Ambasada Britanike: Frikësohemi se ndryshimet në Ligjin për Odat e Specializuara do të minojnë marrëdhëniet e Kosovës me partnerët
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë njofton se frikësohet se ndryshimet e propozuara në Ligjin për Odat e Specializuara minon marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë dhe shtetet që e mbështesin atë.
"Mbretëria e Bashkuar konstaton qëllimin e Kuvendit të Kosovës për të rivotuar ligjin për ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Odat e Specializuara. Frikësohemi se ndryshimet e propozuara nuk do të kontribuojnë në asnjë mënyrë në realizimin e interesave kyçe të Kosovës dhe do të minojnë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë dhe shtetet që e mbështesin atë", thuhet në njoftimin e Ambasadës në Fejsbuk.
Shtohet se janë plotësisht të vetëdijshëm për reagimet e forta që shkaktuan vendimet e fundit dhe se qëllimet e Kosovës mund të arrihen më së miri "që Kosova të vijojë të respektojë obligimet e veta ndërkombëtare dhe angazhimin e saj për përgjegjësi, drejtësi dhe sundim të ligjit".
"Inkurajojmë Kuvendin të marrë kohë për konsultime të mëtejshme brenda dhe me BE e aleatët e tjerë ndërkombëtarë që të gjejë zgjidhje më të mirë", thuhet në njoftimin e Ambasadës Britanike.
Shqetësim për votimin e mundshëm dhe ndryshimet e ligjit nesër në parlament, shprehu dhe Unioni Europian, zyra e të cilit në Prishtinë vuri në dukje nevojën për konsultime para çdo miratimi, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.
Shqetësim shprehu dhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.
0 komentet