve që përshpejtojnë hapat e integrimit” vlerëson ai. 

Thekson se ndikimi i Sërbisë dhe Kishës Ortodokse Sërbe në Mal të Zi, vazhdon të jetë mjaft i madh. 

"Pavarësisht ndarjes nga Sërbia dhe pavarësisë, Mali i Zi sigurisht që e ka mbajtur lidhjen e vet  që mund të jetë dhe lidhje shpirtërore e një pjese të madhe të popullsisë me Sërbinë. Kjo nuk do të thotë se kjo vlen për marrëdhëniet tek të gjitha grupet etnike. Pjesa që ka këtë lidhje me Sërbinë është dominante, nuk po them se është shumicë, por është dominante, sepse shumica është diçka tjetër. Shumicën e mbajnë malazezët. Megjithatë, kjo pjesë e popullsisë pro-sërbe është dominante dhe në Qeverinë e tashme duke marrë parasysh lidhjet që ata krijuan me Qeverinë aktuale në Sërbi u arrit më shumë me ndikimin e politikës sërbe madje dhe në marrjen e vendimit” tha Podgorica. 

Sipas opinionit të tij, marrëdhëniet e Shqipërisë me Malin e Zi përgjithësisht janë të mira. Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Kroacinë, sikurse thotë Podgorica, ajo është larg Malit të Zi, ndërsa me B&H kanë probleme.

"Situata nuk është pozitive. Fakti që vetë Bosnja 'lundron' në ujëra të turbullta, madje duke mos ditur as në cilin drejtim duhet të shkojë, këtu ka ndikim. Marrëveshja e Dejtonit krijoi qetësi, por kjo është qetësi që duket se fsheh stuhinë” konkludon Podgorica. 

Marrëdhënie korrekte

Analisti nga Shkupi Bllagojçe Atanasovski, tha për Kosovo Onlajn se Mali i Zi qysh kur u bë shtet i pavarur, kapi vrullin drejt integrimit euroatlantik dhe njëkohësisht, mbajti marrëdhënie korrekte me fqinjët.

"Pas ndarjes të bashkësisë së Sërbisë dhe Malit të Zi, ky vend i vogël ballkanik mori rrugën drejt integrimit të vet euroatlantik. Mali i Zi është tashmë anëtar i përhershëm dhe me të drejta të plota i aleancës së NATO dhe sipas të gjitha njoftimeve në të ardhmen e parashikueshme, do të jetë vend i ri i 28 anëtar i Bashkimit Europian. Çka do të thotë se Mali i Zi definitivisht si shtet, si shoqëri dhe në orientimin e vet gjeopolitik, rrugën e ka drejt integrimit të plotë në aleancat perëndimore", deklaroi Atanasovski.

Kur diskutohen raportet mes Malit të Zi dhe Kosovës, Atanasovski thotë se ato janë në kufijtë e normales në Ballkan. 

"Dimë që Ballkani si rajon është zonë e trazuar dhe turbulente me të kaluar jashtëzakonisht të keqe. Para 30-40 vitesh në Gadishullin Ballkanik para shpërbërjes së shtetit të përbashkët të Jugosllavisë, në pjesën më të madhe të vendeve ballkanike, ndodhën luftëra dhe konflikte ushtarake. Nga ky aspekt, mendoj se marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kosovës janë korrekte dhe nuk ka shembje dramatike të tyre. Marrëdhëniet janë në kufijtë e marrëdhënieve normale diplomatike shoqërore mes dy shteteve ballkanike, pa çështje të mëdha dhe të pazgjidhura të hapura, siç janë problemet që Maqedonia kishte me fqinjin e saj jugor Greqinë apo Bullgarinë. Ky tip problemi mes Malit të Zi dhe Kosovës nuk egziston. Shpresoj që ato të mbeten të mira në të ardhmen", tha bashkëbiseduesi ynë. 

Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet e Malit të Zi me të tjerët në rajon, ato janë mjaft të korrekte, thotë ai. 

"Egziston një problem, për aq sa jam i informuar, për demarkacionin e Prevllakës me Kroacinë, por mendoj se kjo nuk është çështje thelbësore që Kroacia si fqinje e Malit të Zi, të bllokojë pranimin e tij në Unionin Europian. Nuk ka njoftime të tilla në lidhje me fqinjët e tjerë, Shqipërinë, Kosovën dhe nëse doni, Sërbinë, me të cilën Podgorica ka marrëdhënie mjaft të drejta dhe të mira. Përherë ka fërkime në marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Sërbisë, për shkak të pakicës së madhe sërbe dhe statusit të Kishës Ortodokse Sërbe, por mendoj që ato janë mjaft të mira dhe në kufijtë e komunikimit normal mes shteteve ballkanike", konkludon ky analist.