A mund të ndikojnë provat e reja në çështjen kundër Thaçit dhe të tjerëve në vendimin për ish-liderët e UÇK-së apo do t’i refuzojë gjykata?

Hag
Burim: Kosovo Online

Prokuroria dhe mbrojtja kanë paraqitur argumentet dhe dëshmitarët e tyre në çështjen kundër ish-liderëve të UÇK-së para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Vendimi pritet në javët e ardhshme, por ndërkohë po zhvillohet një betejë e re juridike rreth asaj nëse gjykata do të pranojë provat e reja të paraqitura nga Prokuroria Speciale apo do të pranojë kërkesën e mbrojtjes për t’i hedhur poshtë ato. Ndërsa avokati Bajraktari vlerëson se gjykata nuk duhet të shqyrtojë prova të reja pas përfundimit të procedurës, avokati dhe ish-prokurori ushtarak Dragan Pashiq thekson se ndër provat shtesë kyçe, nga këndvështrimi i prokurorisë, përmenden edhe incizime që tregojnë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi u kanë dhënë udhëzime vizitorëve në lidhje me dëshmitë e dëshmitarëve.

Shkruan: Velko Nestoroviq

Procedura kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilëve po u gjykohet në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfundoi më 18 shkurt, pas së cilës filloi afati prej 90 ditësh për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë për të marrë vendim në këtë rast.
Siç shpjegon për Kosovo online avokati dhe ish-prokurori ushtarak Dragan Pashiq, Prokuroria e Specializuar e Kosovës ka propozuar paraqitjen e provave shtesë, me të cilat në dosjen e çështjes do të përfshiheshin materiale të mbledhura pas përfundimit zyrtar të procedurës së provave.

Sipas tij, prokuroria pretendon se bëhet fjalë për prova të zbuluara rishtazi, ndër të cilat janë shënime dhe ditarë të sekuestruar gjatë kontrolleve, të cilat nuk kanë qenë të disponueshme deri në përfundimin e procedurës së provave.

“Si prova shtesë kyçe, nga këndvështrimi i prokurorisë, përmenden edhe incizime që tregojnë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi u kanë dhënë udhëzime vizitorëve në lidhje me dëshmitë e dëshmitarëve – si të dëshmojnë, të mos dëshmojnë apo të tërhiqen”, thekson Pashiq dhe shton se mbrojtja nuk mund të thirret në nenin 103 të Rregullores që përcakton procedurën e paraqitjes së provave, sepse prokuroria, sipas asaj që është në dispozicion publik, ka ardhur në dijeni për informacione me vlerë provuese pas përfundimit të procedurës së provave dhe fjalëve përfundimtare të palëve në atë proces.

Ai shton se prokuroria konsideron se bëhet fjalë për rrethana të jashtëzakonshme, pavarësisht faktit se procedura në aspektin procedural tashmë është mbyllur.

“Prokuroria pretendon se disa prova, si incizimet nga paraburgimi apo të dhënat nga telefonat e sekuestruar, nuk ekzistonin ose nuk ishin fizikisht të disponueshme në fazat e mëparshme të gjykimit. Si argument shtesë, ata theksojnë se jashtëzakonshmëria buron edhe nga dyshimet se të akuzuarit kanë tentuar të ndikojnë në rrjedhën e procesit, përfshirë pengimin dhe frikësimin e dëshmitarëve përmes vizitorëve ndërkohë që ndodhen në paraburgim”, thotë Pashiq.

Ai shton se tani i takon gjykatës të vlerësojë nëse këto prova janë aq të rëndësishme sa që mungesa e tyre mund të ndikojë në drejtësinë e vendimit.

“Mbrojtja kundërshton ekzistencën e rrethanave të jashtëzakonshme, ndërsa avokatët Gregory Kehoe dhe Luka Mishetiq pretendojnë se prokuroria qëllimisht ka pritur fundin e procedurës për të dorëzuar provat e reja. Gjithashtu konsiderojnë se lëshimet e mundshme në hetim nuk mund të trajtohen si rrethana të jashtëzakonshme”, thekson Pashiq.

