Stigma, institucione pasive dhe ligje të vjetruara – barriera për viktimat e dhunës seksuale në rajon

stop nasilju nad ženama AI
Burim: Kosovo Online / AI Generated

Pas publikimit të tre milionë dokumenteve të lidhura me financierin amerikan dhe abuzuesin seksual Jeffrey Epstein, vëmendja e opinionit botëror, por edhe atij rajonal, u përqendrua te problemi i dhunës dhe ngacmimit seksual. Këtë formë dhune, thonë bashkëbisedueset e Kosovo online, e ka përjetuar mbi 50 për qind e popullsisë femërore në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa pavarësisht programeve për ngritjen e vetëdijes, stigma dhe dënimet shoqërore vazhdojnë të jenë të shpeshta. Mosreagimi, mungesa e besimit në institucione, si dhe ligjet joadekuate, shtojnë ato, janë pengesat thelbësore për arritjen e drejtësisë dhe ndëshkimin e autorëve.

Shkruan: Jellena Novakov

Në rast të raportimit dhe paraqitjes së padisë, gratë në Ballkanin Perëndimor përballen me përkufizime të paqarta dhe konfuze të përdhunimit, si dhe me ligje joadekuate. Sipas ligjit serb, përdhunimi brenda martesës nuk është kategori e veçantë dhe as nuk njihet jashtë kornizës së përdorimit të forcës fizike dhe kërcënimeve. Vitin e kaluar, propozimi për futjen e një vepre të re penale, marrëdhënie seksuale pa pëlqim ngjalli shqetësim te aktivistet, sepse u prezantua si “formë më e lehtë e përdhunimit”.

As në Kosovë përdhunimi martesor nuk mund të ndiqet penalisht si vepër e veçantë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut kjo është e mundur, por vetëm brenda kornizës së përdorimit të forcës fizike dhe kërcënimeve.

Gratë më të moshuara përballen më shpesh me këtë lloj dhune seksuale, theksojnë bashkëbisedueset e Kosovo online, ndërsa gratë më të reja janë më shpesh të ekspozuara ndaj dhunës nga burra në pozita autoriteti, përfshirë edhe brenda sistemit arsimor. Vajzat përjetojnë më së shumti abuzim nga bashkëmoshatarët e tyre. Njëkohësisht, faktorët e rrezikut për dhunë seksuale janë më të lartë te gratë që janë pjesë e komunitetit LGBTQ+ dhe komuniteteve pakicë, si dhe te gratë ekonomikisht të rrezikuara dhe ato që më parë kanë qenë të ekspozuara ndaj abuzimit.

Në të gjithë Ballkanin Perëndimor janë regjistruar dhjetëra grupe në Telegram me disa qindra mijëra anëtarë, të cilët kanë shpërndarë përmbajtje të pornografisë hakmarrëse, përfshirë vajza të mitura, adoleshente, partneret e tyre emocionale, nëna dhe motra. Megjithatë, në ligjet e shumicës së vendeve të rajonit, nocioni i pornografisë hakmarrëse nuk është i përkufizuar, ndërsa shpërndarja e përmbajtjes intime, brenda kategorisë ekzistuese ligjore për fotografim dhe incizim të paautorizuar, rrallëherë ndiqet penalisht.

Besimi në institucione në rajon është jashtëzakonisht i ulët, ndërsa zyrtarët policorë shpesh kanë qasje të papërshtatshme ndaj viktimave, gjë që rezulton në viktimizim dytësor dhe në një dallim të madh midis numrit të rasteve të raportuara dhe atyre të proceduara. Në disa raste, theksojnë bashkëbisedueset, policia dhe prokuroria i dekurajojnë në mënyrë aktive viktimat nga paraqitja e kallëzimit, nën kërcënimin e kundërpadisë për gjoja raportim të rremë të përdhunimit.

Përveç ligjeve dhe sjelljes së përfaqësuesve të institucioneve kompetente, aktivistet theksojnë se është e nevojshme të ndryshohet dhe të rritet edhe vetëdija shoqërore dhe edukimi mbi atë se çfarë përfshihet në dhunën seksuale dhe kush paraqet rrezikun më të madh për viktimat potenciale. Edhe pse në opinionin publik mbizotëron mendimi se autorët e krimeve seksuale janë kryesisht burra të panjohur, statistikat tregojnë se në të vërtetë bëhet fjalë për anëtarë të familjes, partnerë dhe burra të tjerë nga rrethi i afërt i viktimave.

