(Mos)komunikimi i institucioneve të Kosovës dhe Serbisë: Pse Sveçla e zgjidh çështjen e funksionimit të institucioneve arsimore dhe shëndetësore?
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se institucionet shëndetësore në zonat serbe në Kosovë janë në komunikim me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës lidhur me rregullimin e statusit të institucioneve shëndetësore. Mohimet ndaj deklaratës së Sveçlës kanë mbërritur sot nga drejtorët e qendrave klinike në Graçanicë dhe Mitrovica e Veriut, Bratisllav Llaziq dhe Zllatan Ellek, si dhe pyetja nëse një ministër i Brendshëm duhet të merret me çështjen e shëndetësisë, apo mes rreshtash mund të lexohet një njoftim për një veprim tjetër të Prishtinës, i cili si të gjithë të mëparshmit nuk do të jetë në favor të serbët në Kosovë.
Shkruan: Millena Milladinoviq
“Komuniteti serb në Kosovë ka të drejta dhe privilegje shtesë në fushën e arsimit dhe shëndetësisë, përmes autoriteteve komunale, dhe ato do të trajtohen në mënyrë specifike në raport me institucionet tjera”, tha Sveçla në një intervistë për REL.
Ato institucione “të privilegjuara”, sipas tij, nuk do të vazhdojnë të funksionojnë sipas sistemit serb.
“Aktivitetet e tyre do të përcaktohen në kuadër të ligjit të Kosovës”, ka shtuar Sveçla.
Dy zona specifike - kërkojnë trajtim specifik. Sipas Sveçlës, ky trajtim është duke u diskutuar me sistemin shëndetësor që funksionon në komunat ku serbët janë shumicë.
“Ministria e Shëndetësisë së Kosovës tashmë po kryen komunikimet e nevojshme me sistemin shëndetësor që funksionon në komunat ku serbët janë shumicë. Besoj se duhet vetëm një koordinim i shtuar mes të dyja palëve që gjithçka të jetë brenda ligjit. E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për sistemin arsimor”, tha Sveçla.
Mohimet
Se ka komunikim në mes të institucioneve shëndetësore në Kosovë që funksionojnë në sistemin e Republikës së Serbisë dhe institucioneve të Kosovës e kanë mohuar sot drejtori i QKS Prishtina me seli të përkohshme në Graçanicë Bratisllav Llaziq dhe drejtori i QKS Mitrovica e Kosovës Zllatan Ellek.
Llaziq ka thënë për Kosovo online se institucioni që drejton ai nuk ka asnjë kontakt me ministrinë e përmendur dhe as me qeverinë e Kosovës.
“Ne funksionojmë brenda sistemit shëndetësor të Republikës së Serbisë, nuk ka kontakt me dikë që është përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë në Prishtinë,nuk kemi kontakte as me përfaqësuesit e të ashtuquajturës qeveri në Prishtinë”, tha Llaziq.
Siç theksoi ai, shëndetësia nuk është një fushë me të cilën duhet të merret një ministër i Punëve të Brendshme dhe nuk e kupton nëse deklarata e Sveçlës duhet kuptuar si paralajmërim për veprime të caktuara të Prishtinës, të cilat nuk do të jenë pozitive për komunitetin serb.
“Është gjithashtu intriguese që deklaratat lidhur me shëndetësinë në Kosovë dhe Metohi vijnë nga ministri i Brendshëm i Qeverisë në Prishtinë. Nuk di si ta kuptoj këtë. Kjo fushë nuk është në kompetencën e ministrit të të brendshme dhe nuk e di nëse duhet kuptuar si një lloj lajmërimi i momenteve të caktuara, të cilat nuk do të jenë pozitive për komunitetin serb”, ka shtuar Llaziq.
Drejtori i QKS Mitrovica e Kosovës Zllatan Ellek thekson se është i surprizuar me deklaratën e Sveçlës.
“Jam çuditur dje kur lexova deklaratën e ministrit të policisë zotit Sveçla në të cilën ai thoshte se institucionet e shëndetësisë të cilat veprojnë sipas sistemit të Republikës së Sërbisë, kanë komunikim me institucionet kosovare të shëndetësisë. Deri më tani asnjë komunikim nuk ka patur mes këtyre dy sistemeve” ka thënë Ellek.
