Krasniqi: Mungesa e sqarimit kushtetues për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb do ta thellojë pasigurinë politike

Kolje Krasnići
Burim: Facebook/printscreen

Çështja e zgjedhjes së zëvendëskryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, pa mbështetjen e shumicës së deputetëve të atij komuniteti, paraqet një problem të rëndësishëm të interpretimit kushtetues, thotë për Kosovo online profesori universitar Kolë Krasniqi, duke shtuar se nuk pritet që Gjykata Kushtetuese të marrë vendim për këtë çështje para fillimit të procesit të konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve të dhjetorit.

Ankesën në Gjykatën Kushtetuese lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb në legjislaturën e kaluar, Lista Serbe e ka paraqitur që më 16 tetor, ndërsa Krasniqi thekson se Gjykata Kushtetuese nuk është e lidhur me afate kushtetuese të detyrueshme për marrjen e vendimeve dhe se, në praktikën e saj, ajo është veçanërisht e kujdesshme në zgjidhjen e çështjeve me ndjeshmëri të lartë politike.

“Në raste të tilla, ajo shpesh e ushtron kompetencën e saj për të marrë vendime pasi proceset politike kanë filluar, me qëllim që të shmanget perceptimi i ndërhyrjes së drejtpërdrejtë në jetën politike. Bazuar në analizën e zhvillimeve politike, skenari më i mundshëm mbetet që Kuvendi i Kosovës të konstituohet pa pritur vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”, është i mendimit Krasniqi.

Ai thekson se, nga këndvështrimi normativ, Kushtetuta e Kosovës garanton përfaqësimin e komuniteteve joshumicë në strukturat udhëheqëse të Kuvendit të Kosovës, por nuk përmban një dispozitë eksplicite që kërkon që kandidati për këto pozita të propozohet apo të mbështetet nga shumica e deputetëve të komunitetit përkatës.

“Në këtë kuptim, një interpretim strikt i dispozitave kushtetuese vështirë se mund të çojë në një vendim sipas të cilit zgjedhja e zëvendëskryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb duhet domosdoshmërisht të bëhet mbi bazën e propozimit dhe mbështetjes së shumicës së deputetëve të atij komuniteti. Megjithatë, nëse interpretimi kushtetues nuk kufizohet vetëm në leximin formal të dispozitave, por udhëhiqet edhe nga standardet evropiane për mbrojtjen e të drejtave të pakicave, atëherë mund të arrihet në përfundimin se përfaqësimi kushtetues i komuniteteve joshumicë duhet të pasqyrojë vullnetin real politik të komunitetit, e jo vetëm identitetin individual etnik të kandidatit të zgjedhur”, thekson bashkëbiseduesi ynë.

Nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk merret para fillimit të konstituimit të Kuvendit, ai beson se ekziston rreziku që të përsëritet situata nga legjislatura e kaluar.

Në mungesë të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, sipas tij, Kuvendi i Kosovës mund të vazhdojë me të njëjtën praktikë procedurale për zgjedhjen e zëvendëskryetarit nga radhët e komunitetit serb dhe, në një skenar të tillë, Lista Serbe, thotë ai, ka gjasa që sërish ta kontestojë legjitimitetin e këtij procesi duke paraqitur ankesa të reja në Gjykatën Kushtetuese.

“Një situatë e tillë mund të prodhojë pasoja të padëshiruara, përfshirë bllokada politike, tensione institucionale dhe vonesa të mëtejshme në funksionimin e Kuvendit dhe institucioneve të tjera shtetërore. Rrjedhimisht, në mungesë të një sqarimi përfundimtar kushtetues, pasiguria juridike dhe politike jo vetëm që vazhdon, por edhe thellohet, duke shkelur parimin e stabilitetit institucional dhe sigurisë juridike, si elemente themelore të rendit juridik, kushtetues dhe demokratik të Kosovës”, paralajmëron Krasniqi.

Ai vlerëson se, nga një perspektivë racionale dhe institucionale, është në interes të Lëvizjes Vetëvendosje që gjykata të marrë sa më shpejt një vendim mbi bazën e ankesës së Listës Serbe.

“Një vendim i shpejtë dhe përfundimtar do të shmangte vonesat procedurale, do ta lehtësonte procesin e konstituimit të institucioneve dhe do të krijonte kushte për formimin e shpejtë të qeverisë nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje”, vlerëson bashkëbideyesi ynë.