Një raund tjetër negociatash dhe një tjetër dështim

Helena Ivanov Twitter
Burim: Twitter

Shkruar për Kosovo Onlajn Dr. Helena Ivanov bashkëpunëtore shkencore në Qendrën Hulumtuese Henri Xhekson

Një raund tjetër negociatash dhe një tjetër dështim kolosal. Për herë të parë që nga eskalimi i madh i majit, presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti u takuan për të diskutuar normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e BE-së. Megjithatë, bisedimet përfunduan në një qorrsokak të madh. Kryeministri Kurti hodhi poshtë marrëveshjen e propozuar, duke përfshirë themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe (BKS). Ky refuzim u bazua në këmbënguljen e Kurtit se zyrtarizimi i njohjes de facto duhet t'i paraprijë të gjitha hapave të mëtejshëm.

Këmbëngulja e Kurtit që njohja të jetë hapi i parë nuk është e re dhe shpeshherë ka frustruar përpjekjet e BE-së për të realizuar një dialog produktiv. Mirëpo, bisedimet për formimin e BKS-së janë edhe më të vjetra – sepse datojnë që nga viti 2013, kur Kosova u zotua për krijimin e këtij komuniteti si pjesë e Marrëveshjes së Brukselit. Deri vonë, dukej se Kosova ka mbetur e përkushtuar ndaj këtij angazhimi, por që nga marrja e pushtetit nga kryeministri Kurti, janë shfaqur dyshime se kur do të mund të formohej një bashkim i tillë.

Dështimi për të krijuar një BKS mund të ketë pasoja të gjera, ndoshta duke destabilizuar rajonin dhe duke ngritur shqetësime për efektivitetin e BE-së si ndërmjetës. Në të vërtetë, shumë njerëz tashmë po pyesin se sa ndikim ka BE mbi Beogradin dhe Prishtinën, sepse marrëveshjet që pranohen verbalisht zakonisht nuk zbatohen në praktikë, as Serbia dhe as Kosova nuk mbahen përgjegjës apo sanksionohen kur nuk përmbushin detyrimet e tyre, dhe tensionet dhe eskalimi bëhen endemike, gjë që vështirëson jetën e qytetarëve të zakonshëm të të gjitha grupeve etnike në Kosovë.

Edhe pse BE ka përdorur retorikë dhe kërcënime të forta, është e qartë se këto qasje janë të pamjaftueshme. Për shembull, BE nuk arriti t'i bindë anëtarët e Listës Serbe që të kthehen në institucione dhe të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në fillim të këtij viti. Ngjashëm, pas eskalimit të majit, bashkësia ndërkombëtare ishte shumë e qartë se një raund i ri i zgjedhjeve duhet mbajtur urgjentisht në veri të Kosovës për të siguruar legjitimitetin e kryetarëve të komunave. Por, deri më sot, përkundër përpjekjeve të BE-së, Kosova nuk ka ndërmarrë ndonjë hap thelbësor drejt organizimit të zgjedhjeve në veri.

Tani është koha për të dalë nga ky qorrsokak politik, dhe nuk mund të lejohen vonesa dhe komplikime të mëtejshme - ato dëmtojnë njerëzit, rajonin dhe BE-në. Por për të bërë ndonjë hap të rëndësishëm përpara, roli i BE-së mbetet vendimtar. Vetëm pak ditë më parë, Ursulla von der Lajen deklaroi në fjalimin e saj për Gjendjen e Bashkimit se “e ardhmja e Ukrainës, Moldavisë dhe Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin tonë. Ne duhet të vendosim një vizion për një zgjerim të suksesshëm. Ky vizion duhet të përfshijë një zgjidhje efektive për marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Për ta arritur këtë, BE duhet të zbatojë masa efektive, duke siguruar progres dhe duke parandaluar stagnimin e përhershëm. Përndryshe, ne mund të presim raunde të pafundme negociatash me ndikim të kufizuar që ka gjasa të destabilizojnë më tej Ballkanin.