A e kupton BE rëndësinë e identitetit kombëtar në Ballkanin Perëndimor? 

EU
Burim: Kosovo Online

Parlamenti Europian miratoi para disa ditësh Raport-Progresin e Maqedonisë së Veriut drejt BE prej të cilës janë përjashtuar fjalët që lidhen direkt me “maqedonishten dhe identitetin”. Kjo shkaktoi revoltë dhe fjalë të rënda në Shkup, por çeli dhe çështjen se në cilën mënyrë e vëzhgon BE idenitetin kombëtar të vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor dhe nëse ato do të përballen me probleme të ngjashme. Analistët nga rajoni theksojnë se çështja e Maqedonisë së Veriut është specifike dhe se Brukseli çmon identitetin kombëtar të shteteve kandidate. Por nuk kanë dilema se në negociatat për anëtarësim në BE, çdo temë njëkohësisht është dhe politike. 

Shkruar nga: Gjorgje Baroviq

“Maqedonishtja dhe identiteti janë shuar nga raporti europian në mënyrë talibaneske. Kjo na bën që si popull të jemi formuar në shekullin XXI” ka ulëritur kryeministri maqedonas Hristos Mickoski pasi u bë e qartë se termat e “maqedonishtes” dhe “identitetit“ do të hiqen nga raport-progresi i këtyre vendeve drejt BE. 

Interesat politike dhe vendimet

Historiania nga Shkupi, prof. dr Natasha Kotlar Trajkova beson se përjashtimi i përcaktimeve kombëtarë nga raporti i Parlamentit Europian rreth progresit të Maqedonisë së Veriut, ka qenë vendim i keq politik, i cili tregoi se Unioni, identitetet kombëtare të shteteve kandidate, i shikon vetëm në bazë të interesave politike.

"Ky është vendim politik. Ka qenë seriozisht politike, jashtëzakonisht i ngurtë, i papërshtatshëm dhe jo i mirë për vetë Unionin Europian. E dini, njerëzit në Ballkan dinë të jetojnë me tundime dhe sfida, madje edhe nëse janë politike dhe ushtarake. Por ky është problem i vendeve që përfshihen në Union dhe kjo flet se kemi bashkëbisedues në anën tjetër me probleme serioze të koncepteve dhe veprimit funksional. Mendoj se qëndrimi i të gjithë popujve në Ballkan, duhet të ndryshohet dhe të përshtatet me atë çka na ofron Unioni Europian", tha Kotlar Trajkova për Kosovo onlajn.

Ajo u shpreh se në të kontribuojnë “nevojat politike dhe egoiste" të vendeve të BE.

"Këtu mund të flasim rreth asaj se çfarë përbën shkencë dhe çfarë përbën politikë apo gjeostrategji. Ndikimin më të madh e ka gjeostrategjia, pra nevojat politike dhe egoiste ose individuale të shteteve anëtare të Unionit Europian. Pasi kam qenë në Europën Perëndimore, shumë shpesh njoh shpërthime të nacionalizmit, sesa çka përbën nocionin e nacionalizmit ballkanik", specifikon kjo eksperte. 

Pyetjes se sa e kupton BE në përgjithësi nevojën e njerëzve nga Ballkani Perëndimor për të pasur identitetet e tyre kombëtare, Kotlar Trajkova është e bindur se e kuptojnë sepse "nisin nga vetja".

"Mendoj se problemi është më shumë tek ta, në perceptim e kuptueshmërisë. Problemi nuk është në atë që ne, njerëzit që vijnë nga Ballkani, e konsiderojmë se nuk kanë arritur strukturën e duhur kulturore ose arsimore apo kuptimin e koncepteve. Mënyra e të menduarit në vendet që përfaqësohen në Unionin Europian, është shumë më serioze dhe e ngurtë dhe kjo është sfidë për ne, për të gjithë popujt e Ballkanit, sepse këtë duhet t’a nxjerrim si vlerën tonë dhe mos të tërhiqemi nga kjo", theksoi historiania. 
Prej këtej nuk mendoj se kjo ishte tentativë që tek "dyert e vogla" të firoset domethënia e identiteteve kombëtare të kandidatëve nga Ballkani Perëndimor.

