Rezoluta e PE për Kosovën-mbështetje anëtarësisë në Këshillin e Europës ndërsa mbrojtja e të drejtave të njeriut e dobët

Evropski Parlament - usvajanje vizne liberalizacije za Kosovo
Burim: Kosovo Online

Kosova ka kuadrin e domosdoshëm institucional për përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por mbrojtja e tyre vazhdon të jetë e dobët për shkak të mungesës së zbatimit të ligjit, vullnetit politik dhe burimeve të kufizuara njerëzore e financiare. Pavarësisht këtij vëzhgimi të shprehur në rezolutën për Kosovën e cila dje u miratua nga Parlamenti Europian, i njëjti dokument shprehu mbështetje të plotë për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës.

Shkruar nga: Dushica Radeka Gjorgjeviq

Rezoluta për Kosovën, e cila nuk ka fuqi ligjërisht detyruese, bazohet në raportin e raportuesit të PE për Kosovën, estonezit Riho Teras, i cili u emërua në këtë detyrë nëntorin e vitit të kaluar.

Në të, u theksua se Parlamenti Europian keqardhet për faktin se iniciativat për përfshirjen e komunitetit sërb në strukturat politike, sociale dhe ekonomike të Kosovës vijojnë të jenë mjaft të kufizuara dhe përsëriti thirrjen për përmirësimin e dialogut të brendshëm me qëllim ndërtimin e besimit, lehtësimin e jetës së përditshme të sërbëve kosovarë dhe integrimin e tyre të suksesshëm.

Eurodeputetët ftuan policinë kosovare që të sigurojë se respekton plotësisht të gjitha kërkesat e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut dhe të garantojë që në veri të Kosovës të dislokohen forca policore multietnike inkluzive në përputhje me kërkesat ligjore.

Gjithashtu, rezoluta fton pesë shtetet anëtare të BE që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë këtë "pa shtyrje" dhe të shfuqizojnë urgjentisht masat ndëshkuese të BE ndaj Kosovës, sepse "nuk janë më të justifikuara". U dha dhe mbështetja për aplikimin e Kosovës për anëtarësi në BE, sepse "e ardhmja e Kosovës është në BE", por shënohet dhe se rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në BE varet edhe nga normalizimi i marrëdhënieve me Sërbinë.

“Parlamenti Europian përsërit rëndësinë e angazhimit konstruktiv të autoriteteve të Kosovës dhe Sërbisë me qëllim arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin, bazuar në njohjen reciproke dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe fton si Kosovën dhe Sërbinë, të zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, përfshirë krijimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë sërbe”, thuhet në rezolutë.

Prej Sërbisë, pritet të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizmat rajonale e ndërkombëtare dhe nga të dy palët kërkohet shmangia e akteve të njëanshme që mund të dëmtojnë procesin e dialogut.

Pasi u miratua raporti i tij, Teras tha dje se gjithmonë egziston vend për përmirësimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtines dhe se Parlamenti Europian mund të ketë vendin e vet për shembull, duke ftuar anëtarë të parlamenteve kombëtare në PE.

Ai njoftoi dhe se personalisht do të investojë përpjekje që pesë anëtarët e BE që nuk e njohin Kosovën, t’a bëjnë këtë, sepse mosnjohja e saj sipas vlerësimit të tij është "absurde".

Juristi Millan Antonijeviq vlerëson megjithatë se tentativa për të ndryshuar vullnetin e shteteve anëtare të BE të cilat nuk dëshirojnë të njohin pavarësinë e Kosovës në këto momente duket paksa naive.

"Pa dialog të qartë të hapur dhe mbështetjen që duhet të ketë dialog i tillë, mendoj se kjo me të vërtetë vështirë të pritet. Vendet që nuk e njohën Kosovën, këtë nuk e bërën për arsyet e tyre të brendshme politike, për shkak të problemeve që mund të kenë me pjesë të komunitetit që mund të tentojnë të bëjnë të njëjtën gjë si Kosova, kështu që vështirë të pritet që Spanja apo disa vende të tjera europiane të ndryshojnë vullnetin e tyre në këtë moment. Ajo pjesë e raportit dhe fjalimi i tij, ende japin pamje të disa dëshirave, dhe jo të mundësive dhe shpërndarjes momentale të forcave në dispozicion brenda BE", thotë Antonijeviq për Kosovo Onlajn.

