Integrimi i shëndetësisë dhe arsimit – pasiguri e re për serbët
Kryeministri i Kosovës në mandat teknik, Albin Kurti, ka paralajmëruar fillimin e integrimit të institucioneve të shëndetësisë dhe arsimit që funksionojnë brenda sistemit të Serbisë, ndërkohë që draft-statuti evropian i Bashkësisë së komunave serbe e mban në sirtar prej më shumë se dy vitesh. Pa një dokument që do t’i obligonte për diçka dhe me pasivitetin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, zyrtarët nga Prishtina do të kenë një hapësirë të gjerë veprimi për synimin e shpallur, ndaj bashkëbiseduesit e Kosovo online theksojnë se përgjegjësia e aktorëve ndërkombëtarë është shumë e madhe.
Shkruan: Dushica Radeka Gjorgjeviq
Për serbët në Kosovë, është dëgjuar shumë herë gjatë viteve të fundit, shëndetësia dhe arsimi janë vija të kuqe. Nga përfaqësuesit ndërkombëtarë tani nuk po vijnë fjalë inkurajuese, as dy javë pasi Kurti i njoftoi ambasadorët e akredituar në Kosovë për domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemit shëndetësor dhe arsimor.
Siç është theksuar në njoftimin e kabinetit të tij, Kurti ka thënë se procesi i integrimit do të zbatohet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe me sigurimin që të merren parasysh shqetësimet dhe këshillat e komunitetit serb jo-shumicë në Kosovë.
Po atë ditë, i dërguari special i BE-së për dialogun Beograd–Prishtinë, Peter Sorensen, qëndroi në Beograd, ku iu përcoll se shëndetësia dhe arsimi përbëjnë boshtin e mbijetesës së serbëve në Kosovë dhe thelbin e Bashkësisë së komunave serbe.
Megjithatë, lidhur me temën që Kurti e hapi para diplomatëve, Sorensen nuk u prononcua.
Sipas marrëveshjeve të Brukselit të viteve 2013 dhe 2015, kujtojmë se Bashkësia e komunave serbe, përveç kompetencave të tjera, duhet të ushtrojë mbikëqyrje të plotë për përmirësimin e mbrojtjes shëndetësore dhe sociale parësore dhe dytësore, si dhe mbikëqyrje të plotë në fushën e arsimit.
Draft-statuti evropian i BKS-së nuk i është prezantuar kurrë zyrtarisht publikut, ndërsa kur interpretohet nga përfaqësues të sektorit joqeveritar, zakonisht thuhet se për institucionet serbe të arsimit dhe shëndetësisë parashihet që ato të jenë private, të financuara nga Beogradi, të vihen nën kompetencat e BKS-së dhe nën kontrollin e Prishtinës.
Në pyetjen e Kosovo online nëse BE-ja e mbështet iniciativën e paralajmëruar të kryeministrit të Kosovës lidhur me integrimin e sistemit shëndetësor dhe arsimor, nga Zyra e BE-së në Prishtinë nuk morëm përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.
Pa përgjigje mbeten shumë pyetje: a nënkupton integrimi që institucionet shëndetësore dhe arsimore të kenë leje pune në sistemin e Kosovës apo edhe të zbatojnë ndryshime në funksionim, pasi sistemet serbe dhe kosovare të arsimit dhe shëndetësisë dallojnë ndjeshëm; si do të trajtohen juridikisht pronat e objekteve ku zhvillohet mësimi ose ofrohen shërbimet shëndetësore dhe a mund të shkojë Prishtina aq larg sa t’i mbyllë ato? Së fundi, a është synimi i Prishtinës që t’i integrojë këto dy sisteme pa u formuar paraprakisht BKS dhe pa pëlqimin e Beogradit një hesap pa hanxhiun?
Statusi autonom
Docent i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd Stefan Surliq thotë për Kosovo online se Bashkimi Evropian ka sinjalizuar qartë përmes statutit të Bashkësisë së Komunave Serbe se dëshiron që arsimi dhe shëndetësia të jenë me rëndësi jetike për komunitetin serb, të kenë status të veçantë autonom dhe se vetëm ajo që është e pranueshme për komunitetin serb mund të jetë edhe një formë e integrimit.
„Natyrisht se Bashkësia e Komunave Serbe është brenda sistemit të Kosovës dhe se do të duhet të ekzistojë një lloj koordinimi, por kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton veprime të njëanshme që do të nënkuptonin shuarjen e plotë të lidhjeve të sistemit arsimor dhe shëndetësor me institucionet e Republikës së Serbisë dhe Beogradin“, thekson Surliq.
Nëse një gjë e tillë do të ndodhte, ai thotë se kjo do të sillte edhe më shumë pasiguri në mesin e komunitetit serb.
„Ajo që tregojnë hulumtimet më të fundit është se serbët që ende jetojnë në Kosovë janë të gatshëm të qëndrojnë vetëm nëse u sigurohet stabiliteti, para së gjithash në shëndetësi dhe arsim. Nëse aty shfaqet pasiguri, nëse ekziston një nivel i lartë i paqartësisë, kjo do të ndikojë dukshëm në perspektivën e komunitetit serb në Kosovë. Për këtë arsye mendoj se aktorët ndërkombëtarë në asnjë mënyrë nuk mund të lejojnë zhvillimin e një skenari të tillë, sepse kjo në fakt do të nënkuptonte fundin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe pasiguri të plotë për komunitetin serb në Kosovë“, thekson Surliq.
Analisti Nexhmedin Spahiu thotë se integrimi i shëndetësisë dhe arsimit është paraparë me statutin e Bashkësisë së Komunave Serbe, me një nivel të caktuar autonomie për shëndetësinë dhe arsimin, dhe se nuk beson që Qeveria e Kosovës do të bëjë diçka që shkon përtej asaj autonomie.