Pritshmëritë shoqërore, relativizimi i ngacmimit dhe rolet gjinore gjithashtu kontribuojnë në një numër më të vogël të rasteve të raportuara, por në një stigmatizim dhe dënim më të madh të grave që kanë mbijetuar dhunën.

Përkufizimet ligjore nuk pasqyrojnë realitetin

Në Serbi, raportohen rreth 100 raste përdhunimi çdo vit, thotë Sanja Pavloviq nga Qendra Autonome e Grave, por ajo sqaron se këto janë vetëm raste në të cilat është nisur një hetim dhe se numri i përgjithshëm i raporteve që u refuzuan menjëherë nuk dihet.

“Kur flasim për dhunën seksuale në Serbi, konkretisht për veprën penale të përdhunimit, ajo që mund të themi është se statistikat janë mjaft të trishtueshme, dëshpëruese, madje edhe të turpshme, sepse kemi më pak se 100 kallëzime në vit, dhe ky numër më shumë se përgjysmohet kur bëhet fjalë për aktgjykime. Shohim se ekziston, në njëfarë mënyre, një mosbesim i ndërsjellë. Nga njëra anë, gratë nuk u besojnë institucioneve. Nga ana tjetër, institucionet janë ato që nuk u besojnë grave. Prandaj, përgjegjësia është mbi to që të ndërmarrin hapa në mënyrë që gratë t’u drejtohen më shumë dhe të kenë më shumë besim tek ato”, tha Pavloviq për Kosovo online.

Burrat që i njohin viktimat janë më së shpeshti edhe kryerësit e dhunës, dhe Pavloviq thekson se kjo mund të jetë kushdo, përfshirë edhe partnerët bashkëshortorë, duke shtuar se për problemin e përdhunimit në martesë nuk flitet mjaftueshëm.

“Kur bëhet fjalë për kryerësit e dhunës seksuale, e dimë se ata janë kryesisht burra dhe zakonisht ata që e njohin viktimën, dikush që është i afërt me të nga rrethi i saj, qoftë anëtarë të familjes, persona nga sistemi arsimor apo shëndetësor, apo nga aktivitetet jashtëshkollore kur bëhet fjalë për gratë e reja. Kemi pasur raste të mësuesve të aktrimit dhe instruktorëve të kalërimit. Pra, burra të ndryshëm që kanë qasje te viktimat, sidomos kur bëhet fjalë për gratë e reja. Kur bëhet fjalë për gratë më të rritura, shpesh janë partnerët e tyre bashkëshortorë. Përdhunimi në martesë ende është një temë tabu për të cilën nuk flitet mjaftueshëm”, tha ajo.

Ajo thekson se është e nevojshme ndryshimi ligjor i përkufizimit të përdhunimit, pasi ai aktual është i vjetruar dhe përfshin ekskluzivisht përdorimin e forcës dhe kërcënimit.

“Ndryshimet janë të nevojshme në disa nivele. Nga njëra anë, janë të rëndësishme ndryshimet institucionale, veçanërisht sa i përket përkufizimit të përdhunimit në Kodin Penal, i cili ende është i vjetruar dhe nënkupton përdorimin e forcës dhe kërcënimit, ndonëse e dimë se viktimat në situata të dhunës seksuale më së shpeshti reagojnë me një lloj ‘ngrirjeje’ apo paralize. Ato nuk janë në gjendje të ofrojnë rezistencë, ndërsa pikërisht këto dëshmi të rezistencës janë ato që institucionet ua kërkojnë të dëshmojnë”, tha Pavloviq.


Veçanërisht e rëndësishme, thekson ajo, është besimi në institucione, sepse, sipas saj, viktimat shpesh përballen me mosbesim dhe dekurajim.

“Besimi në institucione është shumë i rëndësishëm. Është e rëndësishme që askush në institucione, qoftë në polici apo në prokurori, të mos i dekurajojë gratë që të raportojnë rastet. Kemi raste kur kjo ndodh, kur grave u thuhet: ‘Mos raportoni, nuk keni prova, në fund do t’ju padisim ne për kallëzim të rremë’. Gratë hasin njerëz të ndryshëm brenda sistemit, të cilët i dekurajojnë dhe nuk u besojnë”, tha Pavloviq.

Autorët e krimit shpesh njihen nga viktimat

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës thotë se kryerësit e dhunës seksuale më së shpeshti janë burra të njohur për viktimat dhe se mbi 70 për qind e rasteve të raportuara të këtij lloji dhune janë kryer ndaj vajzave të mitura.