Thirrja e europarlamentarëve anëtarë të BE që nuk e njohin Kosovën që t’a bëjnë këtë, analisti politik Nexhmedin Spahiu e interpreton si presion ndaj Sërbisë.

“Kjo është një lloj forme presioni ndaj Sërbisë pasi nëse sanksionet e BE janë presion ndaj Kosovës, atëherë thirrja për njohje u është përcjellë pesë shteteve të BE si presion ndaj Sërbisë. Përndryshe, pritet që pas përmbushjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Sërbisë, këto pesë vende do t’a njohin Kosovën. Ky është rezultati normal i gjërave” mendon Spahiu.

Në lidhje me apelin e Parlamentit Europian që BE të heqë sanksionet ndaj Kosovës, Antonijeviq kujton se vendosja e masave ka qenë e lidhur me kërkesat për de-eskalimin e situatës.

"Nëse shikoni numrin e incidenteve në Kosovë dhe masat e njëanshme të cilat Kosova i ndërmori në javët dhe muajt e mëparshëm, nuk jam tamam i sigurt që për heqjen e sanksioneve egziston argument i fortë. Tek kjo duhet të punojmë. Mendoj se edhe komuniteti sërb duhet të japë gjykimin e vet dhe të ketë mundësinë të flasë për presionet ndaj të cilave është i ekspozuar dhe që autoritetet kosovare ta kuptojnë seriozisht. Ky është parakusht që këto masa të hiqen dhe që Kosova të mund të vazhdojë në rrugën europiane. Rruga europiane i përshtatet edhe komunitetit sërb dhe nuk mendoj në anashkalimin e disa hapave, por faktin që vetë rruga europiane u jep mbrojtje minoriteteve dhe pakëson hapësirën manovruese kush është në negociata pavarësisht nëse e njihni apo nuk e njihni atë shtet. Negociatat u përshtaten minoriteteve dhe të drejtave të njeriut, sepse shtetet anëtare në atë moment merren me respektimin e këtyre kushteve kur vlerësojnë nëse ndonjë vend duhet të përparojë në rrugën europiane apo jo", bën të ditur Antonijeviq.

Përgjithësisht duke parë raportin për Kosovën që u miratua nga europarlamentarët, Antonijeviq e konsideron objektiv pasi raportuesi Riho Teras, sikurse thotë, përcolli problemet që ka komuniteti sërb në Kosovë, prej incidenteve e deri te mosformimi i Bashkësisë së Komunave Sërbe dhe u vu në dukje mangësia në fushën e sundimit të ligjit, si dhe tek zhvillime të caktuara. 

"Raporti jep pamje të plotë rreth gjendjes së respektimit të të drejtave të njeriut në Kosovë dhe merret mjaftueshëm me komunitetin sërb dhe problemet që ka në Kosovë. Jep prerje tërthore ku janë përmendur dhe në raportet e tjera si nga BE ashtu edhe nga Departamenti i Shtetit. Ky është koleksion i mirë i gjithçkaje me të cilën komuniteti sërb po përballet dhe me çfarë po përballet shoqëria kosovare dhe jep pasqyrë sesi të dilet nga ajo krizë. Flet dhe rreth asaj që institucionet që merren me zgjedhjet dhe median po humbin pavarësinë e tyre, veçanërisht në muajt e kaluar", tha Antonijeviq.

Rezoluta për Kosovën sipas vlerësimit të analistit politik Nexhmedin Spahiu, përmban kontinuitet të politikës europiane ndaj këtij rajoni dhe se në të pritej të gjendej kërkesë që të respektohet marrëveshja që në kuadër të dialogut të arrihej mes kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit sërb Aleksandar Vuçiq.

“Prej Kosovës kërkohet formimi i Bashkësisë së Komunave me shumicë sërbe si formë autonomie të sërbëve në Kosovë, ndërsa prej Sërbisë nën heshtje njohja përmes çeljes së misioneve të përhershme diplomatike të Sërbisë në Prishtinë dhe Kosovës në Beograd” ka thënë Spahiu për Kosovo onlajn.