Kriza energjetike dhe masat e reja: Cilat janë pasojat për buxhetet dhe qytetarët në rajon?

energetska kriza
Burim: Kosovo Online

Shpërthimi i një lufte të re në Lindjen e Mesme dhe mbyllja e pjesshme e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e naftës botërore, kanë çuar në rritje të çmimeve, duke shkaktuar shqetësim të veçantë në vendet që varen nga importi, përfshirë edhe shtetet e rajonit. Bashkëbiseduesit e Kosovo online theksojnë se qytetarët në rajon për momentin nuk janë prekur ndjeshëm, por masat janë të domosdoshme për të parandaluar rritje të mëtejshme të çmimeve, duke paralajmëruar se qeveritë duhet të jenë të gatshme për masa më drastike nëse kriza zgjat.

Shkruan: Jellena Novakov

Ekspertët nga Prishtina paralajmërojnë se Kosova është veçanërisht e rrezikuar për shkak të mungesës së rezervave energjetike, ndërsa nga disa anë i bëhet thirrje qeverisë që të ndërmarrë masa urgjente, ndër të tjera të ulë akcizat dhe të heqë TVSH-në për karburantin. Një ditë pasi Irani mbylli Ngushticën e Hormuzit për “anijet armike”, ministrja e industrisë, ndërmarrësisë dhe tregtisë së Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, nënshkroi vendimin për kufizimin e çmimeve të derivateve të naftës, sipas të cilit marzhi maksimal i lejuar tregtar është deri në dy eurocentë për litër në shumicë dhe deri në 12 eurocentë për litër në pakicë.

Sipas të njëjtit vendim për marzhet, nga 12 marsi në Kosovë çmimi maksimal i naftës nuk duhet të jetë më i lartë se 1,54 euro për litër dhe i benzinës 1,36 euro. Megjithatë, disa pika karburanti nuk e respektojnë marzhin e fitimit të përcaktuar nga ministria, ndërsa ekspertët paralajmërojnë për efekt zinxhir të inflacionit, duke shtuar se kjo reflektohet në buxhetin familjar dhe individual të qytetarëve.

“Nëse çmimet rriten pavarësisht marzhit të vendosur nga MINT, kjo tregon probleme në zbatim dhe në mbikëqyrjen e tregut. Në teori, kufizimi i marzhit duhet të stabilizojë çmimet, por në praktikë ato ndikohen edhe nga çmimet ndërkombëtare, kursi i këmbimit dhe konkurrenca reale në treg. Zgjidhja nuk është vetëm vendosja e marzhit, por mbikëqyrja reale e tregut, transparenca e çmimeve dhe konkurrenca efikase”, thotë eksperti ekonomik Lulzim Beqiri.

Drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, së fundmi deklaroi se ka marrë informacione nga kompanitë që importojnë naftë nga Lindja e Mesme se çmimet e furnizimit do të dyfishohen, por Kusari-Lila thekson se rritja e çmimeve është e pashmangshme dhe se stabilizimi pritet në verë, ndërsa qytetarët nuk kanë arsye për shqetësim.

Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, theksoi se në muajt e ardhshëm do të ndërmerren masa, siç tha ai, të dhimbshme për shtetin, por jo domosdoshmërisht për qytetarët, duke sqaruar se ulja kumulative e akcizës për karburantin do të jetë 61 për qind. Ai shtoi se, falë ndërhyrjes së shtetit, një litër naftë nuk do të kalojë 212 dinarë dhe se rezervat janë 587,5 milionë metra kub, më të mëdhatë në rajon.

Sipas presidentit të Serbisë, dy objektivat kryesore të masave shtetërore janë furnizimi i plotë dhe mbajtja e çmimeve nën kontroll, ndërsa Qeveria e Serbisë ka zgjatur ndalimin e eksportit të naftës dhe derivateve të saj deri më 2 prill, ndërkohë që në treg janë hedhur 40.000 tonë naftë nga rezervat. Zyra për Kontrollin e Aseteve të Huaja e Ministrisë së Financave të SHBA-së (OFAC) ka lëshuar gjithashtu një licencë të re operative për Industrinë e Naftës së Serbisë deri më 17 prill, duke mundësuar vazhdimin e pandërprerë të aktiviteteve operative të kompanisë edhe pas 20 marsit, kur skadonte licenca e mëparshme e lëshuar më 20 shkurt.

Për shkak të rritjes së çmimit të naftës, Qeveria e Shqipërisë ka ulur përkohësisht akcizën me rreth 20 për qind, ndërsa së fundmi ka themeluar edhe një Grup Punues për stabilizimin e çmimeve të karburantit me qëllim parandalimin e abuzimeve.

