Tre muaj pa përgjigje të Gjykatës Kushtetuese ndaj ankesës së Listës Serbe: Reprizë në parlament, ndoshta edhe krizë?
Gjykata Kushtetuese e Kosovës për tre muaj nuk e ka zgjidhur dilemën nëse ka pasur shkelje të rregullave gjatë zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb në legjislaturën e kaluar, ndërkohë që po afrohet konstituimi i përbërjes së re. Në bankat e Kuvendit do të shohim një reprizë të ngjarjeve të tetorit nëse vendimi nuk vjen së shpejti, pajtohen bashkëbiseduesit e Kosovo onlajn, por ata kanë qëndrime të ndryshme për atë që do të pasojë nëse gjykata vendos se ka pasur parregullsi. Disa shprehin frikën se kjo do të jetë hyrje në një krizë të re institucionale, ndërsa sipas të tjerëve gjithçka do të përfundojë me përsëritjen e procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit serb.
Shkruan: Dushica Radeka Gjorgjeviq
Për nënkryetar të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb, më 10 tetor u zgjodh Nenad Rashiq, lider i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, pasi asnjë nga deputetët e Listës Serbe, e cila kishte nëntë deputetë, nuk mori numrin e mjaftueshëm të votave.
Rashiqi nuk u propozua nga deputetët serbë dhe këtë Lista Serbe e konsideron në kundërshtim me rregullat, për çka më 16 tetor paraqiti ankesë në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, kandidatin për zëvendëskryetar të Kuvendit nga komuniteti serb e propozon shumica e deputetëve të komunitetit serb, që do të thotë se ai duhet të ketë mbështetjen e të paktën gjashtë deputetëve serbë.
Rregullorja gjithashtu parasheh që, në rast se kandidati nuk propozohet, propozimi i kandidatit të përcaktohet me short, në prani të deputetëve të komuniteteve përkatëse.
Disa juristë në Kosovë konsiderojnë se është e rëndësishme që Gjykata Kushtetuese t’i sqarojë sa më shpejt dilemat në këtë rast.
Njëri prej tyre është avokati Ardian Bajraktari, i cili vlerëson se vendimi duhet të merret para fillimit të procedurave për konstituimin e Kuvendit të ri, në mënyrë që të shmangen paqartësitë e mundshme dhe bllokimi eventual i formimit të tij.
Duke folur për këtë çështje, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, shprehu qëndrimin se nënkryetari serb duhet të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që kanë vende të garantuara për komunitetin serb dhe se Nenad Rashiq e përfaqëson komunitetin serb, por jo shumicën e deputetëve serbë në Kuvend.
“Ai (Rashiq) mund të jetë njeri i mirë dhe patriot kosovar, i arsyeshëm e të ngjashme, por këto cilësi vlejnë kur dikush kërkohet për dhëndër, e jo për përfaqësues të një komuniteti kosovar. Përfaqësimi përcaktohet me votë dhe në bazë të Kushtetutës dhe ligjit”, tha Hasani.
“Nuk ka pushuar nevoja që gjykata t’i përgjigjet ankesës”
Politologu Ognjen Gogiq vlerëson se marrja e vendimit nga Gjykata Kushtetuese po zgjat në mënyrë të paarsyeshme.
“Nuk ka aktgjykim tash e më shumë se tre muaj. Gjykata Kushtetuese vitin e kaluar është shprehur madje tri herë lidhur me krizën e konstituimit të Kuvendit dhe të gjitha ato çështje kanë qenë edhe më të ndërlikuara për shqyrtim, megjithatë i është dashur më pak kohë për t’u përgjigjur”, tregon ai.
Ai është i mendimit se, në interes të efikasitetit të konstituimit të institucioneve të reja në Kosovë, si dhe të legalitetit të tyre, është e nevojshme që Gjykata Kushtetuese të prononcohet sa më shpejt lidhur me ankesën e Listës Serbe. Fakti që janë mbajtur zgjedhjet dhe që po konstituohet Kuvendi i ri, siç thotë për Kosovo onlajn, nuk e ka zhdukur nevojën dhe detyrimin e Gjykatës Kushtetuese për t’iu përgjigjur asaj ankese.
