Si ndihmon “Vizioni i Verës” në promovimin e Ballkanit si një treg serioz vere
Në prag të fillimit të panairit “Vizioni i Verës i Ballkanit të Hapur” këtë fundjavë në Beograd, po paraqes artikullin që “The Buyer” publikoi vitin e kaluar për ngritjen e shpejtë të kësaj manifestimi.
Në fjalimin hyrës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, foli për potencialin global të manifestimit “Vizioni i Verës i Ballkanit të Hapur”. Morën pjesë profesionistë dhe distributorë nga mbarë bota, përfshirë tregje kyçe si Italia, SHBA, Kina, Australia, Afrika e Jugut, Libani, Meksiko, Franca, Holanda, Tunizia, Uganda dhe Mbretëria e Bashkuar.
Pasi për shumë kohë u mbështetën te të tjerët për të treguar historinë e rilindjes së tyre të verës, Vizioni i Verës po merr drejtimin në prezantimin e asaj që ofron rajoni në një botë vere gjithnjë e më konkurruese. Ndërsa shumë vëmendje i kushtohet Kroacisë dhe Sllovenisë, pjesa tjetër e ish-Jugosllavisë mbetet relativisht e anashkaluar, pavarësisht traditës së pasur të verës, investimeve të fundit në modernizim dhe varieteteve specifike autoktone. Vizioni i Verës po fillon ta rikthejë ekuilibrin, me një ndjenjë të qartë iniciative dhe përparimi.
Edukim për të gjithë
Vizioni i Verës ishte një mundësi për blerësit dhe importuesit nga tregjet kyçe në mbarë botën të shohin se çfarë mundësish ekzistojnë për furnizim dhe blerje të verërave dhe pijeve të forta nga i gjithë Ballkani.
Lista mbresëlënëse e masterklasave ofroi tema të fokusuara dhe njohuri praktike. Christopher Burr MW dha këshilla të vlefshme për eksportimin në Mbretërinë e Bashkuar; Zuza Toronji dhe Caroline Gilby MW prezantuan strategji marketingu dhe shitjeje në tregjet konkurruese; ndërsa Enikő Király përshkroi zgjidhje inovative dhe të qëndrueshme për tapët e verës.
Këto janë fusha në të cilat shumë prodhues vere nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria shpesh mësojnë “në terren”, duke u përballur me rregullore komplekse dhe preferenca të ndryshueshme të konsumatorëve.
Varietetet autoktone si prokupac dhe tamjanika (ose temjanika) gjithashtu ishin të theksuara. Caroline Gilby MW dhe Igor Lukoviq, kritik vere nga Serbia, folën për varietetet e rralla serbe, ndërsa Simon Woolf përshkroi “revolucionin e amforës” që po ndodh nga Gjeorgjia deri në Ballkan.
Theksimi i varieteve autoktone është pjesë e një strategjie koherente për të promovuar unikitetin e rajonit. Ka shumë shembuj të shkëlqyer të varieteve ndërkombëtare dhe kupa-ve, por janë pikërisht varietetet autoktone që ofrojnë një histori të re dhe të paharrueshme për konsumatorët e verës, veçanërisht në tregjet më të zhvilluara.
Zhvillimi i prokupcit, grashcit dhe vranacit – për të përmendur vetëm tre – gjatë dekadës së fundit tregon potencialin e tyre kur janë në duart e prodhuesve që eksperimentojnë me qasje të ndryshme. Edhe pse nevojitet ende punë për të zhvilluar identitete të qarta rajonale, ekziston mendimi se mungesa e rregulloreve shumë të rrepta u jep verëtarëve liri më të madhe për inovacion.
Dy ekspertë nga Maqedonia e Veriut, Zvonko Herceg dhe Jadranka Klariq, analizuan karakteristikat e vranacit dhe stanušinës. Sasha Shpiranec nga Kroacia foli për GROV-in, një akronim i formuar nga grashac/grashevina, olaszrizling dhe welshriesling. Për shumë pjesëmarrës në audiencë, këto ishin zbulime të reja dhe emocionuese.
Cilësi e vlerësuar me çmime
Vizioni i Verës synon të theksojë më të mirën nga Ballkani përmes çmimit të vet Trofeu i Verës.
Trofeu i Verës i Ballkanit të Hapur është bërë një shenjë prestigji për kantinat e verës në rajon. Për çmimet vendosën gjashtë Mastera të Verës (Masters of Wine), ndërsa komisionin këtë vit e udhëhoqi Caroline Gilby MW. Disa nga fituesit më të rëndësishëm ishin: “Beli Kamen Merlot 2019”, Kantina Temet, Serbi (vera e kuqe më e mirë); Vranec “Terroir” Grand Reserva 2020, Chateau Kamnik, Maqedonia e Veriut (vera e kuqe më e mirë nga një varietet autokton); Signum Chardonnay 2022, Kantina Frug, Serbi (vera e bardhë më e mirë); Grashac Grand Fru 2020, Kantina Vinçiq, Serbi (vera e bardhë më e mirë nga një varietet autokton); Moma Traminac 2023, Bikicki, Serbi (vera portokalli më e mirë).
Bashkëpunimi biznesor
Aspektet tregtare të Vizionit të Verës u ofruan kantinave të verës mundësinë të paraqesin produktet e tyre para një numri të madh profesionistësh të verës. Dhoma e Tregtisë së Serbisë vlerëson se Vizionin e Verës e kanë vizituar mbi 400 blerës ndërkombëtarë, me më shumë se 1.500 takime biznesore të planifikuara, pa përfshirë mijëra takime spontane nëpër stendat individuale.
Jordan Trajkov, themelues dhe drejtor ekzekutiv i kantinës “Popova Kula” nga Maqedonia e Veriut, e lavdëroi panairin sepse nuk vetëm i ftoi blerësit e verës, por edhe siguroi praninë e tyre.
“Takimet B2B në Vizionin e Verës ishin shumë të suksesshme, veçanërisht për lidhjen e kantinave të verës me blerës dhe importues ndërkombëtarë,” tha dr. Slobodan Vujiq, pronari i kantinës së vlerësuar me çmime, “Fragaria”, nga Serbia, duke shtuar: “Ishte e mundur të degustoheshin verërat “Fragaria” dhe të diskutohej për eksport të mëtejshëm në disa tregje shumë interesante, të cilat zakonisht do të ishin të vështira për t’u arritur, si Holanda, Angola dhe të tjera.”
“Duke u mundësuar të dyja palëve qasje në platformën ‘B2Match’, ata siguruan komunikim të drejtpërdrejtë paraprakisht dhe gjatë panairit,” shpjegoi Trajkov.
Kjo nënkuptonte se prodhuesit dhe blerësit e mundshëm, si edhe furnitorët me interesa të ngjashme, mund të planifikonin takime sipas kritereve specifike. Ai gjithashtu e lavdëroi panairin Vizion i Verës sepse siguroi në mënyrë aktive praninë e blerësve dhe jo vetëm dërgimin e ftesave.
Këto suksese kontribuan që edhe të tjerë nga bota e verës, distilateve dhe gastronomisë të vinin në Beograd për të gjetur tregje të reja për produktet e tyre. Prania e shumë blerësve nga Azia, për shembull, përbën një tregues bindës që dëshmon se nga Vizion i Verës përfitojnë jo vetëm prodhuesit nga Ballkani Perëndimor, por se ai funksionon si një qendër globale.
Shkruan: Ian Bancroft, shkrimtar dhe ish-diplomat në hapësirën e ish-Jugosllavisë
komentet