Andoni: Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk premtojnë përmirësim në të ardhmen e afërt
Analisti politik nga Tirana Ben Andoni thotë se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk premtojnë përmirësim në të ardhmen e afërt dhe se fusha e mbrojtjes është e vetmja në të cilën ka nisur bashkëpunimi në bazë të interesit pragmatik.
"Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk premtojnë të arrijnë aty ku duan njerëzit e dy vendeve. Egzistonte shenjë që mund të quhet inkurajuese, pra vizita e zotit Rama në Kosovë, e cila u prit nën protokoll zyrtar dhe vizita e disa orëve më vonë e zonjës Elisa Spiropali, ish ministrja shqiptare e punëve të jashtme e cila ishte në detyrë në atë kohë. Ajo shprehu vlerësimin më të lartë për marrëdhënien mes dy vendeve. Megjithatë, nga ajo çka po shikojmë, kuptojmë se egziston dallim i madh mes asaj çka thonë politikanët dhe realitetit në terren", tha Andoni për Kosovo Onlajn.
Për shkak të situatës problematike dyvjeçare në Kosovë, Prishtina sikurse thekson, nuk pati mundësinë të merrej me rregullimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, ndërsa Shqipëria duket disi indiferente ndaj ngjarjeve në Kosovë.
"Fakti është se Shqipëria dhe Kosova nuk kanë takime të rregullta të qeverive dhe se ato pothuajse janë braktisur si praktikë, ndonëse është thënë se këto takime mund të vazhdojnë. Nga ana tjetër, nuk ka transparencë në lidhje me numrin e madh të marrëveshjeve mes dy vendeve tona, memorandumet, rreth progresit të tyre, çka është arritur dhe rreth problemeve që mund të kenë çuar në ngërç", pohon ai.
Marrëdhëniet, vëren Andoni, janë më të mira në kuptimin kulturor dhe pozitive në fushën sociale, por që janë shumë më të ftohta në anën politike.
"Klima e biznesit, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, është problematike dhe disa ndërmarrje kosovare madje kanë filluar të zhvendosen në Shqipëri pasi e kanë më të lehtë që të operojnë në vendet me të cilat kanë politikë të afërt dhe antropologji ekonomike. E vërteta është se ndërmarrjet shqiptare kërkojnë tregun kosovar, por që të dyja palët nuk janë mjaftueshëm të forta për të gjeneruar zhvillim ekonomik dhe ndihmuar në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve", thekson bashkëbiseduesi ynë.
Gjithashtu ky i fundit bën të ditur se numri i qytetarëve të Kosovës që vijnë për turizëm në Shqipëri po bie dhe operatorët turistikë shqiptarë janë të shqetësuar nëse ky numër do të mbetet në të njëjtin nivel me vitin e kaluar apo do të ulet edhe më shumë.
"Pa qetësinë dhe funksionalitetin real të shtetit të Kosovës, krijimin e mentalitetit të shtetësisë së Kosovës dhe nga ana tjetër, seriozitetin më të madh të Tiranës, marrëdhëniet tona do të jenë të mira në sipërfaqe, por do të lënë shumë për të dëshiruar. Elementi i vetëm interesant është marrëdhënia në fushën e mbrojtjes. Për shkak të surprizave që po ndodhin në rendin ndërkombëtar e veçanërisht për shkak të marrëveshjes së përbashkët mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, kjo është e vetmja fushë ku dy vendet tona kanë nisur të bashkëpunojnë në bazë të interesit pragmatik, në rast se Kosova do të ketë probleme në të ardhmen apo nëse problemet që egzistojnë në fusha të tjera të gjeografisë botërore i afrohen rajonit", thotë Andoni.
0 komentet