Maqedonia e Veriut njoftoi se ka rezerva të derivateve të naftës për 60 ditë, të vendosura në depot e katër kompanive dhe në rezervat shtetërore. Sipas të dhënave të Agjencisë për Rezerva të Detyrueshme të Naftës, rezervat e naftës arrijnë në 138,9 milionë litra, ndërsa benzina 95 oktan në 32,1 milionë litra. Qeveria në Shkup të hënën mori vendim për uljen e TVSH-së për benzinë dhe naftë nga 18 në 10 për qind.

Paralajmërimet e sektorit privat

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, deklaroi se çmimi i karburantit do të binte me 30 deri në 40 për qind nëse qeveria e Kosovës do të pranonte propozimin e biznesit për uljen e akcizës për derivatet e naftës dhe heqjen e TVSH-së, duke paralajmëruar se nëse nuk merren masa, çmimet do të vazhdojnë të rriten.

“Duke marrë parasysh trendin në vendet e Bashkimit Evropian, rritjen e çmimeve të derivateve të naftës, por edhe rrethanat e luftës gjeopolitike, kemi propozuar që Qeveria e Republikës së Kosovës të ndërmarrë dy masa fiskale. E para është ulja e normës së akcizës për derivatet e naftës, ndërsa e dyta heqja e përkohshme e tatimit mbi vlerën e shtuar. Dihet se TVSH-ja është një tatim që paguhet nga konsumatori dhe jo nga kompania, kështu që çdo ulje apo heqje e përkohshme e saj do të sillte çmime më të ulëta të derivateve dhe lehtësim më të madh për qytetarët e Kosovës”, tha Rafuna për KosovaPress.

Sipas analizave të Odës Ekonomike të Kosovës, nëse këto masa zbatohen plotësisht, çmimi i naftës mund të ulet me 30 deri në 40 për qind.

“Tani varet se sa do të jetë shkalla e uljes, pra për sa për qind do të ulen akcizat, si dhe nëse do të hiqet tatimi mbi vlerën e shtuar për derivatet e naftës apo vetëm do të reduktohet. Sipas analizës sonë, kjo do të ndikonte në uljen e çmimit të naftës për rreth 30 deri në 40 për qind, me kusht që akcizat ose TVSH-ja të hiqen plotësisht”, tha kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës.

Rafuna paralajmëroi se, në mungesë të masave konkrete, pritet rritje e mëtejshme e çmimeve, duke pasur parasysh zhvillimet gjeopolitike, përfshirë tensionet në Lindjen e Mesme dhe bllokadat e rrugëve kryesore të furnizimit me naftë.

Kryetari i Odës Ekonomike dhe Industriale të Kosovës, Skender Krasniqi, bëri thirrje për veprim të shpejtë, pasi sipas tij bëhet fjalë për një nevojë urgjente.

“Oda Ekonomike dhe Industriale ka kërkuar dhe kërkon që Qeveria e Kosovës të ulë urgjentisht taksat dhe akcizat për naftën, ashtu siç po bëjnë shumë vende të tjera, dhe shembulli i fundit është Italia, në mënyrë që të sigurohet ulja e çmimeve që rëndojnë ndjeshëm bizneset dhe qytetarët gjatë blerjes. Kjo njëkohësisht ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të konsumit si pasojë e transportit më të shtrenjtë për shkak të rritjes së çmimit të naftës. Kjo është një nevojë urgjente për një periudhë prej të paktën tre muajsh, në mënyrë që të arrihet stabiliteti, pasi situatat në Iran dhe në botë mund të rrisin më tej çmimet më shumë se sa janë aktualisht”, tha Krasniqi.

Ndikimi në buxhet dhe qytetarë

Ndihmësi i drejtorit të Sektorit për analiza strategjike, shërbime dhe internacionalizim në Odën Ekonomike të Serbisë, Bojan Staniq, tha për Kosovo online se nuk ekzistojnë masa plotësisht të suksesshme në luftën kundër krizës energjetike, sepse kontrollet e tilla të çmimeve ndikojnë në buxhetin e shtetit.

“Nuk ka masa plotësisht të suksesshme, duke pasur parasysh se kjo reflektohet në kosto të caktuara në buxhet. Nga njëra anë, Serbia ka ndaluar eksportin e naftës, ndërsa nga ana tjetër ka ulur akcizat që merr nga derivatet e naftës në buxhet. Nga ana tjetër, po shqyrtohet edhe thirrja për kursime nga ana e qytetarëve dhe e ekonomisë”, tha Staniq.