Sipas Gogiqit, në aktgjykimin për këtë çështje, Gjykata në thelb duhet të mbështetet në shqyrtimet e saj të mëparshme, pasi tashmë është marrë me temën e zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb, kur i është përgjigjur ankesës së parë të Listës Serbe gjatë formimit të legjislaturës së kaluar të Kuvendit.
“Për këtë arsye është edhe më e çuditshme që i duhet kaq shumë kohë, ndërkohë që në asnjë mënyrë nuk është prononcuar për të treguar se kur mund të pritet aktgjykimi, dhe as nuk ka vendosur ndonjë masë të përkohshme”, thotë Gogiq
Në teori, siç thekson ai, Gjykata mund ta pranojë ankesën e Listës Serbe, dhe atëherë, po në teori, legjislatura e kaluar e Kuvendit nuk do të kishte qenë kurrë e konstituuar, as nuk do të kishte mundur të shpërndahej.
“Gjykata mund të thotë se edhe këto zgjedhje që janë mbajtur në fakt kanë qenë të parregullta, se nuk kanë mundur të mbahen dhe se gjithçka është e pavlefshme. Kjo do të sillte një krizë kushtetuese-juridike të jashtëzakonshme në të cilën do të gjendej Kosova, prandaj është krejtësisht e pakuptueshme që Gjykata Kushtetuese nuk ka pasur parasysh kontekstin në të cilin po zhvillohet e gjithë kjo”, vlerëson bashkëbiseduesi ynë.
Nëse konstituimi i legjislaturës së re të Kuvendit pas zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor do të fillonte pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese, Gogiq beson se Rashiqi do të zgjidhej sërish për nënkryetar të Kuvendit, sepse këtë herë është më e thjeshtë, pasi Albin Kurti mund të formojë shumicë edhe pa marrëveshje me partitë e tjera shqiptare.
“Atëherë me gjasë do të përsëritet situata që Lista Serbe të paraqesë sërish ankesë.”, thotë ai.
Roli i masës së përkohshme të gjykatës
Sipas tij, nëse procesi i formimit të Qeverisë së re do të bllokohet në rast se përsëritet skenari nga legjislatura e kaluar dhe Lista Serbe paraqet sërish ankesë, varet nga fakti nëse Gjykata Kushtetuese do të vendosë masa të përkohshme. Ai rikujton se herën e kaluar, kur Lista Serbe u ankua, Gjykata Kushtetuese nuk shqiptoi masë të përkohshme dhe nuk i ndali afatet apo veprimet.
“Nëse do të kishte shqiptuar masë të përkohshme, atëherë Kuvendi nuk do të mund të funksiononte dhe, rrjedhimisht, nuk do të mund të zhvilloheshin procese të tilla si dhënia e mandatit për formimin e qeverisë. Prandaj, gjithçka varet nga fakti nëse Gjykata Kushtetuese këtë herë do të marrë një masë të përkohshme me të cilën do t’i ndalonte të gjitha proceset. Nëse nuk e merr një masë të tillë, atëherë gjithçka vazhdon, Qeveria mund të zgjidhet, por me rrezikun që e gjithë kjo më vonë të mund të shpallet e pavlefshme”, shpjegon Gogiq.
Çështja e zgjedhjes së zëvendëskryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, pa mbështetjen e shumicës së deputetëve të atij komuniteti, paraqet një problem të rëndësishëm të interpretimit kushtetues, vlerëson profesori universitar Kolë Krasniqi.
Megjithatë, ai i ka thënë për Kosovo onlajn se nuk pritet që vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje të merret para fillimit të procesit të konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve të dhjetorit.
