KUSH është KUSH – Brendan Hanrahan: Falënderoi Kosovën që do të pranojë migrantët e deportuar nga SHBA

Brendan Hanrahan
Burim: State department

Bashkëpunëtor i Mark Rubio-s që nga periudha kur sekretari aktual amerikan i shtetit ishte në krye të Komitetit të Senatit për Ndërmarrje të Vogla dhe Sipërmarrje, konsulent biznesi dhe që nga prilli i këtij viti zyrtar i lartë i Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin Amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan ka paralajmëruar vizitë në Bosnjë e Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë.

Siç ka shkruar në rrjetin “X”, ai shprehet i lumtur për forcimin e lidhjeve ndërmjet SHBA-së dhe vendeve të rajonit.

Në biografinë zyrtare të Hanrahanit thuhet se, para se të fillonte punën në Departamentin e Shtetit, ka qenë investitor në kompaninë “Bain Capital” në ekipin për kapital privat në Amerikën e Veriut, ku ka udhëhequr projekte dhe ka bashkëpunuar me kompani në sektorët e shërbimeve për konsumatorët dhe bizneset.

Më herët ka punuar si këshilltar politik në Komitetin e Senatit për Ndërmarrje të Vogla dhe Sipërmarrje. Karrierën e ka nisur në kompaninë “McKinsey & Company”, ku ka ofruar mbështetje për klientë nga sektori publik dhe privat.

Me emërimin e tij si zyrtar i lartë në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, në kohën e tensioneve në rritje mes Evropës dhe SHBA-së, mediat kanë theksuar si kuriozitet faktin se Hanrahan nuk ka përvojë të dokumentuar në politikën e jashtme tradicionale.

“Reuters” ka raportuar se nuk është e qartë nëse Hanrahan është emëruar përkohësisht apo për një periudhë më të gjatë, pasi pozita e zyrtarëve të lartë në këtë zyrë shpesh shërben si ushtrues detyre derisa Senati të konfirmojë ndonjë kandidat për pozitën e asistentit të sekretarit.

Vizita e tij në rajonin tonë do të jetë vizita e parë e një zyrtari të lartë amerikan që nga fillimi i mandatit të dytë të Donald Trump-it.

Ndryshe, më 14 qershor, Hanrahan falënderoi Kosovën në rrjetin “X” për pranimin e migrantëve nga vendet e treta të cilët janë deportuar nga Shtetet e Bashkuara.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ndodhet në Uashington, njoftoi dje se është takuar me Hanrahanin dhe theksoi se me atë takim në Departamentin e Shtetit është konfirmuar përkushtimi për thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Brendan Hanrahan ka diplomuar në “Harvard College “(2010–2014) dhe ka përfunduar masterin për administrim biznesi në “Stanford Graduate School of Business” (2019–2021).