Staniq theksoi se nuk duhet të spekulohet se sa do të zgjasë lufta në Iran apo cilat do të jenë pasojat e mundshme të zgjatjes së konfliktit, duke theksuar se bëhet fjalë për një faktor të jashtëm.

“Duhet të kemi mirëkuptim që kjo është një çështje e jashtme. Nuk bëhet fjalë për mungesë të sistemit të brendshëm, përveç asaj natyrore – nuk kemi naftë. Nga ana tjetër, kemi një situatë të favorshme pasi ka gjasa të nënshkruajmë një marrëveshje afatshkurtër me Rusinë për furnizim me gaz natyror, i cili do të jetë më i lirë se ai që blihet në bursë. Shumë do të varet edhe nga zhvillimi i situatës me NIS-in, pra nëse do të mund të vazhdojë blerja dhe furnizimi me naftë përmes naftësjellësit JANAF”, tha ai, duke shtuar se situata varet edhe nga pozicionet e MOL-it dhe OFAC-it.

Siç thotë ai, kjo situatë, përveç një rritjeje të lehtë të çmimeve, aktualisht nuk ka ndikim të madh te qytetarët, dhe ai shton se nuk priten ndryshime të mëdha as në periudhën e ardhshme.

“Në periudhën e ardhshme pritet që situata të mbetet relativisht stabile. Megjithatë, ndryshimet janë të mundshme nëse ndodh një luftë afatgjatë dhe një përshkallëzim i mëtejshëm, për shembull nëse goditen objekte infrastrukturore, nëse konflikti përhapet më shumë në vendet fqinje apo nëse ndodh një bllokadë më e gjatë e Ngushticës së Hormuzit. Atëherë padyshim do të ketë rritje të mëtejshme të çmimeve në tregun ndërkombëtar”, vlerëson Staniq.

Masat më drastike

Profesori Zoran Ivanovski nga Universiteti i Shkupit tha se Qeveria e Maqedonisë së Veriut po merr masa fillestare për të amortizuar tronditjen e çmimeve dhe për të zbutur pasojat për qytetarët dhe të gjithë ekonominë. Sipas tij, nëse bëhet e nevojshme, shtetet duhet të përgatiten për zbatimin e masave më të rrepta, duke përfshirë kufizimet dhe fiksimin e çmimeve të burimeve të energjisë, si dhe kufizimin e kapacitetit prej litrash që mund të blihen.

"Jemi dëshmitarë që qeveria maqedonase ka vendosur për masën e parë, që është ulja e detyrimeve. E gjitha me qëllim amortizimin sa më të madh të shokut të çmimeve dhe zbutjen e pasojave, të cilat janë më të vështirat, para së gjithash, për standardin e qytetarëve, dhe sigurisht si një kontribut kostoje i të gjithë ekonomisë, të cilat më pas do të reflektohen në një normë më të lartë inflacioni. Masa e dytë është një ndërhyrje nga rezervat e naftës, gjithashtu për të ndihmuar në sigurimin e energjisë elektrike në të njëjtin kontekst. Pra, është një sistem fillestar masash. Qeveria është e kujdesshme në lidhje me masat dhe po shkon hap pas hapi. Disa sugjerojnë se mund të vonohet, se mund të kishte qenë më herët, por është e qartë se qeveria donte të shihte në cilin drejtim do të lëvizë kriza dhe nëse ka potencial të përfundojë më herët se sa parashikohej", tha ai për Kosovo online.

Ivanovski deklaron se pret që çmimet të rriten në nivel global, dhe se, në përputhje me rrethanat, vendet duhet të përgatiten për futjen e masave më të buta, por edhe më të rrepta, siç janë kufizimi i çmimeve dhe ndalimet për mbushjen e karburantit në vendet e tjera. Si një masë tjetër e mundshme, Ivanovski përmend uljen e akcizave dhe kontrollin e çmimeve të karburantit, por paralajmëron se kjo mund të çojë në mungesa.

"Ky është tashmë një fakt i pranuar përgjithësisht për të cilin të gjitha shtetet po përgatiten dhe do të kërkohen masa të koordinuara, përfshirë edhe nga autoritetet monetare. Megjithatë, për shkak të natyrës së inflacionit, një përgjigje më domethënëse duhet të vijë nga autoritetet fiskale. Siç thashë, është një masë fillestare dhe mund të vazhdohet me masa shtesë, siç është ulja e taksave të akcizës dhe madje edhe e TVSH-së, dhe në fund të fundit duke kontrolluar çmimet e karburantit, të cilat mund të çojnë në mungesa, që është opsioni më pak i dëshirueshëm. Një çështje tjetër e rëndësishme për qytetarët nuk është vetëm çmimi, por edhe siguria e furnizimit", thotë ai.

