A po shkon Kosova drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në vjeshtë?
Veprimet e kryeministrit kosovar dhe liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti në periudhën e ardhshme, këmbëngulja e opozitës, si dhe raportet me ndërkombëtarët dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të vendosin nëse do të zhvillohen zgjedhje të reja parlamentare në Kosovë deri në vjeshtë, mendojnë bashkëbiseduesit e Kosovo Onlajn.
Pasi kryetarët e rinj të komunave veriore, me ndihmën e forcave të Njësive Speciale të Policisë Kosovare hyrën në godinat e komunave të Zveçanit, Lleposaviqit dhe Zubin Potokut dhe konflikti mes ushtarëve të KFOR dhe sërbëve nga veriu, kur disa persona u plagosën nga të dyja anët, u pasua me kritika të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare, BE dhe aktorët e tjerë të cilët kërkojnë që qeveria kosovare të tërheqë policinë speciale nga veriu.
Dënimi më i ashpër erdhi nga SHBA të cilat vendosën sanksione ndaj Kosovës dhe përjashtuan FSK nga stërvitja ushtarake “Defender Europe 23”, pas së cilës opozita kosovare reagoi me kritika ndaj Kurtit dhe thirrje për votëbesim të qeverisë aktuale.
Në kontekstin e zhvillimeve aktuale, është mjaft e mundshme që në Kosovë në një periudhë relativisht të shkurtër të shkohet drejt zgjedhjeve të reja, thotë hulumtuesi i lartë në OJQ “Aktiv” Igor Markoviq.
Ky i fundit beson se nuk duhet harruar sesa i paparashikueshëm është Kurti në vendimet e tij, por nëse presioni i ndërkombëtarëve vazhdon të rritet, sigurisht që do të ketë zgjedhje.
“Nëse opozita vepron e bashkuar në ushtrimin e presionit ndaj Vetëvendosjes dhe në të përfshin opinion shumë të gjerë, me shumë mundësi që Kurti do të detyrohet të organizojë zgjedhjet. Megjithatë, Kurti, sidomos në javët e fundit, është treguar se është i paparashikueshëm sa i përket lëvizjeve që kryen në skenën e brendshme dhe ndërkombëtare. Nuk duhet harruar se Vetëvendosja me partnerët e koalicionit, ka edhe shumicë komode në kuvend, çfarë është luks që Kurti sigurisht nuk dëshiron që t'i privohet. Veç kësaj, nëse presioni i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kurtit rritet eksponencialisht, atëherë perspektivat për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare do të bëhen gjithnjë e më të sigurta” tha Markoviq.
Ky i fundit shton se situata e tashme në veri të Kosovës, ndikon në mbajtjen eventuale të zgjedhjeve, duke theksuar se Vetëvendosja e Kurtit, në mungesë të progresit ekonomik, luftës kundër krimit dhe dështimeve të tjera gjatë qeverisjes, përdori retorikë për “kriminalizimin e sërbëve”.
“Ndikojnë në masë të madhe, sidomos tek ajo pjesë e popullsisë që anon djathtas. Vetëvendosja për shkak të dështimit në forcimin e ekonomisë, luftën kundër korrupsionit dhe rigjallërimin e sistemit shëndetësor dhe arsimor. u përpoq të kompensonte rënien e popullaritetit duke zhvendosur fokusin e publikut në veri. Roli parësor i këtij lloj politizimi ishte padyshim Kurti, i cili e kreu politikën e tij duke nxitur narrativë rreth nevojës për të luftuar paralelisht me veriun e ashtuquajtur të kriminalizuar. Institucionet paralele, mbledhjen e materialeve le të themi padi për gjenocid etj” ka theksuar Markoviq.
Sipas tij opozita në Kosovë kritikat drejt qeverisë në Prishtinë, i shfrytëzon për rrëzimin e Kurtit nga pushteti duke kërkuar qysh tani të votëbesohet qeveria në parlament.
