Staniq: Sërbia për katër vjet ka investuar 500 milionë euro në rajon
Ndihmës drejtori i Sektorit për Analiza Strategjike në Odën Ekonomike të Sërbisë Bojan Staniq, thotë për Kosovo onlajn se investimet në Sërbi tashmë prej disa vitesh rresht janë në nivele rekordi, por dhe që Sërbia është investitor i rëndësishëm në rajon në të cilën prej vitit 2019 e deri në vitin 2023, ka investuar gati 500 milionë euro.
“Kur flasim për investimet në Sërbi, ato prej disa vitesh rresht, janë në nivel rekordi dhe po ecin diku tek 4,5 miliardë euro investime të huaja direkte. Dhe ky është tregues i shkëlqyer duke patur parasysh se investimet janë një prej burimeve të rritjes së aktivitetit ekonomik në Sërbi pasi me këtë rast zgjerohet potenciali prodhues”, bën të ditur Staniq.
Ky i fundit sqaron se Unioni Europian si grup i 27 anëtarëve, është investitori më i madh në Sërbi, ndërsa individualisht në vitet e fundit investitor i rëndësishëm është Kina.
“Nëse shikohet periudha e gjatë kohore përgjatë 10 apo 15 viteve, atëherë pothuajse 60% e të gjitha investimeve që kanë ardhur në Sërbi janë nga BE. Nëse shikojmë më të spikaturat përveç Gjermanisë, Holandës, përmendet dhe Kina, ka investime të qënësishme dhe nga Shtetet e Bashkuara. Ndonëse në vitet e fundit kjo vlerë ka rënë, dhe Rusia ka patur investime të rëndësishme, e më pas Turqia e kështu me radhë” thotë bashkëbiseduesi ynë.
Përsa i përket rajonit, bën të ditur nuk ka investime domethënëse.
“Kemi investime nga Kroacia, nga Bosnjë-Hercegovina, nga Mali i Zi, por sigurisht këto janë në nivelin e modestisë. Hungaria gjithashtu ka investimet e veta…”, thotë ai.
Staniq sqaron se këto investime janë kryesisht në pasuri të paluajtshme dhe pak a shumë në industrinë e përpunimit.
“Kjo mund të jetë industria bujqësore dhe ajo e metalit, por fakti është që pronat e paluajtshme janë shumë atraktive, si dhe aktivitete të caktuara shërbimi sikurse dhe të teknologjisë së informacionit” bën të ditur Staniq.
Nga ana tjetër, Sërbia është investitor i rëndësishëm në rajon.
“Falë rritjes pozitive ekonomike gjatë viteve të fundit që është shpërthyes, pra gati 3%, Sërbia akumuloi fonde të caktuara dhe në përgjithësi në ekonomi, të investonte në vendet e rajonit. Nëse shikoni periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2023, kanë qenë gati 500 milionë euro investime të huaja direkte nga Sërbia në rajon dhe kryesisht kanë shkuar në Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë”, bën të ditur ndihmës drejtori i Sektorit të Analizës Strategjike në Odën Ekonomike të Sërbisë.
Ai bëri të ditur se dhe në vitin 2024 vijuan investime relativisht të rëndësishme në rajon.
“Të themi kur mer për shembull Malin e Zi, Sërbia gjatë viteve të fundit ka qenë investitori më i rëndësishëm. Nëse do të marrim periudhën e gjatë kohore, atëherë Sërbia është në vend të dytë pas Federatës Ruse, por që si pasojë e luftës në Ukrainë ajo listë e investitorëve më të rëndësishëm ndryshoi dhe tashmë është pikërisht Sërbia investitor i parë në Mal të Zi por dhe në B&H para Kroacisë” thotë Staniq.
Përsa i përket Malit të Zi, më shumë investohet tek pronat e paluajtshme dhe shërbime të caktuara financiare, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë, investohet në sektorin e energjitikës dhe tek aktivitete të caktuara shërbimi.
Pritet që dhe në vitin pasues përsa i përket rajonit, të vijojë rritja e aktiviteti ekonomik të Sërbisë.
“Sërbia vijon të jetë shtytësi i tregtisë ndër-rajonale, duke pasur parasysh, sikurse përmendëm, se është ekonomia më e rëndësishme. Megjithatë, shumë varet nga faktorë të jashtëm. Në rastin konkret dhe nga situata në Eurozonë. Aty motori i rritjes është ekonomia gjermane, e cila është dhe një nga partnerët më të mëdhenj të tregtisë së jashtme të rajonit” theksoi Staniq.
Ky i fundit sqaron se në Gjermani do të ketë rritje mjaft e lehtë për vitin që vjen, por që sërish ndonjë faktor i jashtëm mund të ndikojë tek kjo që ekonomia gjermane të hyjë në ndonjë reçension.
Gjithashtu, thekson ai, varet mjaft dhe nga situata me energjentet por dhe prej kësaj se cilat do të jenë vendimet e administratës së re në Uashington.
“A do të përshpejtohet ai i ashtuquajturi protekcionizëm, rritjen e doganës për importin çka mund të reflektohet indirekt në rajon dhe tek vetë Europa mund të sjellë kundërmasa që mund të ndikojnë në rajon si dëm kolateral” thotë Staniq dhe kujton 2019 kur Amerika vendosi doganë për importin e çelikut dhe aluminit dhe më pas reagoi BE duke vendosur kuotë në importin e çelikut nga Sërbia, çka shembi marrëveshjen e tregtisë së lirë që ka Sërbia.
“Gjithçka kjo është pasojë e një situate gjeopolitike e cila me të vërtetë është e paparashikueshme për vitin e ardhshëm” konkludoi Staniq.
0 komentet