„Këtë proces e shoh si përgatitje për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, sidomos nëse bëhet në pajtim me Bashkimin Evropian, sepse ata e kanë parasysh se çfarë është paraparë me statutin e BKS-së“, tha Spahiu për Kosovo online.
Sipas tij, shpallja e Bashkësisë së Komunave Serbe nga Qeveria e Kosovës duhet të ndodhë në të njëjtën kohë kur të hapen përfaqësitë e përhershme diplomatike të Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në Prishtinë.
Veprimet e njëanshme si hyrje drejt përshkallëzimeve të reja
Zgjidhja e çështjes së integrimit të arsimit dhe shëndetësisë, sipas vlerësimit të Lazar Steviqit, gazetar nga Mitrovica e Veriut, nuk është e mundur pa u ulur në tryezën e negociatave, që përmes dialogut të gjenden zgjidhjet më të mira, të cilat para së gjithash do t’i përgjigjen komunitetit serb dhe në asnjë mënyrë tjetër.
Ai thotë se është befasuese që askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk ka reaguar ndaj fjalimit të Albin Kurtit para ambasadorëve dhe se nuk ka pasur as dënim, as konfirmim nëse janë pro apo kundër.
“Kjo është ajo që i shqetëson dhe i intereson serbët këtu në Kosovë – cili do të jetë reagimi i bashkësisë ndërkombëtare”, theksoi Stevq në një deklaratë për Kosovo online.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe Petar Petkoviq, drejtori i Zyrës për KeM, stoi Steviq, kanë deklaruar shumë herë se vendime kaq të mëdha mund të merren vetëm përmes dialogut në Bruksel dhe në asnjë mënyrë tjetër.
„Nuk besoj se serbët do të pranojnë kaq lehtë që kjo temë të zgjidhet pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Beogradit, përkatësisht presidentit Aleksandar Vuçiq. Ka shumë probleme këtu dhe nuk besoj se bashkësia ndërkombëtare do të heshtë për këtë. Kurti e ka testuar situatën dhe ka thënë se duhet të zbatojë vendimet që dalin nga Marrëveshja e Brukselit. Megjithatë, ai zbaton vetëm ato vendime që i përshtaten atij dhe që janë në dobi të tij, ndërsa nuk zbaton atë që është shumë e rëndësishme për komunitetin serb, e ajo është Bashkësia e Komunave Serbe. Për këtë ai hesht“, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Për këto arsye, sipas vlerësimit të Steviqit, faktori kyç për zgjidhjen e kësaj çështjeje do të jetë bashkësia ndërkombëtare.
„Nëse ata do të heshtin, ashtu siç kanë heshtur për mbylljen e organeve të përkohshme në mbarë Kosovën, të postës, bankave, kjo do t’i japë atij krahë që të nisë zbatimin e qëllimit për integrimin e shëndetësisë dhe arsimit, dhe kjo do të jetë vërtet një problem i madh, përveç atyre ekzistuese që i ka sjellë Ligji për të huajt dhe për automjetet. Veprimet e njëanshme që Albin Kurti po i zbaton dhe që me siguri është i gatshëm t’i ndërmarrë edhe kësaj here, nuk do të sjellin asgjë të mirë dhe mund të çojnë në një përshkallëzim të ri në terren“, konsideron Steviq.
Pa një mesazh të fortë të BE-së
I pyetur nëse një përpjekje për integrim të njëanshëm të këtyre dy sistemeve do të çonte në një konfrontim të ri të Prishtinës me bashkësinë ndërkombëtare, Surliq thotë se deri më tani nuk janë parë sanksione të qarta dhe të forta nga aktorët ndërkombëtarë, pasi mes tyre nuk ka konsensus.
„Ata kanë një mesazh të përbashkët se dialogu është i domosdoshëm dhe se si Beogradi ashtu edhe Prishtina duhet të bëjnë lëshime të caktuara, por deri më tani nuk kemi dëgjuar se Prishtina është ajo që realisht e bllokon procesin, se duhet ta zhbllokojë atë, se duhet të lejojë para së gjithash formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe se nuk guxon të ndërmarrë veprime të njëanshme“, thekson ai.
Ai shton se nuk shihen asnjë shenjë se mund të vendosen sanksione më të ashpra.
„Për fat të keq, nuk ka ndonjë mesazh më të fortë, përveç shpresës se ndoshta Uashingtoni do të angazhohej më shumë. Për momentin nuk vërejmë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë veçanërisht të interesuara të ushtrojnë presion kyç ndaj Prishtinës për të ndryshuar politikën dhe për të mundësuar vazhdimin e dialogut“, përfundon Surliq.
Spahiu mendon se Qeveria e Kosovës nuk do ta ketë komoditetin të përballet me bashkësinë ndërkombëtare lidhur me mënyrën e integrimit të shëndetësisë dhe arsimit dhe se nuk është në interesin e saj të vijë deri te një konflikt për këtë çështje.
„Nëse i shohim veprimet e Albin Kurtit gjatë pesë viteve të fundit, është dukur se ai ka shkuar me kokëfortësi në disa veprime, por në fund shohim se kjo, në thelb, ka qenë e dakorduar dhe e llogaritur me bashkësinë ndërkombëtare. E njëjta gjë ka ndodhur edhe rreth, për shembull, premtimit për hapjen e urës, kur bashkësia ndërkombëtare ishte rreptësisht kundër që ai ta bënte këtë, dhe ai nuk e bëri. Prandaj nuk besoj se në këtë rast do të shkojë përtej kornizave të përcaktuara“, tha Spahiu.
komentet