“Sa i përket partive opozitare, është e qartë se kritikat e fundit dhe të pazakonta drejtuar Prishtinës nga zyrtarë të shquar të bashkësisë ndërkombëtare, do të përdoren për luftën politike për rrëzimin e Kurtit dhe pozitën e tij dominuese. Tani për tani, PDK, AAK, dhe PSD janë më të zëshmit në kritika, ndërsa pas tyre qëndron ende kasketa e DSK, për të cilën duket se konsolidimi i brendshëm është ende në vazhdim. Sido që situata në veri të zhvillohet, do të ketë një ndikim të madh në (ri)shpërndarjen e ardhshme të pushtet në skenën politike të Kosovës”, tha Markoviq.
Suksesi i Vetëvendosjes në zgjedhjet pasardhëse, nëse ato mbahen së shpejti, sipas Markoviqit, do të varet nga sjellja e Kurtit për veriun në ditët pasuese.
“Kurti dhe Vetëvendosja tashmë kanë humbur mbështetjen jo vetëm të SHBA, por edhe të pjesës tjetër të komunitetit ndërkombëtar, për të cilin zyrtarët e saj nuk i fshehën pikëpamjet e tyre. (Mos)Suksesi i Vetëvendosjes në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, do të varen direkt prej mënyrës sesi Kurti në javët vijuese, do të përpiqet të përballet me krizën në veri. Sa më shumë të zgjasë, do të vonojë zgjidhja paqësore e situatës aktuale në veri, aq më pak mbështetje do të ketë Kosova, pikërisht për shkak të kritikave gjithnjë e më të zhurmshme ndaj Vetëvendosjes në përgjithësi dhe Kurtit në veçanti”, përmbyll Markoviq.
Dhe analisti dhe sociologu Artan Muhaxhiri është i mendimit se shumë ngjarje në të ardhmen, do të kenë varësi sesi do të përfundojë kriza në veri të Kosovës.
Siç thekson ai, mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë, ndikohet nga shumë faktorë.
"Zgjedhjet në Kosovë janë një proces kompleks që përfshin shumë aktorë të rëndësishëm, kosovarë, rajonalë dhe ndërkombëtarë. Ndaj, planifikimi i zgjedhjeve të reja varet nga shumë faktorë. Situata aktuale është shumë e mjegullt, por shumë ngjarje të ardhshme do të kushtëzohen nga mënyra sesi do të përfundojnë ato” tha Muhaxhiri dhe shtoi se nëse situata politike në Kosovë hyn në qorrsokak, zgjidhja e vetme do të jenë zgjedhjet e reja.
Sipas Muhaxhirit, rezultati i zgjedhjeve të mundshme, do të ndikohet edhe nga marrëdhëniet aktuale me SHBA sepse ndikimi i Amerikës tek qytetarët e Kosovës, është shumë i fortë.
Ai shton se, nëse marrëdhëniet mbeten “të shtrënguara” sigurisht që do të ndikonte në rezultatin zgjedhor.
“Në rastin e zgjedhjeve të reja, rezultati i Partisë Vetëvendosja do të ndikohet nga një pjesë e imazhit të saj lidhur me marrëdhëniet me SHBA. Qytetarët e Kosovës konsiderohen si më proamerikanët në botë dhe për arsye historike, ndikimi politik, simbolik dhe emocional i SHBA, është jashtëzakonisht i fortë në vetë shoqërinë. Nëse gjendja aktuale negative e marrëdhënieve mes qeverisë së Vetëvendosjes dhe SHBA vazhdon, padyshim që do t'i dëmtojë ata politikisht në zgjedhje" tha Muhaxhiri.
Përveç marrëdhënieve me SHBA, në rezultatin e zgjedhjeve eventuale, do të ndikonte edhe opozita të cilën Muhaxhiri e konsideron të dobët.
“Natyrisht, shumë do të varet nga niveli i përgatitjes dhe cilësia e ofertës së opozitës. Për momentin, opozita kosovare, është e dobët dhe pa një vizion të qartë strategjik sesi të luftohet me efikasitet ndaj kryeministrit Kurti dhe partisë së tij” ka thënë Muhaxhiri.


komentet