Aq më shumë atë e ka surprizuar sikurse tha, që për shëndetësinë të flasë ministri i policisë.
“Ajo çka n’a ka çuditur të gjithë neve, është se për sistemin e shëndetësisë në territorin e Kosovës e Metohisë të japë deklarata ministri i policisë i cili pothuajse nuk ka asnjë lloj pike kontakti me sistemin e shëndetësisë me të cilën ne funksionojmë” ka thënë Ellek.
Nuk do të jetë aq e lehtë
Për deklaratën e Sveçlës ka folur edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Ai nga Nju Jorku, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari të Kosovo online për deklaratën e Sveçlës se arsimi dhe shëndetësia duhet të funksionojnë në kuadër të ligjeve të Kosovës, tha se kjo nuk do të ndodhë.
“Kjo nuk do të ndodhë, ata mund të vijnë, policia mund të mbyllë shkollat dhe kopshtet, por kjo e fundit nuk do të ndodhë. Do të vazhdojmë të paguajmë rrogat e mësuesve, do të punojmë me fëmijët, nuk mendoj se për t’a do të jetë kaq e lehtë. Duket se ai tani ka ndërruar kurs, sepse nuk i lejohet ta zë urën, kështu që tani po kalon në diçka tjetër”, tha Vuçiq.
Siç ka theksuar ai, Serbia gjithmonë do të gjejë një zgjidhje, e cila shkakton nervozizëm në Prishtinë.
“Lërini të bëjnë gjënë e tyre, ne kemi masat tona dhe po punojmë për to. Dhe në bisedë të drejtpërdrejtë me njerëzit tanë, gjithmonë do të gjejmë një zgjidhje. Tregon sa nervozë janë dhe histerinë e tyre. Ata nuk kanë çfarë të flasin përveç serbëve, Serbisë dhe Beogradit, nuk kanë ndonjë temë tjetër... E për çfarë tjetër mund të flasin? Për faktin se ata kanë internetin më të përhapur në botë, pra sepse një burrë ka dhjetë nga të afërmit e tij më të përhapur jashtë vendit... Pra thonë se ju keni katër për qind serbë. Jo, për momentin, edhe pse janë pak sepse janë të persekutuar, ne kemi tetë për qind serbë, sepse nuk ka shqiptarë. U pëlqen të numërojnë serbët, por nuk u pëlqen të numërojnë shqiptarët... Të mos i numëroj unë, e kemi bërë punën tonë dhe e dimë saktësisht sa banorë janë, nëse nuk kanë mundësi të numërojnë, të kërkojnë ndihmë”, tha Vuçiq.
Mesazhi për serbët përmes elementit represiv policor
Bashkëbiseduesit të Kosovo online e quajnë indikative deklaratën e Sveçlës, duke theksuar se dialogu në Bruksel është i vetmi vend për të zgjidhur çështjen e funksionimit të sistemit shëndetësor dhe arsimor.
Koordinatori i Grupit Punues të Konventës Kombëtare të BE-së për Kapitullin 35 Dragisha Mijaçiq, duke reaguar ndaj deklaratës së Sveçlës se fushat e arsimit dhe shëndetësisë nuk do të vazhdojnë të funksionojnë sipas sistemit serb, tashmë veprimtaria e tyre do të definohet në kuadër të ligjeve të Kosovës, thotë se kjo është tregues se si funksionon qeveria e Kosovës.
Deklarata të tilla ai sjell në lidhje me fushatën parazgjedhore.
“Fushata parazgjedhore është duke u zhvilluar, kështu që mund të shohim deklarata të ndryshme të këtij lloji, siç është ajo e zotit Sveçla”, thotë Mijaçiq.
Ai shton se çështja e sistemit arsimor dhe shëndetësor në Kosovë duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut në Bruksel dhe se qeveria e Kosovës me deklarata të tilla u dërgon mesazh serbëve përmes elementit represiv policor.