Berisha theksoi se dhunën seksuale ndaj vajzave të mitura e kryejnë bashkëmoshatarët e tyre, por edhe burra të rritur, duke shtuar se viktimat shpesh vijnë nga familje dhe komunitete të margjinalizuara.

Për të përmbushur obligimet kushtetuese, është e rëndësishme që Kosova të fokusohet në zhvillimin e qendrave të krizës për viktimat e dhunimit, tha Berisha, duke përmendur progresin sa i përket njohjes dhe ndihmës për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

“Meqenëse Konventa e Stambollit është pjesë e Kushtetutës së Kosovës, është e domosdoshme që të gjitha shërbimet e përmendura në të të jenë plotësisht të qasshme për viktimat e dhunës. Aktualisht, prioritet duhet t’i jepet zhvillimit të qendrave të krizës për dhunim dhe qendrave për dhunë seksuale, gjë që do ta ndihmojë Kosovën të përmbushë obligimet e saj sipas Konventës. Sa i përket dhunës seksuale gjatë luftës mes Kosovës dhe Serbisë, vendi ka shënuar përparim përmes njohjes formale të viktimave, sigurimit të pensioneve dhe garantimit që organizatat e specializuara të grave të shoqërisë civile të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje emocionale dhe juridike”, thotë Berisha.

Sipas saj, fajësimi i viktimave dhe stigma çojnë në viktimizim të përsëritur dhe cenim të të drejtave dhe dinjitetit të tyre. Nevojitet, thotë Berisha, angazhim më i madh i komunitetit për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të krijuar hapësirë të sigurt për gratë.

“Duhet të luftojmë stigmën, fajësimin e viktimave dhe normat e dëmshme gjinore. Fushatat për ndërgjegjësim publik, edukimi në shkolla për pëlqimin dhe barazinë gjinore, si dhe mbështetja e dukshme për viktimat, mund të ndihmojnë në ndryshimin e perceptimeve dhe të inkurajojnë raportimin. Angazhimi i burrave dhe djemve, liderëve të komunitetit dhe mediave në promovimin e narrativave që respektojnë viktimat është gjithashtu thelbësor për krijimin e një mjedisi ku gratë ndihen më të sigurta për të folur. Vetëm kur institucionet reagojnë profesionalisht dhe shoqëria është mbështetëse, viktimat mund të jenë të sigurta se raportimi do të sjellë mbrojtje, drejtësi dhe dinjitet, e jo turp ose traumatizim të përsëritur”, tho Berisha për Kosovo online.

Ajo shton se, kur bëhet fjalë për komunitetet pakicë në Kosovë, gratë serbe më shpesh e njohin dhe e raportojnë dhunën te institucionet kompetente., ndërsa situata është e kundërt me gratë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

Numër i vogël i raportimeve

Menaxherja e programeve në OJQ-në Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike (ACDC) nga Mitrovica e Veriut, Ines Aloviq Mihajlloviq, tha se madje 54 për qind e grave në Kosovë janë përballur me dhunë ose ngacmim seksual, por se numri i rasteve të raportuara është shumë më i vogël për shkak të mungesës së madhe të besimit në institucione. Ajo thekson, megjithatë, se numri i incidenteve në veri të Kosovës është ulur që nga zbatimi i programeve të reja policore për mbrojtje dhe rikthimi i zyrtarëve serbë në institucione.

“Sigurisht që ende ka raste të tilla, por në një masë shumë më të vogël sesa më parë. Pra, më herët gratë nga veriu mendonin se këto ndodhnin në nivel incidentesh të izoluara, e më pas u mblodhën së bashku dhe përmes bisedave të ndërsjella kuptuan se ekzistonte një trend i caktuar i rritjes së këtyre rasteve. Në një moment, ato vërtet ishin tepër të shumta. Ne në mënyrë joformale kemi të dokumentuara mbi 150 histori të ndryshme të grave që kanë përjetuar ndonjë formë ngacmimi seksual. Duhet të them se disa gra kanë përjetuar edhe kontakt të drejtpërdrejtë fizik me kryerësit”, tha ajo për Kosovo online.


Duke folur për përvojat e grave nga komunat me shumicë serbe, Aloviq-Mihajlloviq thotë se gratë në jug të Ibrit janë përballur me ngacmim seksual për një kohë të gjatë, ndërsa këto incidente për gratë në veri janë shtuar pas braktisjes së institucioneve në vitin 2022.