Sipas tij, shtetet duhet të përqendrohen në politika që do të sigurojnë vazhdimësinë e furnizimit me karburant.

"Paralelisht me masat për të ruajtur stabilitetin e çmimeve dhe inflacionin më të ulët, shtetet duhet të bëjnë parashikime të mira dhe të zbatojnë politika të përgjegjshme për të siguruar vazhdimësinë e furnizimit me karburant. Ndoshta pyetja më e rëndësishme është nëse do të ketë karburant në planin afatgjatë - njerëzit do të ia dalin disi për çmimin. Mungesa e karburantit ka një ndikim të drejtpërdrejtë negativ në të gjitha rrjedhat ekonomike dhe mund të çojë në zhvillime edhe më serioze negative në ekonominë kombëtare", thotë Ivanovski.

Importimi dhe rezervat

Shefi i administrimit të biznesit dhe teknologjisë së informacionit në Institutin Teknologjik Kanadez, Enriko Çeko, kritikoi vendimin e qeverisë shqiptare për të formuar Bordin e transparencës. Ai për Kosovo online vlerësoi se duhet të shqyrtohet seriozisht çështja e rezervave shtetërore, duke theksuar problemet me importin e hidrokarbureve dhe kapacitetet e magazinimit të karburantit në vend.

“Sipas mendimit tim, nuk është mirë që qeveria ka formuar Bordin e transparencës. Kjo çështje mund të zgjidhet shumë më thjeshtë. Çmimet e karburantit në periudha të tilla mund të përcaktohen me vendim të qeverisë, duke ndjekur situatën në baza javore. Nuk ka nevojë për një komitet të tillë. Qeveria shqiptare duhet të shqyrtojë seriozisht çështjen e rezervave shtetërore, sepse nuk kemi asnjë informacion nëse ekzistojnë rezerva shtetërore të hidrokarbureve sipas ligjit. Nuk dihet as gjendja e kapaciteteve të magazinimit të karburantit në Shqipëri, pasi është parë se kompanitë që importojnë karburant nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për ruajtje”, tha ai për Kosovo online.

Ai theksoi problemet me importin e hidrokarbureve në portin e Durrësit, për shkak të të cilave karburanti ruhet në Itali dhe më pas transportohet në Shqipëri sipas nevojave.

“Kemi problem me importin e hidrokarbureve sepse thellësia e portit të Durrësit nuk lejon anijet me tonazh të madh, mbi 50.000 tonë, të hyjnë aty. Prandaj jemi të detyruar ta magazinojmë karburantin në Itali dhe prej andej ta sjellim në Shqipëri me anije më të vogla. Para së gjithash, duhet të gjejmë një port në Shqipëri që ka thellësi më të madhe se porti i Durrësit, i cili është nëntë metra në verë dhe 11 metra në dimër. Anijet prej 500.000 tonësh kërkojnë thellësi më të madhe. Vendi më i përshtatshëm për një port të tillë do të ishte në jug të Karaburunit”, shpjegon ai, duke shtuar se edhe energjia e gjelbër nuk është zgjidhje për Shqipërinë

Çeko theksoi se vendet e rajonit kanë ndërmarrë masa të ndryshme për t’u përgatitur për krizën energjetike të shkaktuar nga lufta e re në Lindjen e Mesme.

“Çdo vend që varet nga importi i hidrokarbureve ka ndërmarrë masa të caktuara. Shqipëria, por edhe Kosova, kanë vendosur të ndjekin tregun dhe të mbikëqyrin nivelin e rezervave strategjike, që në rastin e Shqipërisë është rezervë e detyrueshme për kompanitë për 90 ditë. Gjithashtu është vendosur që, nëse çmimi kalon një nivel të caktuar – në rastin e Shqipërisë 220 lekë për litër – të ndërhyhet duke hequr 20 për qind të akcizës. Vendet e tjera si Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë ndjekur një qasje tjetër, sipas së cilës, përveç mbështetjes direkte për qytetarët për shkak të rritjes së çmimeve, do të ketë edhe një ndërhyrje në politikën fiskale, por pa vendosur një 'çati' mbi çmimin e shitjes. Megjithatë, do të ketë një kufi çmimi mbi të cilin kompanitë nuk do të mund të shesin karburant. Bosnja ka ndjekur një qasje tjetër – politikën e frenimit të rritjes së çmimeve përmes heqjes së disa taksave, së bashku me mbështetje direkte dhe indirekte për qytetarët”, tha ai.