Përmbledhja e javës 84

ko 84
Burim: Kosovo Online

Ngrohja për fushatë, ndërsa ende nuk jemi ftohur nga zgjedhjet e mëparshme. Partitë thonë se nuk janë të lodhura, ndërsa qytetarët se u duhet motivim i ri. Shumë mesazhe edhe këtë javë, por ende pa gjuhë të përbashkët.

Ka pasur shumë fushata këtë vit. Shumë koalicione, marrëveshje të pasuksesshme, premtime të parealizuara dhe tepër zgjedhje.

As më të guximshmit nuk guxojnë të parashikojnë nëse ka kohë dhe frymëzim për surpriza të reja.

"Unë nuk mund të them për asgjë se është joreale", thotë për Kosovo online Millosh Pavkoviq nga Qendra për Politika Evropiane.

Më pak realistja, sipas analistëve, është që të gjendet një zgjidhje.

Kush me kë bën shumën, e kush kujt ia heq votat? Cilat dallime janë të pakapërcyeshme dhe kush është më afër zgjidhjes së ekuacionit politik?

"Vërtet nuk mund t’i parashikoj kalkulimet e tyre", thotë edhe Miodrag Marinkoviq nga organizata joqeveritare CASA.

Nga kalkulimet varet taktika. Meqë premtimet dhe bindjet nuk funksionuan, u kalua në një të re. Me rraskapitje deri te votat e reja. Këtë javë, qytetarët e Prishtinës e ndjenë më së miri këtë duke pritur transportin publik që nuk erdhi kurrë.

"Mendoj se partitë politike duhet të mendojnë mirë nëse do të kandidojnë përsëri të njëjtat fytyra në listën zgjedhore", thotë profesori Mazllum Baraliu.

"Sepse ata njerëz e kanë humbur besimin e qytetarëve", shton Baraliu.

Niveli i besimit nuk ka qenë i lartë as në ofertën e zgjedhjeve të kaluara. Megjithatë, u ofrua jetë më e mirë dhe bashkëjetesë më e lehtë. Para së gjithash qytetarëve në veri.

"Pamë se as nuk pati vende pune, as ndonjë drejtësi domethënëse. Por pamë shumë presione ndaj komunitetit serb", kujton Dragisha Mijaçiq nga Konventa Kombëtare e Serbisë për Kapitullin 35.

Shumë fushata dhe zgjedhje mund të ndikojnë te motivimi. Megjithatë, presionet, besojnë analistët, janë shumë më të qëndrueshme.

"Me siguri do të ketë konflikte midis qeverisë teknike dhe kryetarëve të rinj të komunave", vlerëson Millica Rakiq Andriq nga Nisma e Re Shoqërore dhe shton se kjo është "krejtësisht e pashmangshme".

E pashmangshme është edhe që çdo javë e re sjell arsye të reja për konflikte. Edhe rikujtime për ato të vjetrat. Dhe se do të duhet të kalojë shumë ujë nën urën e Ibrit derisa kjo të ndryshojë.