Ka filluar gjykimi ndaj Dragan Ristiqit; Fillipoviq: I ka mohuar të gjitha pretendimet, bëhet fjalë për zëvendësim identiteti
Para Departamentit të Posaçëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë sot ka filluar, me fjalët hyrëse, gjykimi ndaj Dragan Ristiqit, i akuzuar se ka kryer krim lufte kundër popullsisë civile në Gjakovë gjatë konfliktit në Kosovë, gjë të cilën ai e ka mohuar.
Ristiq akuzohet se ka kryer krim lufte kundër popullsisë civile në periudhën 7–10 maj 1999, dhe sipas avokates Jovana Fillipoviq, atij i vihen në barrë vrasje, dëbim, plaçkitje dhe ndarje të popullsisë.
Pasi prokurori lexoi aktakuzën, Ristiqi, ashtu si edhe gjatë seancës përgatitore verën e kaluar, u deklarua i pafajshëm për veprat që i vihen në ngarkim.
Fillipoviq tha se mbrojtja thekson se prokuroria po kërkon një person tjetër, por se Prokuroria Speciale nuk është përgjigjur në kërkesën për mbledhjen e provave që do të konfirmonin identitetin e të akuzuarit.
“Ai i ka mohuar të gjitha pretendimet, që nga fillimi. Ne pohojmë se bëhet fjalë për një person krejt tjetër, të cilin prokuroria e ka kërkuar dhe i cili eventualisht mund t’i përshtatet përshkrimit në aktakuzë. Megjithatë, nga Prokuroria Speciale e Kosovës nuk kemi marrë asnjë përgjigje lidhur me kërkesën për mbledhjen e disa provave. Prokuroria fillimisht është dashur ta bëjë këtë, në mënyrë që të konfirmohej identiteti i të akuzuarit, por edhe besueshmëria dhe vërtetësia e deklaratave të dëshmitarëve të dhëna gjatë procedurës hetimore”, tha Fillipoviq.
Ajo shtoi se nga gjykata është kërkuar caktimi i një ekspertize për të vërtetuar nëse i akuzuari është në gjendje të ndjekë procesin gjyqësor.
“Duke pasur parasysh se personi i akuzuar para gjykatës ka treguar një shkallë të caktuar demence, si edhe më herët, dhe bëhet fjalë për një person të lindur në vitin 1949, i cili vështirë orientohen, është bërë një propozim që të caktohet ekspertizë në mënyrë që mjekët specialistë të mund të na thonë me siguri nëse ai mund ta ndjekë procesin gjyqësor apo jo. Në këtë fazë, presim që të caktohet ekspertiza dhe, në varësi të rezultatit, do të dimë në cilin drejtim do të vazhdojë më tej ky proces”, tha Fillipoviq.
Seancat e ardhshme në procedurën kundër Ristiqit janë caktuar për 30 janar dhe 3 shkurt të vitit të ardhshëm.
Dragan Ristiq u arrestua më 25 shkurt në pikën kufitare në Jarinjë, kur së bashku me të birin kishte shkuar në Gjakovë për të vazhduar vlefshmërinë e dokumenteve.
0 komentet