Përmbledhja e javës 76
Mes shkaqeve dhe pasojave, mes planit dhe të arritshmes, kaloi edhe një javë parazgjedhore në Kosovë. Deri në tetor mblidhen pritjet, pas kësaj duhen duruar pasojat.
Çfarë është shkaku i ndonjë dukurie, çfarë arsye e drejtpërdrejtë, shpesh nuk është krejtësisht e qartë. E sigurt është megjithatë, se secili përballet me pasojat e sjelljes së vet. Kështu mesazhet që këtë javë i erdhën Kosovës nga bota i komenton analisti politik Shkëlzen Maliqi.
„Në zgjedhjet lokale me gjasë do të shfaqet ndikimi i kësaj polemike të përgjithshme – a ka qenë kjo Qeveri fare efikase. Dhe a ka bërë diçka tjetër përveçse ka prishur marrëdhëniet me të gjithë në botë“, thotë Maliqi.
Jo me plan për të prishur, përkundrazi, me idenë për të bashkuar dhe për të ofruar të njëjtat të drejta për të gjithë. Kështu kryeministri teknik përshkruan veprimet e veta dhe fushatën që po vjen.
„Sigurisht dualizmi i sistemit shëndetësor dhe arsimor nuk është i qëndrueshëm“, u shpreh Albin Kurti para shëtitjes në Mitrovicën e Veriut. „Është e nevojshme inkorporimi dhe bashkimi i tyre“, shtoi Kurti.
Nuk desh shumë që ky premtim parazgjedhor të ndihej në terren. Konkretisht në QKS Mitrovica e Veriut.
„Pa spitalin tonë dhe pa arsimin tonë, këtu, njerëzit e mi, nuk kemi mbijetesë“, tha një ditë pas hyrjes së Policisë së Kosovës në spital, drejtori i institucionit, dr. Zllatan Ellek.
Pasojat e disa vendimeve dhe rregulloreve, paradoksalisht, duken paraprakisht. Kështu, në bazë të rregullave që do të hyjnë në fuqi në nëntor, një automjet iu konfiskua që në shtator.
„Më thanë: a e dini që nga sot nuk mund të ngasni me autorizim. U thashë nuk e dija, sikur ta dija nuk do të nisesha, sepse dëgjova që hyn në fuqi nga 1 nëntori“, rrëfen Vlladica Qirkoviq nga Graçanica bisedën me doganierët dhe policinë. Ai shton: „Sot më morën veturën, nesër a do të ma marrin fëmijën, mua të më dëbojnë? Çfarë po ndodh nuk e di. Dua të jetoj në territorin e Kosovës“, thotë Qrkoviq.
Edhe të jetohet, edhe të qëndrohet përkohësisht – gjithçka mundet, thonë zyrtarët. Por me disa rregulla dhe leje. Qëllimi, thonë ata, nuk është komplikim i ri për qytetarët, por siguri më e mirë.
„Askush nuk do të ketë problem pse ka tejkaluar ndonjë ditë“, shpjegon Veton Elshani nga Policia e Kosovës. „Ajo që ka rëndësi është të futen në sistem dhe të fillojnë të futen në sistem“, thotë Elshani.
Pasojat e mosfutjes në sistem janë të qarta për të gjithë. Pasojat e gabimeve në drejtimin e sistemit, këtë javë, vlerësohen në adresa të ndryshme. Vlerësimin më të keq e dha Amerika.
„Zoti Kurti nuk po e bën punën e tij dhe ka sjellje negative jo vetëm ndaj SHBA-së, por edhe ndaj Kosovës“, thotë ish-ambasadori Xhonatan Mur.
Analistët kosovarë precizojnë pasojat.
„Kjo ka pasoja si në drejtim të ekonomisë, ashtu edhe në diplomaci dhe për imazhin e një shteti“, thotë kryetari i Aleancës së Bizneseve, Agim Shahini.
Për imazh të mirë në botë këtë javë nuk u shqetësua Shqipëria. Pasojat e punës disa mujore sollën duartrokitje në Bruksel, por dilema në shtëpi. A mundet një ministre e vizatuar të hyjë në luftë kundër korrupsionit real? Përgjigja në javët e ardhshme…
0 komentet