“Dy, dy e gjysmë vitet e fundit, që kur gratë kanë dalë më intensivisht në publik dhe kanë ndarë historitë e tyre, kemi pasur hapësirë që t’i shkëmbejmë përvojat mes nesh – fatkeqësisht të këqija në këtë rast – por kemi pasur mundësi për ndërveprim të ndërsjellë. Në përputhje me këtë, duhet të them se gratë në komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit e kanë këtë problem prej shumë më gjatë; ky problem ka filluar të shfaqet në ato komuna shumë më herët. Tingëllon ashpër, por ato janë mësuar të luftojnë me këtë problem në mënyrën që dinë. Për ne në veri kjo ishte diçka e pazakontë, pasi nuk kishim përvoja të tilla. Besoj se kjo lidhet me faktin që në institucione kryesisht punonin zyrtarë nga komunitetet jo-shumicë. Si rrjedhojë, nuk kishim shumë ndërveprime me pjesëtarë të komunitetit shumicë deri në vitin 2022, kur zyrtarët tanë i braktisën institucionet. Kjo ka një ndikim të caktuar në këtë problematikë”, tha ajo.

Mosbesimi ndaj policies

Në veri të Kosovës, thotë Aloviq Mihajlloviq, mes grave ekziston një mosbesim i theksuar ndaj policisë, nga e cila viktimat shpesh përjetojnë viktimizim dytësor. Ajo thekson gjithashtu se viktimizimi dytësor nuk është problem vetëm në Kosovë, por në gjithë Ballkanin.

“Një tjetër problem i madh për gratë në veri është mosbesimi ndaj institucioneve, veçanërisht ndaj policisë. Nëse personi që në atë moment duhet të jetë dikush tek i cili mund të mbështeteni, kur vendosni të raportoni një formë ngacmimi apo dhune me bazë gjinore, nuk ju ofron siguri të mjaftueshme, sigurisht që nuk do të guxoni ta raportoni një gjë të tillë, për të mos përjetuar viktimizim dytësor. Ky është një problem, besoj, shumë i madh në gjithë Ballkanin, jo vetëm në Kosovë”, tha ajo.

Sipas saj, gratë në Ballkan jetojnë në një sistem patriarkal dhe përballen me barriera të shumta që ai sjell, ndërsa dhunën nuk e raportojnë, veçanërisht kur bëhet fjalë për dhunë seksuale.

“Besoj se situata është e njëjtë në gjithë rajonin. Hulumtimi ynë ka treguar se madje 54 për qind e grave (në Kosovë) kanë përjetuar ndonjë formë ngacmimi, ndërsa një përqindje shumë më e vogël, rreth 14 për qind, e kanë raportuar problemin. Kjo na tregon qartë se ne të gjithë, në Ballkan në përgjithësi, e kam fjalën për grate, jetojmë në një shoqëri patriarkale, kemi shumë barriera, shumë kufizime dhe çfarëdo problemi që të kemi, veçanërisht nëse është i kësaj natyre, vendosim ta mbajmë brenda rrethit të familjes, miqve, të njohurve dhe shumë rrallë guxojmë të flasim për të publikisht”, shpjegoi Aloviq Mihajlloviq.

Rolet gjinore dhe dhuna seksuale

Ana Avramovska Nushkova, koordinatorja e projektit në Zyrën Ekzekutive të Rrjetit Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje në Maqedoninë e Veriut, deklaroi se çdo e treta grua dhe vajzë në këtë vend ka përjetuar ndonjë formë ngacmimi ose dhune seksuale, ndërsa një numër dukshëm më i vogël i rasteve raportohet. Arsyeja për këtë, thotë ajo, është presioni i mjedisit dhe mungesa e edukimit mbi faktin se kryerësit e dhunës seksuale mund të jenë – dhe shpesh janë – anëtarë të familjes dhe partnerë intimë, si edhe mungesa e besimit në institucione.

Avramovska Nushkova thekson se sistemi patriarkal dhe rolet gjinore u imponojnë grave idenë e gabuar se ato janë të detyruara të hyjnë në marrëdhënie seksuale me partnerin, çka bën që viktimat të mos e njohin dhunën seksuale si të tillë.

