Konferenca vjetore e Vladimir Putinit si barometër politik i një faze të re

Vladimir Putin
Burim: Kosovo Online

Çështja e NIS-it tejkalon kornizat e politikës energjetike dhe shndërrohet në një indikator të pozicionit më të gjerë gjeopolitik të Serbisë në kushtet e luftës, sanksioneve dhe bisedimeve të paralajmëruara për paqe.

Shkruan: Zhelko Shajn, korrespondent special nga Moska

Në përmbyllje të edhe një “linje të drejtpërdrejtë” të Putinit, një ngjarje që prej kohësh ka tejkaluar formatin e një konference klasike për shtyp dhe është shndërruar në një lloj barometri politik të epokës, presidenti i Federatës Ruse dërgoi një mesazh që nuk i referohet vetëm Rusisë dhe Ukrainës, por edhe Ballkanit – konkretisht Serbisë, sigurisë së saj energjetike dhe vendit të saj në riformësimin më të gjerë gjeopolitik.

Çështja e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) në përgjigjen e Putinit për “Politika” nuk u trajtua si një dilemë e thjeshtë pronësore apo tregtare. Përkundrazi, ajo u paraqit si një çështje ndërshtetërore dhe një test besimi në një kohë kur ekonomia dhe gjeopolitika nuk mund të ndahen më. Kur Putini flet për gjetjen e zgjidhjes në bashkëpunim me “udhëheqjen mike serbe”, ai dërgon një mesazh të dyfishtë: Serbisë – se Rusia llogarit në bashkëpunim afatgjatë, dhe investitorëve potencialë – se stabiliteti i biznesit në rajon mbetet një temë politikisht relevante, edhe në kushtet e paqëndrueshmërisë globale.
Në këtë kontekst, NIS shfaqet si një levë politike me shtrirje dukshëm më të gjerë. Nëse Moska dhe Uashingtoni po afrohen drejt bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, shtrohet pyetja kyçe: pse administrata e Donald Trumpit, njëkohësisht, vendos ose mbështet sanksione ndaj një kompanie ruse në Serbi dhe këmbëngul në nxjerrjen e pronësisë ruse? Një politikë e tillë vështirë se mund të shpjegohet vetëm me arsye komerciale. Energjetika sot është mjet strategjik, ndërsa Serbia ndodhet në vijën e kontaktit të interesave të fuqive të mëdha. Për këtë arsye, çështja e NIS-it është njëkohësisht ekonomike dhe gjeopolitike, dhe zgjidhja e saj varet jo vetëm nga Beogradi dhe Moska, por edhe nga rezultati i luftës në Ukrainë dhe nga një marrëveshje më e gjerë e aktorëve të mëdhenj.

Peshë të veçantë ka edhe deklarata e Putinit, po ashtu në kuadër të përgjigjes ndaj pyetjes së gazetarit të “Politika”, se shpreson që vitin e ardhshëm, në të njëjtën konferencë, të flitet për paqe dhe jo për luftë. Kjo fjali nuk tingëllon si një kurtuazi diplomatike, por si një sinjal se Moska lë hapësirë të hapur për një zgjidhje politike – por me kushte të qarta: heqjen e gjithçkaje që qëndron në rrugën e paqes. Në këtë kuptim, edhe çështja e NIS-it mund të shihet si pjesë e të njëjtës mozaikë – një pengesë që duhet zgjidhur për të stabilizuar panoramën më të gjerë të sigurisë.

Putini, gjithashtu, u ndal edhe te marrëdhëniet me NATO-n, duke rikujtuar se Rusia nuk ka qenë vetëm partnere e këtij aleance, por në një moment kishte shqyrtuar edhe idenë e anëtarësimit, përpara se, sipas interpretimit të tij, të bëhej e qartë se Perëndimi nuk e sheh atë si një aktor të barabartë. Zgjerimi i infrastrukturës së NATO-s drejt kufijve rusë, në këtë kuadër, nuk është një çështje teknike, por një çështje ekzistenciale e sigurisë, e cila në mënyrë të pashmangshme çon drejt nevojës për një arkitekturë të re evropiane të sigurisë.

Referimi te idetë e Egon Bahrit dhe koncepti i sigurisë gjithëpërfshirëse tregon se në Moskë po mendohet për një rend në të cilin askush nuk përjashtohet paraprakisht – as Rusia, as Evropa Lindore, as Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse një model i tillë do të negociohej përmes dialogut me Trumpin, Evropa do të përballej me një transformim të thellë: nga një kontinent i ndarë nga linja konflikti, drejt një hapësire të sigurisë së përbashkët, por me njohjen e interesave ruse si faktor legjitim.
Në këtë kontekst duhet parë edhe deklarata e Putinit për ndikimin e mundshëm politik të rreth pesë milionë ukrainasve që jetojnë në Rusi mbi zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Ukrainë, si pjesë e një debati më të gjerë mbi legjitimitetin pasluftës të pushtetit në Kiev. Me këtë, Moska dërgon mesazhin se dëshiron legjitimitet politik të proceseve të ardhshme, por edhe se synon të ndikojë në dinamikën e brendshme pasluftës të shtetit fqinj. Bëhet fjalë për një pjesë të një strategjie më të gjerë, në të cilën paqja nuk shihet vetëm si ndërprerje e zjarrit, por si ripërcaktim i hapësirës politike pas luftës.

“Linja e drejtpërdrejtë” e Putinit edhe një herë konfirmoi se pas gjuhës së paqes zhvillohet një betejë për pozicione në rendin pasluftës. Çështja e NIS-it, në këtë kuptim, nuk është përjashtim, por një shembull tipik se si infrastruktura energjetike shndërrohet në instrument presioni gjeopolitik. Serbia ndodhet në një zonë ku prej saj pritet të bartë pasojat e konflikteve të të tjerëve, ndërkohë që nuk ka kapacitet të ndikojë në përfundimin e tyre. Pikërisht për këtë arsye, këmbëngulja e Moskës për marrëveshje, e jo për ultimatume, ka peshë shtesë, sepse tregon vetëdije se destabilizimi i Ballkanit do të prodhonte pasoja më të gjera.

Nëse bisedimet e paralajmëruara për paqe nuk materializohen, çështja e NIS-it mund të shndërrohet në precedent për shtypjen sistematike të pranisë ruse në rajon. Nëse, megjithatë, aktorët globalë vërtet i drejtohen kompromisit, Serbia mund të gjendet në një pozitë të rrallë të një shteti, stabiliteti i të cilit bëhet argument, e jo pengesë. Në këtë zgjedhje nuk do të vendosë Beogradi, por gatishmëria e fuqive të mëdha për t’i dhënë paqes përmbajtje reale politike, e jo vetëm vlerë retorike.