"Nuk mendoj se kjo është ajo për çka bëhet fjalë. Mendoj se fjala është për konotacion politik tërësisht të ndryshëm, sepse identitetet nuk janë ekskluzive për entitetet politike", thotë Kotlar Trajkova.
Këtë e spegon tek shembulli i identitetit maqedonas që duhet të shikohet "në rrjet kompleks" kategorish që përbëjnë identitetin kombëtar.

"Egzistojnë disa lloje, apo artikuj në atë rrjet kompleks që quhet identitet. Dhe gjithmonë duhet të përcaktojmë se po flasim për identitet nominal, historik, kombëtar. Dhe nëse po flasim për identitet kulturor, çka besoj se është më i rëndësishmi, atëherë vjen gjuha, letërsia, folklori, thelbi dhe kthehemi tek historia. Ndaj, mendoj se në paraqitjet publike, të gjithë përfaqësuesit politikë, duhet të përcaktojnë strikt se po flasin në mbrojtje të identitetit historik maqedonas dhe subjektit apo kompleksiteti kulturor që nuk përfaqëson identitetin tonë", beson kjo eksperte.

Ajo beson se Europa do të reagojë fill nëse do të flitet për definicion të rreptë të formulës identitare.

“Dhe e gjitha derisa Europa shikon se jemi shumë sipërfaqësorë dhe se nuk jemi të kujdesshëm në këtë kontekst, do të kemi të tilla reagime në raport me ato çka kemi pasur në skenën politike europiane” shprehet e bindur Kotlar Trajkova.

Çështje delikate

Sociologu nga Prishtina, Artan Muhaxhiri, sqaron se identitetet kombëtare të popujve në Ballkanin Perëndimor për Unionin Europian janë "çështje mjaft delikate" për të cilën kësaj teme i qaset në "mënyrë shumë të ndjeshme".

"BE ka qasje mjaft të ndjeshme ndaj identiteteve kombëtare në Ballkan për shkak të asaj që ndodhi gjatë '90-ave dhe janë të vetëdijshëm se kjo është çështje jashtëzakonisht delikate. Megjithatë, sigurisht egzistojnë raste specifika", tha Muhaxhiri për Kosovo onlajn.

Një nga këto-“raste specifike” është dhe mungesa e termave kombëtarë nga progres-raporti për Maqedoninë e Veriut.

"Një deputet bullgar nisi këtë ide dhe dihet që Bullgaria për një kohë ka pasur probleme me identitetin kombëtar maqedonas. Ajo dëshiron që pakica bullgare në Maqedoni të pranohet si element kushtetues", preçizon Muhaxhiri.

Ky i fundit kujton se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut për këtë arsye prej vitesh, kanë pasur probleme dypalëshe dhe se zgjidhja për këtë mosmarrëveshje është në marrëveshje.

"Kjo është çështje specifike, megjithatë nuk mendoj se do të ketë ndikim të madh. Sigurisht, Maqedonia do të duhet të bëjë disa rregullime dhe të gjejë konsensus me Bullgarinë nëse dëshiron të përparojë në rrugën drejt BE. Por është mjaft e qartë se BE është shumë, shumë e kujdesshme ndaj identiteteve kombëtare të vendeve ballkanike", thotë ky analist.

Për shkak të gjithçkaje që ndodhi në vitet ‘90 në ish-Jugosllavi, është i bindur se BE ka "vizion" sesi në Ballkanin Perëndimor në të ardhmen të mos shkohet deri tek abuzimi me identitetet kombëtare. 

"BE ka qenë mjaft e angazhuar prej fillimit të viteve ‘90 në gjithçka që ndodhi në ish-Jugosllavi dhe kanë vizion se çfarë mund të shkojë për keq nëse identitetet kombëtare keqpërdoren, veçanërisht nëse ato keqpërdoren nga politikanë populistë. Dimë se si funksionon BE, kjo është shumë e komplikuar, është shumë e ngadaltë, u nevojitet pothuajse tek të gjitha situatat, konsensus të plotë", konkludon Muhaxhiri.
“Identiteti europian”

Nga ana tjetër historiani nga Beogradi Stefan Radojkoviq beson se sfondi është tërësisht i ndryshëm dhe se BE dëshiron që shteteve kandidate, t’u imponohet “identiteti europian”.