“Ajo që është shumë e rëndësishme kur flasim për dhunën seksuale është se ajo më së shpeshti raportohet kur kryerësi është i panjohur. Gratë shumë vështirë e njohin dhunën ose madje i qasen raportimit të saj nëse ajo vjen nga partneri intim, i dashuri, bashkëshorti, partneri jashtëmartesor dhe kështu me radhë. Nga njëra anë, njohja e dhunës është një problem i madh, sepse jetojmë në një shoqëri ku ende ekzistojnë norma patriarkale dhe stereotipe gjinore, ku gruas i imponohen role të caktuara gjinore dhe ku mendohet se kjo duhet të jetë detyrimi i saj nëse ai është i dashuri apo bashkëshorti. Kjo ka të bëjë me pjesën e njohjes së dhunës. Ndërsa sa i përket raportimit, është shumë e vështirë për shkak të presionit të mjedisit, mundësisë së mungesës së mbështetjes nga familja, shtëpisë së përbashkët ku jetojnë, dhe pyetjes se çfarë ndodh kur ajo raporton se është sulmuar apo përdhunuar seksualisht. Kështu që problemi është shumë kompleks, veçanërisht kur bëhet fjalë për dhunën seksuale”, tha ajo për Kosovo online.

Pas ratifikimit të Konventës së Stambollit, ligji ka njohur edhe forma të tjera të dhunës, përfshirë dhunën psikologjike dhe ekonomike, si dhe janë futur masa të reja që ndëshkojnë ndjekjen fizike dhe digjitale. Avramovska Nushkova theksoi se, pavarësisht dukshmërisë ligjore, sipas një hulumtimi të OSBE-së, raportimet e dhunës mbeten në nivelin dy deri në tre për qind.

Ky studim, thotë Avramovska Nushkova, gjithashtu tregon se çdo e treta grua dhe vajzë mbi moshën 15 vjeç ka përjetuar ngacmim seksual, duke shtuar se relativizimi i këtij problemi kontribuon në këtë situatë.

“Ekziston një kulturë e dhunës, ne i relativizojmë gjërat dhe themi, e dini, nëse dikush ju ngacmon, ju fishkëllen kur kaloni, ju thotë se jeni e bukur… Gjërat paraqiten në një kontekst shumë të gabuar dhe kjo lloj dhune normalizohet ose relativizohet. Ndërkohë që ajo është shumë e përhapur, veçanërisht në hapësirën publike. Ekziston një studim shumë i mirë i Reaktor-it i realizuar për hapësirën publike në Shkup dhe Tetovë, si dhe në autobusët urbanë, mbi atë se sa e përhapur është kjo formë dhune dhe sa pak raportohet. Pra, ne duhet të punojmë vërtet për ndërgjegjësimin, fillimisht me më të rinjtë, në shkolla, madje mund të thuhet edhe në çerdhe, duke siguruar mjete të mjaftueshme financiare. Me institucione të forta, njerëz shumë profesionalë që e dinë punën e tyre dhe do të dinë si të veprojnë, si dhe me shërbime funksionale si qendrat, linjat SOS për ndihmë dhe qendrat këshilluese”, tha ajo.


E pyetur nëse gratë në Maqedoninë e Veriut kanë besim te institucionet, ajo thekson se besimi është në një nivel jashtëzakonisht të ulët dhe se është thelbësore që policia të ketë një qasje të ndjeshme ndaj viktimave.

“Besimi është shumë i ulët dhe të gjithë duhet vërtet të punojnë për këtë, sepse është shumë i rëndësishëm. Zakonisht problemet më të mëdha ndodhin gjatë fundjavave ose, siç e patëm gjatë Covid-it, gjatë ditëve të karantinës, kur shumica e njerëzve ishin të mbyllur. Atëherë viktima e dhunës nuk ka kë të telefonojë të shtunën në mbrëmje, përveç policisë. Është shumë e rëndësishme se si do të reagojë ajo linjë e parë, si do të pranohet raportimi, si do të bëhet vlerësimi i rrezikut, nëse polici në uniformë është mjaftueshëm i sensibilizuar dhe i informuar se çfarë duhet të bëjë dhe si duhet ta bëjë, nëse do të thërrasë inspektorin, nëse do të bashkëpunojë me qendrat për punë sociale dhe do të veprojë në mënyrë të përbashkët multisektoriale për të hartuar një plan të përbashkët sigurie”, përfundoi Avramovska Nushkova.

Viktimat që dëshirojnë të raportojnë dhunën mund t’u drejtohen organizatave për ndihmë përmes njërit prej numrave SOS në vijim:

Serbi: Qendra Autonome e Grave 0800 100 007

Kosovë: Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë për Viktimat 0800 111 12

Maqedonia e Veriut: Linja Kombëtare e Ndihmës për Gratë 15315