“Mendoj se duhet të dëgjojmë diçka nga Ministri i Shëndetësisë dhe Ministri i Arsimit, në vend që policia të rregullojë marrëdhëniet dhe funksionimin e këtyre institucioneve të rëndësishme në komunitetet serbe. Dhe kjo tregon mjaftueshëm se si funksionon qeveria e Kosovës, që përmes elementit represiv policor u dërgon mesazh serbëve të Kosovës nëse duhet të kenë shëndetësi dhe arsim dhe në çfarë kushtesh. Vërtet një deklaratë e papërshtatshme. Arsimi dhe shëndetësia zgjidhen në kuadër të dialogut të Brukselit, brenda gjithçkaje që është negociuar mes dy palëve, sigurisht që është e përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës, me planin e Ahtisarit”, vlerëson Mijaçiq dhe thekson se ministri i policisë duhet të flasë për gjëra të tjera, jo për funksionimin e këtyre dy institucioneve në komunitetet serbe.
BKS si rregullator i çështjeve të arsimit dhe shëndetësisë
Duke zgjidhur çështjet e hapura siç është sistemi i arsimit dhe shëndetësisë me veprime të njëanshme, Prishtina po përpiqet të frenojë procesin e negociatave të Brukselit, është mendimi i drejtorit ekzekutiv të OJQ-së “Aktiv” Miodrag Milliqeviq.
Milliqeviq beson se këto çështje duhet të rregullohen përmes Bashkësisë së Komunave Serbe dhe me popullatën serbe në Kosovë.
Siç shton ai, nuk është hera e parë që dëgjohen deklarata të tilla dhe se është një precedent, sepse arsimi dhe shëndetësia janë pjesë e Marrëveshjes së Brukselit dhe duhet të zgjidhen përmes atij procesi.
“Të gjitha këto janë pjesë të Marrëveshjes së Brukselit dhe e gjithë kjo është dashur të jetë pjesë e Bashkësisë së Komunave Serbe, pra të rregullohet në formën e të gjitha çështjeve përmes Bashkimit të Komunave Serbe dhe me popullatën serbe”, thotë Milliqeviq.
Fatkeqësisht, ajo që është veçanërisht shqetësuese, siç thotë Milliqeviq, është reagimi pasiv i bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht BE-së, e cila duhej të ishte absolutisht më e shkathët dhe më proaktive në adresimin e kësaj çështjeje përmes procesit të Brukselit.
Gjithashtu, Milliqeviq deklaron se BE-ja duhet të ishte më e shkathët në këmbënguljen që të gjitha këto çështje të hapura të zgjidheshin pikërisht në mënyrën e rënë dakord, siç kujton ai, në vitin 2013, që në fakt është procesi i Brukselit.
Sipas ligjeve të Kosovës, por nën administrimin e BKS-së
Analisti politik Visar Imeri, nga ana tjetër, konsideron se të gjitha institucionet në Kosovë duhet të punojnë sipas ligjeve të Kosovës dhe se kjo është zgjidhja më e mirë.
Imeri thekson se Bashkësia e Komunave Serbe është e paraparë me statutin e BE-së, se si duhet të regjistrohen shkollat, spitalet, i gjithë sistemi shëndetësor dhe arsimor sipas ligjeve të Kosovës,dhe të jetë nën administrimin e BKS-së.
“Kjo është përgjegjësia më e madhe që do të ketë BKS, jam pro dialogut dhe mendoj se kjo është mënyra më e mirë që me formimin e BKS-së të zgjidhen të gjitha këto çështje që kanë të bëjnë me shkollat, spitalet, përdorimin e dinarëve, gjithçka që po diskutohet tani. Të gjitha çështjet e hapura me komunitetin serb në Kosovë duhet të zgjidhen përmes BKS-së. Ministri thotë se do të zgjidhet sipas ligjeve të Kosovës, që do të thotë se është dashur të zgjidhet me dialog dhe BKS. Kur të formohet BKS, të gjitha institucionet në Kosovë duhet të punojnë sipas ligjeve të Kosovës, këtë e thotë Statuti dhe mendoj se kjo është zgjidhja më e mirë”, tha Imeri.
0 komentet