"BE tenton të ndërtojë identitet europian, universal-identitet unifikues që sigurisht nuk egziston as vetë tek BE. Por kjo është narrativë, mit se të gjithë këta popuj janë para së gjithash europianë, e më pas francezët, gjermanët... Megjithatë, tregoi veçanërisht në momente krize, se këto identitete kombëtare janë fort të rëndësishme. Kujtojmë vetëm krizën e koronavirusit kur secili shtet ishte larg prej çdo solidariteti europian, por shikonte ekskluzivisht interesat e veta kombëtare dhe shtetërore", thekson Radojkoviq për Kosovo onlajn. 

Shton se në pamundësi që “identitetin europian” t’ua imponojnë shteteve anëtare të BE, këtë tani tentojnë përmes kushteve tu’a imponojnë popujve të vegjël në Ballkanin Perëndimor dhe beson se në mënyrë të ngjashme do trajtohej kjo edhe ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë.

"Prej tyre pritet që në një farë dore, përveç heqjes dorë nga një pjesë e sovranitetit të tyre, të modifikojnë në një farë mase identitetet e tyre kombëtare, të cilat duhet të përshtaten në atë 'familje europiane' më të gjerë. Sigurisht, ajo 'familje europiane' nuk egziston. Ky është një prej miteve të BE që prej dekadash është ushqyer por që është narrative që përdoret në bashkëveprimin me shtetet që luten të bëhen anëtarë të BE në një moment", beson ky historian. 

Problemin tek Maqedonia e Veriut e shikon dhe si pasojë e "kompromiseve të kalbura" të elitës së kaluar politike të këtij vendi. 

"Kjo nuk është tentativë për heqjen e identitetit kombëtar, sepse për sa kohë që njerëzit në Maqedoni e konsiderojnë dhe ndiejnë se janë maqedonas, ai identitet nuk do të shuhet. Kjo është pasojë e sjelljes dhe kompromiseve të kalbura të elitave politike maqedonase që ishin të gatshme për lloje të ndryshme poshtërimi në qeveritë e mëparshme që qeverisnin Maqedoninë e Veriut dhe që ishin të gatshme për një sërë ndryshimesh kushtetuese", thotë Radojkoviq.

Ky i fundit sqaron se "kur bëhet precedent për një çështje të rëndësishme identitare, atëherë prej jush pritet që të vazhdoni".

"Me fjalë të tjera, ju hapët derën për presione të ndryshme. Dimë dhe që Bullgaria kishte probleme me maqedonishten dhe identitetin, por edhe Greqia. Greqia kërkoi që emri i atij shteti të ndryshohej, që të hiqen disa simbole që vendosi VMRO-DPMNE në disa qeveri të mëparshme, që të hiqej dorë nga emërtesat e Filipit të Maqedonisë, Aleksandri i Madh, që disa aeroporte, rrugë dhe bulevarde të riemëroheshin.. Kur shikoni trajektoren e këtyre precedentëve dhe thelbin e kompromiseve të kalbura, shikohet jeni fjalë për fjalë aty duke i ftuar fqinjët e tyre të bllokojnë dhe kushtëzojnë më tej pranimin tuaj në BE", thotë Radojkoviq.

Anëtarësimi në NATO ishte i vetmi kompromis i mirë që Maqedonia e Veriut bëri.

"Ju kërcënua sovraniteti i tyre dhe integriteti territorial si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, dhe anëtarësimi në aleancën e NATO, nëse asgjë tjetër, garanton atë integritet territorial dhe një lloj kompromisi me popullsinë shqiptare", thekson ky historian.
Pyetjes se çfarë do t’a shqetësonte BE kur është fjala për identitetin kombëtar sërb, Radojkoviq nuk ka dilema.

"Para së gjithash, ata do të shqetësoheshin nga një pjesë themelore e identitetit tonë kombëtar dhe ky është betimi kosovar. Ata këtë e shikojnë mjaft burokratikisht, përmes dokumenteve. Kanë problem që, nëse ndonjëherë bëhemi anëtarë të BE, do të vazhdojmë t'i referohemi Kosovës, të cilën një anëtar i mirë i BE e konsideron të pavarur. Vetëm për këtë, ata do të gjendeshin në pozicion të pakëndshëm, veçanërisht Gjermania, e cila është një nga anëtarët kyç të BE ku ndaj nesh ka të njëjtin qëndrim që ka shfaqur prej dekadash dhe nuk është veçanërisht miqësore", është i bindur  Radojkoviq.
BE në këtë rast do të kërkojë "zgjidhje" në të cilën identiteti kombëtar sërb, do të shtrihej ekskluzivisht brenda kufijve pa Kosovën.

