Edhe një vendim tjetër në dëm të Listës Serbe – a është KQZ trup i (pa)varur?
Absurd, jodemokratik, i drejtuar kundër komunitetit serb, i paligjshëm… Kështu tingëllojnë reagimet e shumta ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që rezultatet e zgjedhjeve parlamentare t’i shpallë për 23 nga 24 subjektet politike që morën pjesë në to, ndërsa vetëm për njërin – Listën Serbe – të mos i konfirmojë. Veprimi i KQZ, theksojnë bashkëbiseduesit e Kosovo online, tregon dëshirën e Vetëvendosjes për ta etiketuar Listën Serbe dhe nxit dyshimin se ky komision është shndërruar në një organ politik që pranon vetëm ato rezultate që i pëlqejnë.
Shkruan: Dushica Radeka Gjorgjeviq
Sipas rezultateve të publikuara në faqen e KQZ-së, Lista Serbe më 28 dhjetor ka fituar 42.759 vota dhe nëntë mandate në Kuvendin e Kosovës, por këto shifra nuk u konfirmuan në mbledhjen e KQZ-së të mbajtur të shtunën.
Pasi anëtarët e komisionit nga Vetëvendosja paralajmëruan se nuk do të votonin për rezultatet e Listës Serbe, votimi për konfirmimin e rezultateve të kësaj partie u zhvillua veçmas nga partitë e tjera.
Për miratim votuan kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, Almir Saiti nga Partia e Re Demokratike Boshnjake dhe përfaqësuesja e komunitetit serb, Gordana Laban; kundër ishin dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi dhe Albin Krasniqi, ndërsa anëtarët e tjerë, përfaqësuesit e LDK-së, PDK-së, AAK-së, si dhe përfaqësuesit e komunitetit turk dhe rom, abstenuan.
Kujtojmë se anëtarët e KQZ-së nga Vetëvendosja kishin votuar kundër edhe në dhjetor, kur në rend dite ishte certifikimi i Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje, ndërsa vendimi negativ i atëhershëm i komisionit u rrëzua nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Lista Serbe edhe sot ka paraqitur ankesë ndaj vendimit të fundit të KQZ-së, duke e konsideruar atë diskriminues dhe të paligjshëm.
Se KQZ ka formalizuar një praktikë të paligjshme, vlerëson Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Sipas tij, rezultatet e zgjedhjeve janë një akt unik dhe prodhojnë pasoja për të gjithë njëkohësisht. Kontestimi i rezultateve zgjedhore, thekson ai, nuk mund të mbetet një mendim politik i paqartë pa asnjë pretendim konkret për shkelje ligjore, prandaj ajo që ndodhi në mbledhjen e KQZ e konsideron absurde dhe krijim precedenti.
Lidhur me vendimin e KQZ, sot reagoi edhe Misioni i OSBE-së në Prishtinë, i cili theksoi nevojën për respektim të plotë të standardeve ndërkombëtare zgjedhore dhe për publikim transparent dhe gjithëpërfshirës të rezultateve të zgjedhjeve, siç thanë ata, si mjet për sigurimin e sigurisë juridike dhe trajtimit të barabartë për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje.
Me vendimin për të mos verifikuar rezultatet zgjedhore vetëm për Listën Serbe, sipas fjalëve të drejtorit programor të OJQ-së Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike nga Mitrovica e Veriut, Aleksandar Rapajiq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka treguar se është shndërruar në një organ politik.
Vendime politike
“Është e qartë dëshira e Vetëvendosjes që edhe më tej të mos lejojë asgjë për Listën Serbe, as atë që me ligj dhe Kushtetutë i takon. Kjo vetëm tregon se KQZ është bërë një organ politik që merr vendime politike, e jo që verifikon rezultatet zgjedhore ashtu siç kanë qenë”, tha Rapajiq, i cili pret që Paneli për Ankesa ta ndryshojë vendimin e KQZ.