Gjykata Kushtetuese, shpjegon Krasniqi, nuk është e lidhur me afate të detyrueshme kushtetuese për marrjen e vendimeve dhe, në praktikën e saj, tregohet veçanërisht e kujdesshme në zgjidhjen e çështjeve me ndjeshmëri të lartë politike.
“Në raste të tilla, ajo shpesh ushtron kompetencën e saj për marrjen e vendimeve pasi proceset politike kanë filluar, për të shmangur perceptimin e ndërhyrjes së drejtpërdrejtë në jetën politike. Bazuar në analizën e zhvillimeve politike, skenari më i mundshëm mbetet që Kuvendi i Kosovës të konstituohet pa pritur vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”, vlerëson ky profesor.
Vullneti real politik i komunitetit
Siç tregon, nga këndvështrimi normativ, Kushtetuta e Kosovës garanton përfaqësimin e komuniteteve joshumicë në strukturat udhëheqëse të Kuvendit të Kosovës, por nuk përmban një dispozitë eksplicite që kërkon që kandidati për këto pozita të propozohet apo të mbështetet nga shumica e deputetëve të komunitetit përkatës.
“Në këtë kuptim, një interpretim strikt i dispozitave kushtetuese vështirë se mund të çojë në një vendim sipas të cilit zgjedhja e zëvendëskryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb duhet domosdoshmërisht të bëhet mbi bazën e propozimit dhe mbështetjes së shumicës së deputetëve të atij komuniteti. Megjithatë, nëse interpretimi kushtetues nuk kufizohet vetëm në leximin formal të dispozitave, por udhëhiqet edhe nga standardet evropiane për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, atëherë mund të arrihet në përfundimin se përfaqësimi kushtetues i komuniteteve joshumicë duhet të pasqyrojë vullnetin real politik të komunitetit, e jo vetëm identitetin individual etnik të kandidatit të zgjedhur”, thekson bashkëbiseduesi ynë.
Nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk merret para fillimit të konstituimit të Kuvendit, ai beson se ekziston rreziku që të përsëritet situata nga legjislatura e kaluar.
Në mungesë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, sipas tij, Kuvendi i Kosovës mund të vazhdojë me të njëjtën praktikë procedurale për zgjedhjen e zëvendëskryetarit nga radhët e komunitetit serb dhe, në një skenar të tillë, Lista Serbe, thotë ai, ka gjasa që sërish ta kontestojë legjitimitetin e këtij procesi duke paraqitur ankesa të reja në Gjykatën Kushtetuese.
“Një situatë e tillë mund të prodhojë pasoja të padëshiruara, përfshirë bllokada politike, tensione institucionale dhe vonesa të mëtejshme në funksionimin e Kuvendit dhe institucioneve të tjera shtetërore. Rrjedhimisht, në mungesë të një sqarimi përfundimtar kushtetues, pasiguria juridike dhe politike jo vetëm që vazhdon, por edhe thellohet, duke shkelur parimin e stabilitetit institucional dhe sigurisë juridike, si elemente themelore të rendit juridik, kushtetues dhe demokratik të Kosovës”, paralajmëron Krasniqi.
Menaxherja programore e OJQ-së “Nisma e Re Shoqërore”, Millica Andriq Rakiq, vlerëson se përbërja e re e Kuvendit të Kosovës mund të konstituohet edhe para vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa më pas, pas shpalljes së aktgjykimit, mund të korrigjohen në mënyrë retroaktive disa procedura, nëse konstatohet se ato nuk kanë qenë të rregullta.
Duke pasur parasysh se vendimi i gjykatës po pritet prej kohësh, sipas Andriq Rakiq është e mundur që ai të merret para fillimit të konstituimit të përbërjes së re të Kuvendit, por edhe nëse kjo nuk ndodh, ajo beson se procesi i konstituimit të parlamentit do të vazhdojë.
“Nëse, për shembull, konstituimi i Kuvendit zhvillohet njësoj si në legjislaturën e kaluar, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit për nënkryetar përmes shortit, dhe më pas arrin vendimi i Gjykatës Kushtetuese që thotë se ky nuk ka qenë një mënyrë e rregullt zgjedhjeje, besoj se thjesht do të përsëritet procedura e zgjedhjes së nënkryetarit”, tha ajo për Kosovo online.