"Do të pritet që ne njerëzve dhe grupeve që jetojmë në shtetet e tjera fqinje ndërsa ndjehen si sërbë, të mohojmë çdo mbështetje dhe t'i trajtojmë si, ndoshta jo një 'trup i huaj', por si pjestarë dhe shtetas të disa shteteve të tjera dhe disa identiteteve të tjera kombëtare", konkludon Radojkoviq.
Minimizimi i kombeve 

Bashkëpunëtori i Institutit Historik në Prishtinë, historiani Bedri Muhadri, thekson se Ballkani Perëndimor karakterizohet nga histori e përbashkët që u reflektua në luftën e të gjithë popujve për të fituar lirinë kombëtare dhe se BE tentoi të minimizonte rëndësinë e kombit si bazë e shtetësisë dhe se kjo shihet më së miri në shembullin e Maqedonisë së Veriut.

"Karakteristika e përbashkët e identiteteve kombëtare të Ballkanit Perëndimor, reflektohet në historinë e përbashkët të gjashtë popujve. Shqiptarët, sërbët, malazezët, maqedonasit dhe boshnjakët-kanë qenë prej kohësh nën sundimin dhe administrimin e Perandorisë Osmane. Këta popuj luftuan vazhdimisht për të fituar lirinë kombëtare", tha Muhadri për Kosovo onlajn. Thekson se Unioni Europian në rastin e Maqedonisë së Veriut, tentoi të "minimizonte rëndësinë e kombit si bazë e shtetësisë".

"Unioni Europian, në raport-progresin për Maqedoninë, hoqi termat 'Maqedoni' dhe 'maqedonishtja', tentoi të minimizonte rëndësinë e kombit si bazë e shtetësisë. Vetëdija kombëtare maqedonase, e cila lindi në fillim të shekullit XX, paraqet bazë për vetëvendosje politike dhe ligjore", pohon Muhadri.
Ndërkaq, beson se “gjeografia shtetërore e Maqedonisë së Veriut" përbëhet nga popuj autokton si shqiptarët ose bullgarët dhe se autoritetet në këtë vend duhet t'i njohin ata si "themelues të shtetit".

"Korniza shtetërore e Maqedonisë duhet të ndërtohet mbi konceptet etnike të popullit. Shteti i Maqedonisë duhet të njohë popujt sikurse themeluesit e atij shteti", beson Muhadri.

I pyetur se deri në çfarë mase kjo tentativë që në “porta të vogla” bëjnë rregulla të ngjashme edhe për kandidatët e tjerë për anëtarësim në BE nga Ballkani Perëndimor, ky historian thotë se BE tenton të gjejë "modus vivendi" për çështjen e identitetit kombëtar.

"Unioni Europian sigurisht duhet të njohë identitetet etnike dhe në bazë të parimit të kohezionit etnik, popujt duhet të trajtohen njësoj në kushtetutat shtetërore. Konkretisht këtu mendoj për Maqedoninë historia e së cilës u ndërtua nga disa popuj etnikë. Dhe tani, nëse është kjo tentativë për heqjen e identitetit të kandidatit nga Ballkani, këtë nuk e di me siguri. Unioni Europian ku në thelb është ndërtuar në parimin e barazisë së anëtarëve të vet në çështjet që kanë të bëjnë me shtetet e tyre, tentojnë të gjejnë zgjidhje përmes modus vivendi, pra në përputhje me politikën e mundësive të atij momenti. Etnokoncepti "Maqedonia” buron nga fillimi i shekullit XX ndërsa historia e Maqedonisë është e dokumentuar mirë dhe në proçeset e saja historike, rol të rëndësishëm kanë patur shqiptarët dhe bullgarët", bën të ditur Muhadri.

