Ristuqa: KFOR-i ka penguar që situata në Banjskë të eskalojë në një situatë edhe më të rëndë
Prania e trupave të KFOR-it në Banjskë ka penguar që ngjarjet të eskalojnë në një situatë edhe më të rëndë, tha komandanti i KFOR-it në largim Angjello Mikelle Ristuqa në një intervistë për Kosovo online, duke përcjellë se ai ishte në kontakt të rregullt me të gjithë kolegët përkatës, përfshirë EULEX-in, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe organizatave të sigurisë së Kosovës, si dhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë.
Ristuqa në krye të KFOR-it do të zëvendësohet nga gjenerali turk Ozkan Ulutash, dorëzimi i detyrës është planifikuar për më 10 tetor, dhe komandanti aktual i KFOR-it thekson se Beogradi dhe Prishtina duhet t'i kthehen dialogut.
I pyetur nëse Kfor mund të kishte bërë më shumë në Banjska dhe nëse ngjarje të ngjashme mund të përsëriten në të ardhmen, si dhe nëse KFOR-i merr pjesë në hetimet e ngjarjeve në Banjskë, Ristuqa thotë:
“Pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, Policia e Kosovës ka ndërhyrë si autoriteti i parë përgjegjës, duke reaguar në përputhje me përgjegjësitë e saj për zbatimin e ligjit. Prania e trupave të KFOR-it në zonë ndaloi që ngjarjet të eskalojnë në një situatë më të rëndë. Kam qenë në kontakt të rregullt me të gjithë kolegët e mi relevant, përfshirë EULEX-in, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe organizatave të sigurisë së Kosovës, si dhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe”.
Si e komentoni kërkesën e Beogradit që KFOR-i të marrë përsipër sigurinë në veri?
KFOR-i mbetet plotësisht i përkushtuar në zbatimin e mandatit të tij, në mënyrë të paanshme, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, me qëllim që të ruajë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. Kfor nuk kryen aktivitete të zbatimit të ligjit, që është prerogativë ekskluzive e Policisë së Kosovës, e cila vepron si reaguese e parë. Këto aktivitete monitorohen nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), si përgjegjës i dytë. Kfor është reaguesi i tretë. Në dritën e ngjarjeve të fundit, Kfor ka shtuar praninë dhe aktivitetet e tij në veri të Kosovës. Ne vazhdojmë t'i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e hapura dhe për të gjetur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Kjo është thelbësore për sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe stabilitetin në rajon.
A prisni që numri i ushtarëve të KFOR-it të rritet në periudhën e ardhshme?
Në përgjigje të tensioneve në fund të majit, ne dislokuam rreth 500 ushtarë turq në qershor. Batalioni turk u zëvendësua nga trupa nga Bullgaria dhe Greqia. Në dritën e ngjarjeve të fundit në shtator, KFOR-i ka rritur praninë dhe aktivitetet e tij në veri të Kosovës, dhe Këshilli i Atlantikut të Veriut ka autorizuar vendosjen e forcave shtesë për të adresuar situatën. Trupat u tërhoqën nga rezerva strategjike e NATO-s për Ballkanin Perëndimor. Mbretëria e Bashkuar po dërgon trupa shtesë dhe së shpejti do të pasojnë përforcime të mëtejshme nga aleatët e tjerë, duke përfshirë Rumaninë. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i ka forcën, aftësitë dhe fleksibilitetin e nevojshëm për të përmbushur në mënyrë të paanshme mandatin e tij të OKB-së për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.
Ju e keni theksuar më shumë se një here se situata në Kosovë mund të zgjidhet vetëm me dialog politik. A e besoni akoma atë?
Absolutisht. Vetëm një zgjidhje politike mund të sjellë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon. Kështu siç thashë, NATO dhe KFOR-i vazhdojnë të mbështesin plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, për të mirën e të gjitha komuniteteve dhe gjeneratave të ardhshme.
Nëse KFOR-i nuk do të ishte prezent në Zveçan, a do të kishte gjakderdhje mes Policisë së Kosovës dhe serbëve?
Më 29 maj 2023, KFOR-i ishte prezent për të parandaluar përshkallëzimin e protestës së vazhdueshme në Zveçan. Ushtarët e KFOR-it iu nënshtruan një sulmi të dhunshëm dhe krejtësisht të pajustifikuar, i cili rezultoi me plagosjen e 93 pjesëtarëve të KFOR-it. Mes tyre u plagosën rëndë edhe kolegë italianë dhe hungarezë. I falënderoj të gjithë për shërbimet e tyre dhe i uroj shërim të shpejtë. Falë profesionalizmit të treguar nga ushtarët tanë, u arrit të shpëtohen 15 policë të Kosovës, të cilët ishin të bllokuar në veturat e tyre dhe të rrethuar nga protestuesit. Falë veprimeve të ushtarëve tanë, ne shmangëm përshkallëzimin e mëtejshëm. Beogradi dhe Prishtina duhet të sillen me përgjegjësi dhe përmbajtje. Dhuna rrezikon të kthejë të gjithë rajonin prapa. Kjo është arsyeja pse KFOR-i vazhdon të sigurojë kornizën e nevojshme për përparimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e BE-së. Kjo është mënyra e vetme që paqja të zgjasë për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë.
Si do ta kujtoni qëndrimin tuaj në Kosovë?
Ishte një periudhë jashtëzakonisht sfiduese dhe kërkuese në të cilën KFOR-i duhej të vepronte në kontekstin e një situate të vazhdueshme të menaxhimit të krizës, ku ngjarje të shumta kanë vënë në pikëpyetje stabilitetin, në Kosovë dhe në mbarë rajonin. Sa herë që shpërtheu një krizë, u desh një përpjekje e madhe ushtarake dhe diplomatike për të rivendosur një situatë më paqësore dhe më të ekuilibruar. Janë bërë shumë punë dhe përpjekje të mëdha dhe jemi përballur me shumë vështirësi, për shkak të një sërë faktorësh të ndërthurur. Ushtarët e mi vepruan me profesionalizmin dhe paanshmërinë më të lartë në çdo kohë. Do të marr me vete shumë kujtime dhe ndjenja. Ndër to, shprehjet në fytyrat e fëmijëve që kam takuar gjatë vizitave të mia në shkollë. Ky është një kujtesë e gjallë e rëndësisë së përkushtimit tonë për të ndihmuar në krijimin e kushteve për paqe dhe prosperitet për brezat e ardhshëm.

komentet