Siç përfundon ai, trupi gjykues, pas marrjes së vendimit për pranueshmërinë e këtyre provave shtesë – të cilat, nëse pranohen, do të përfshihen në dosjen përfundimtare para shpalljes së vendimit – do t’i njoftojë të dyja palët në proces.

Në parashtresën e 13 marsit, mbrojtja ka kërkuar nga trupi gjykues që t’i urdhërojë Prokurorisë të ndalojë dorëzimin e provave shtesë.

“Mbrojtja e Hashim Thaçit kërkon që trupi gjykues, në përputhje me rregullin 136 të Rregullores së procedurës dhe provave, t’i urdhërojë Prokurorisë së Specializuar që të mos dorëzojë prova të reja në trupin gjykues, përveç në rrethana të jashtëzakonshme dhe vetëm kur ekziston një arsye e justifikuar”, thuhet në parashtresë.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Specializuar, Christopher Bennett, nuk ka dashur të specifikojë për cilat prova bëhet fjalë, duke theksuar se nuk mund të komentojë një çështje që është në proces.
Juristi Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare thotë se nuk dihet për cilat prova bëhet fjalë, por rikujton se procedura e provave tashmë është përmbyllur.

“Në parim, pas përfundimit të procedurës së provave, palët nuk mund të paraqesin më prova të reja, sepse ajo fazë është mbyllur dhe trupi gjykues ndodhet në fazën e shqyrtimit dhe marrjes së vendimit. Rregullorja parashikon përjashtime, por vetëm në rrethana të veçanta dhe me ekzistimin e arsyeve të justifikuara”, tha Alija.

Avokati Ardian Bajraktari vlerëson se gjykata nuk duhet të shqyrtojë prova të reja pas përfundimit të procedurës.

“Dorëzimi i provave të reja pasi procedura është mbyllur formalisht përbën një veprim skandaloz dhe tregon përpjekjen e Prokurorisë që me çdo kusht të justifikojë pretendimet e saj. Kjo është në kundërshtim me parimet themelore të së drejtës penale, veçanërisht me parimin e barazisë së palëve”, theksoi Bajraktari.

Kryesuesi i trupit gjykues, Charles Smith, më herët ka theksuar se në këtë fazë nuk është e mundur të dorëzohen parashtresa apo prova të reja, përveç në situata të jashtëzakonshme.
Shqetësim ka shprehur edhe Avokati i Popullit, i cili vlerëson se një praktikë e tillë mund të cenojë të drejtën për një gjykim të drejtë.

“Mënyra se si pranohen provat, përfshirë edhe pas ngritjes së aktakuzës dhe shqyrtimit kryesor, vë seriozisht në pikëpyetje parimin e barazisë së palëve dhe të drejtën për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Akademiku Arsim Bajrami pret lirimin e ish-liderëve të UÇK-së.

“Pritjet janë që ata të lirohen, të shpallen të pafajshëm dhe të vazhdojnë aktivitetin politik aty ku e kanë lënë. Prokuroria nuk ka arritur të provojë asnjë pikë të aktakuzës, ndërsa mbrojtja i ka rrëzuar të gjitha pretendimet dhe ka treguar se procesi ka qenë një komplot me prapavijë politike”, tha Bajrami.
Zyra e Prokurorit të Specializuar më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzë të ndryshuar dhe të konfirmuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përmban dhjetë pika për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Të akuzuarit më 9 dhe 10 nëntor 2020 janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave. Aktakuza është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Pas fjalëve përfundimtare më 18 shkurt, trupi gjykues ka afat prej 90 ditësh për të marrë vendim, me mundësi zgjatjeje.

Prokurorja speciale Kimberly West ka kërkuar dënim unik prej nga 45 vjet burg për secilin nga katër të akuzuarit. Mbrojtja ka kërkuar shpalljen e pafajësisë.