Vendime dhe mesazhe pragmatike

Për lektorin në Universitetin Mesdhetar në Tiranë Dritan Hoti, lënia jashtë e elementeve kombëtare nga progres-raporti i Maqedonisë së Veriut është një lloj mesazhi që Europa në rrethanat e reja gjeopolitike dhe "nostalgjinë perandorake" nuk dëshiron tensione të reja nacionaliste në Ballkanin Perëndimor.

"Ndodhemi në situatën në të cilën është kthyer nostalgjia nacionaliste dhe perandorake. Rusia kërkon të ruajë logjikën perandorake bazuar në përbërjen e saj etnike dhe elementin e saj ortodoks. Tendenca të tilla, të cilat kanë për synim jo vetëm ridimensionimin e Rusisë si 'pol perandorak', por edhe të rikonceptojë rendin botëror bazuar në marrëdhëniet tradicionale historike, etnike dhe fetare, dhe interesat momentale të Rusisë, mund të kenë ndikim, si në të kaluarën, në Europën Juglindore dhe në Ballkan", thekson Hoti në bisedë për Kosovën onlajn.

Ky i fundit sqaron se partitë kryesore politike brenda Parlamentit Europian si pasojë e “shqetësimit” vendosën të lënë jashtë termat që lidhen me identitetin kombëtar të Maqedonisë së Veriut.

“Ata këtë vendim e morën pragmatikisht, me qëllim ndaljen e rinisjes se debatit nacionalist në këtë pjesë të Ballkanit, por edhe për të ndaluar ndjenjën e kërcënimit të shteteve që janë pjesë e BE”, theksoi Hoti.
Ky i fundit shton se duhet të interpretohet dhe si tentativë për të shmangur retorikën që do të përfshinte Bullgarinë dhe Greqinë.

"Bullgaria ka pretendime të vazhdueshme në lidhje me identitetin maqedonas, të cilin e konsideron artificial dhe në kundërshtim me interesat historike të Bullgarisë. Maqedonishten e shikojnë si derivat i gjuhës që flitet në Bullgari. Ngjashmërisht në këtë konflikt do të përfshihej dhe Greqia, që fillon nga këndvështrimi historik e kulturor. Duket se ky vendim është i natyrës diplomatike për të shmangur debatin apo konfliktin me natyrë tradicionale nacionaliste, çka mund të sjellë kërcënimin e vetos nga Greqia apo Bullgaria për të frenuar proçesin e integrimit e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian dhe Ballkanit Perëndimor", beson Hoti.

I pyetur se deri në cilën mënyrë mund të kërcënohet dhe identiteti kombëtar i shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor, Hoti bën të ditur se BE është krijuar në bazë të "kombinacionit të elementëve", por që çdo vend ka të drejtë të ruajë identitetin e vet kombëtar apo kulturor.

“Unioni Europian u krijua në bazë të kombinacioneve të elementeve, si organizatë mbikombëtare e shteteve europiane, por shtetet kanë të drejtë të ruajnë atë çka quhet identiteti i tyre kombëtar e kulturor, i cili u formua gjatë shumë shekujve, nga mesjeta deri në krijimin e Bashkimit Europian. Identiteti maqedonas, veçanërisht për shkak se është vend i vogël, relativisht është i ri dhe vendimet e qeverisë në Shkup që këtë identitet t’a paraqesin me një lloj madhështie, në të cilën e kundërshton Sofja dhe Athina, krijuan këtë problem që mbetet konstant”, beson Hoti.

Ndaj beson se dhe rasti i Maqedonisë së Veriut nuk duhet të përgjithësohet ose të hiqen paralele me vendet e tjera, përfshirë dhe Kosovën.

"Ky është rast specifik që nis me krijimin e Maqedonisë së Veriut si shtet në Europën Juglindore dhe ky është rasti që tregon natyrën jo artificiale të këtij shteti, por si rast i veçantë të këtij shteti, që është vend i vogël në rajon. Nuk mund të krijojmë ngjashmëri me identitetet e shteteve historike europiane, por as me vendet e ballkanike të cilat krijuan shtete kombëtare gjatë shekullit XIX dhe në rastin e Shqipërisë në vitin 1912. Kemi edhe rastin e Kosovës, ku identiteti shqiptar i shtetit më të ri në Europën Juglindore, nuk mund të vihet në dyshim ose nuk mund të krijohet tendencë e tillë për të divergjuar apo reaguar", konkludon Hoti.