Vuçiq: Kosova është pjesë e Serbisë, ka qenë dhe do të jetë

Aleksandar Vučić
Burim: Kosovo Online

Kosova është pjesë e Republikës së Serbisë, ka qenë dhe do të jetë, tha sot presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Duke iu drejtuar takimit parazgjedhor të listës “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk guxon të ndalet” në Leskovc, ai ka theksuar se gjithmonë është marrë me tema të vështira, me të cilat të tjerët nuk kanë dashur të merren. 

“Të gjithë do të donin të thoshin se Kosova është zemra e Serbisë, por nëse mund të largohen nga presionet perëndimore, të mos u përgjigjen atyre, të mos e fusin ‘kokën në thes’, se do ta zgjidhë Vuçiqi... Gjithmonë përserisë, Kosova është pjesë e Republikës së Serbisë, është e shkruar në Kushtetutë. Ka qenë dhe do të jetë”, tha Vuçiq. 

Ai po ashtu ka theksuar se, ndryshe nga ata që duan të bëhen heronj, duke sakrifikuar fëmijët e të tjerëve, ai do t'i mbrojë të gjithë fëmijët, jetën e tyre dhe Kosovën. 

Ai shtoi se ka shkuar në Bruksel më shumë se 200 herë për shkak të Kosovës. 

"Mund ta imagjinoni se sa energji duhet vetëm për të shpëtuar diçka të vogël, për të shpëtuar interesat jetike kombëtare. Diçka e vogël, sepse ata mendojnë se mund të sulmojnë atë pak, sepse e dinë se nuk mund të bëjnë diçka më të madhe... Ka gjithmonë forma të ndryshme burokratike, sepse ata e dinë se ju e mbroni të shenjtën dhe se nuk do t'u jepni gjënë madhështore që do të dëshironin më shumë të kërkonin, që është pavarësia e Kosovës”, tha Vuçiq.