Është e pamundur, thekson ai, të injorohen rezultatet që Lista Serbe ka arritur në zgjedhje.
“Nuk mund të mos i pranoni rezultatet e zgjedhjeve vetëm sepse nuk ju pëlqejnë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me këto vendime vetëm i bën dëm vetes dhe legjitimitetit të vet, sepse nuk besoj se përfaqësuesit dhe ambasadat e huaja nuk do ta shënojnë faktin që po merren vendime të tilla mjaft jodemokratike, duke mos lejuar verifikimin e rezultateve zgjedhore që duhet të jenë të shenjta”, theksoi Rapajiq në një deklaratë për Kosovo online.
Etiketimi i Listës Serbe
Edhe Millosh Pavkoviq, drejtor i strategjisë në Qendrën për Politika Evropiane nga Beogradi, vlerëson se, nëse vazhdon rrënimi i një institucioni si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duhet pritur dënime nga bashkësia ndërkombëtare, kritika dhe potencialisht edhe disa veprime shtesë.
“Sigurisht, kjo do të varet nga mënyra se si do të zhvillohen gjërat, por është e qartë se ekziston një tendencë e rrënimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si institucion i pavarur”, tha Pavkoviq për Kosovo online.
Pas vendimit të KQZ-së, ai sheh përpjekjen e Vetëvendosjes për ta margjinalizuar dhe etiketuar Listën Serbe si “element antishtetëror” dhe organizatë terroriste.
Kjo, sipas tij, është bërë praktikë standarde e Vetëvendosjes, e cila është vazhduar edhe përmes këtij votimi në mbledhjen e KQZ-së.
“Pavarësisht se Lista Serbe ka fituar në mënyrë legjitime vota dhe vende në Kuvendin e Kosovës, Vetëvendosja voton kundër tyre në çdo hap të mundshëm dhe shfrytëzon çdo rast për të shprehur qëndrimin e saj”, thekson Pavkoviq, duke nënvizuar edhe një përfundim tjetër që del nga vendimi i KQZ.
Ai është mundësia që Vetëvendosja të blejë kohë, pra të shtyjë publikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve dhe, rrjedhimisht, të gjitha procedurat që pasojnë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Duke pasur parasysh se na presin zgjedhjet presidenciale, ka gjasa që të ekzistojë një kalkulim politik i Vetëvendosjes se pse kjo është e rëndësishme për ta”, thekson ai.
KQZ duhet të jetë e paanshme
Profesori universitar Mazllum Baraliu thotë se KQZ duhet të jetë e paanshme dhe të kujdeset për interesin e përgjithshëm të qytetarëve, ndërsa për vendimin e fundit thekson se ai është marrë si pasojë e ndikimit politik të partive mbi delegatët që janë pjesë e KQZ-së.
“KQZ është institucion i pavarur, por aty ka ndikime politike, sepse është e ndërtuar në atë mënyrë që lejon ndikimin e partive politike përmes delegatëve të tyre, përkatësisht anëtarëve të KQZ-së. Pa u futur në konotacione politike, për shkak të qëndrimit të partive politike që ose nuk kanë votuar, ose kanë qenë të përmbajtura, ose kanë votuar kundër, ky është një qëndrim i partive politike që reflektohet në KQZ, e cila duhet të jetë e paanshme, neutrale dhe të kujdeset për interesin e përgjithshëm të qytetarëve”, deklaroi Baraliu për Kosovo online.
Ai thekson se nuk mund të parashikohet rezultati lidhur me ankesën që Lista Serbe i ka drejtuar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, por se gjithçka duhet të zgjidhet pikërisht aty.
“Nuk mund të parashikohet paraprakisht se kush do të bëjë çfarë. Mendoj se çështja do të sqarohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Prapashtesa. Nëse aty nuk ka një zgjidhje të kënaqshme, atëherë ankesa mund t’i drejtohet Gjykatës Supreme”, përfundoi Baraliu.
0 komentet