Duke pasur parasysh përvojën e vitit të kaluar, kur legjislatura e mëparshme e Kuvendit u konstituua dhe Gjykata Kushtetuese nuk nxori masë të përkohshme, ajo supozon se edhe tani konstituimi do të ndodhë në një mënyrë të ngjashme.
“Herën e kaluar, një pjesë e madhe e ngatërresave juridike lidhur me konstituimin e Kuvendit u krijuan qëllimisht për të shtyrë zgjedhjet deri në momentin më të favorshëm për Vetëvendosjen. Tani ata do ta kryejnë shpejt këtë zgjedhje, përveç nëse për ndonjë arsye kanë interes që ta vonojnë sërish këtë proces. Momenti i shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk ndikon në asnjë mënyrë në procesin e konstituimit, sepse Kuvendi mund të konstituohet edhe para vendimit, ndërsa më pas disa procedura mund të korrigjohen potencialisht pas shpalljes së tij”, beson Andriq Rakiq.
Nëse gjykata do të kishte menduar se kishte disa shkelje serioze të rregulloreve, siç tregohet, do të kishte lëshuar një masë të përkohshme vitin e kaluar dhe do të kishte ndaluar vendimet e Kuvendit deri në marrjen e vendimit përfundimtar, por nuk e bëri këtë.
Gjykata, siç thekson ajo, duhet të sqarojë procedurën e shortit.
“Pyetja është nëse gjykata konsideron se nëse Lista Serbe propozoi nëntë përfaqësuesit e saj dhe të gjithë u votuan tre herë dhe secili prej tyre u refuzua nga shumica e deputetëve, dhe nuk dëshiron të propozojë një kandidat të dhjetë, në këtë rast Nenad Rashiqin, kjo përbën një refuzim të kandidaturës dhe nëse në atë rast është e mundur të kalohet në short? Nëse gjykata vlerëson se në atë rast mund të kalohet në short dhe përmes procedurës së shortit të arrihet te kandidati i dhjetë, të cilin më pas e zgjedh shumica e deputetëve, atëherë nga ana procedurale, sipas gjykatës, nuk ka problem. Pra, kjo është e vetmja gjë që tani mund të presim si një përcaktim shtesë të procedurave se si zgjidhet nënkryetari”, thotë Andriq Rakiq.
Vendim i shpejtë në interes të Vetëvendosjes?
I pyetur nëse do të ishte në interes të Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit që Gjykata të shprehej sa më shpejt, pavarësisht se çfarë do të ishte vendimi, Gogiq thotë se supozon që Kurtit do t’i interesonte që Gjykata Kushtetuese të ishte më efikase në marrjen e vendimeve, veçanërisht lidhur me këtë çështje, sepse kështu do të hiqej pengesa për formimin sa më të shpejtë të qeverisë.
“Por, mendoj se këtu Kurti nuk ka ndikim mbi Gjykatën Kushtetuese. Ai nuk është arsyeja pse Gjykata Kushtetuese është joefikase në shqyrtimin dhe marrjen e këtij vendimi. Këtu ka disa arsye të brendshme të Gjykatës Kushtetuese dhe nuk e dimë saktësisht se për çfarë bëhet fjalë, por nuk mendoj se presioni politik është arsyeja pse ende nuk ka një vendim”, thotë ai.
Krasniqi vlerëson gjithashtu se, nga një perspektivë racionale dhe institucionale, është në interes të Lëvizjes Vetëvendosje që gjykata të marrë sa më shpejt një vendim mbi bazën e ankesës së Listës Serbe.
“Një vendim i shpejtë dhe përfundimtar do të shmangte vonesat procedurale, do ta lehtësonte procesin e konstituimit të institucioneve dhe do të krijonte kushte për formimin e shpejtë të qeverisë nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje”, thotë Krasniqi.
0 komentet