Angjellkoviq: Nuk ka shumë gjasa që kriza institucionale në Kosovë të qetësohet pas zgjedhjeve
Drejtori i “Postës së Serbisë” dhe ish-kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, Zoran Angjellkoviq, vlerësoi sot se nuk ka shumë gjasa që kriza institucionale në Kosovë të zbutet pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit, përkatësisht se nuk ekziston një mundësi e madhe që pas këtyre zgjedhjeve institucionet në Prishtinë të formohen plotësisht, pasi, sipas tij, askush nuk do të sigurojë 81 deputetë për zgjedhjen e presidentit, raportoi TV Most.
Duke folur për Tanjug rreth zgjedhjeve të ardhshme të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, Angjellkoviq vlerësoi se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, këtë herë do të marrë më pak vota sesa në zgjedhjet e kaluara, sepse tani Vjosa Osmani ka kaluar në anën tjetër dhe, sipas tij, do të tërheqë një pjesë të votuesve të Kurtit, çka do të thotë se edhe shumica parlamentare do të jetë më e dobët.
“Kjo shumicë ndoshta do të jetë e mjaftueshme për formimin e pushtetit ekzekutiv në Prishtinë, por nuk do të jetë e mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit. Serbëve u konvenon që të zgjidhen institucionet e përkohshme, sepse në çdo fushatë zgjedhore më së shumti pësojnë serbët dhe institucionet serbe. Meqenëse në Kosovë nuk ka zhvillim ekonomik dhe tema të tjera që e preokupojnë administratën e Prishtinës, e sidomos Kurtin, atëherë fushata e tij kryesore zgjedhore është kundër serbëve në Kosovë”, tha ai.
Angjellkoviq theksoi se hyrja në Shtëpinë e Shëndetit në Obiliq, si dhe arrestimi i fundit i drejtorëve të institucioneve arsimore dhe shëndetësore në Graçanicë, të cilëve u është caktuar paraburgim deri në 30 ditë, paraqet një tregues të qartë se gjatë fushatës zgjedhore vetëm serbët po pësojnë.
Sipas tij, përpjekja për të promovuar Nenad Rashiqin, i cili nuk arriti të sigurojë që në listën e tij të jenë vetëm serbë, ndërkohë që institucionet e Prishtinës e njohin atë si përfaqësues të serbëve me qëllim që përmes tij të sigurojnë një përfaqësues serb në pushtetin ekzekutiv, tregon qartë se çfarë politike ka Kurti dhe ai regjim ndaj popullit serb në Kosovë.
I pyetur se çfarë është në fokus të Listës Serbe gjatë kësaj fushate parazgjedhore, Angjellkoviq tha se fokusi kryesor i Listës Serbe është uniteti i popullit serb në Kosovë dhe theksoi se sa më shumë të shfaqet ky unitet, aq më i fortë do të jetë pozicioni i popullit serb në Kosovë përmes Listës Serbe.
“Kjo është një mesazh se pa lidhjet me Beogradin dhe pa ndihmën e Beogradit, serbët nuk mund të mbijetojnë në Kosovë dhe Metohi. Këto dy elemente janë të mjaftueshme për t’u bërë thirrje të gjithë serbëve në Kosovë që të mbeten të bashkuar rreth Listës Serbe dhe t’i tregojnë Kurtit, ose kujtdo tjetër më pak të rëndësishëm se Kurti në hapësirën e Kosovës, se nuk mund ta përçajnë popullin serb në krahinën jugore serbe”, porositi Angjellkoviq.
0 komentet