Avokati i Popullit me ambasadorët në Kosovë: Ekziston tendencë e sulmeve ndaj institucioneve të pavarura
Avokati i Popullit, Naim Çelaj, organizoi një takim me ambasadorët në Kosovë me rastin e 25-vjetorit të themelimit të institucionit dhe me këtë rast shprehu nevojën që partneriteti me aleatët të forcohet dhe të vazhdojë më tej në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut, duke theksuar sulmet ndaj institucioneve të pavarura.
Ai përmendi sfidat me të cilat përballet Kosova, duke përfshirë edhe pamundësinë e konstituimit të Kuvendit, dhe nënvizoi se gjatë periudhës sa ushtron detyrën e Avokatit të Popullit ka ekzistuar tendenca e sulmeve ndaj institucioneve të pavarura, por pa specifikuar nga kush.
“Në kohët e fundit, sfida më e madhe me të cilën po përballemi është mungesa e vullnetit politik për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e qeverisë dhe institucioneve të tjera që funksionojnë pas zgjedhjeve. Gjatë këtyre viteve sa jam Avokat i Popullit, kam parë tendencë që institucionet e pavarura të sulmohen vazhdimisht dhe të rrezikohen në forma të ndryshme. Qoftë përmes deklaratave publike, qoftë përmes anashkalimit dhe injorimit të qëndrimeve që merr Avokati i Popullit”, shtoi Çelaj.
Takimit i pranishëm ishte edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, i cili tha se institucioni i Avokatit të Popullit ka shënuar arritje të mëdha në respektimin e të drejtave të njeriut dhe barazisë në Kosovë.
“BE-ja i jep theks të madh të drejtave dhe lirive të njeriut, duke kuptuar rolin thelbësor të institucionit të Avokatit të Popullit në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe lirive. Ruajtja e pavarësisë së institucionit të Avokatit të Popullit nënkupton rritjen e besimit publik”, tha ai.
Ai i uroi institucionit të Avokatit të Popullit 25-vjetorin edhe në rrjetin social “X”, duke premtuar mbështetje për punën e tij.
“Ruajtja e pavarësisë së këtij institucioni do të thotë rritje e besimit publik. Zbatimi i plotë i rekomandimeve të tij nga të gjitha institucionet në Kosovë është me rëndësi jetike, si mbrojtje kyçe e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit dhe pjesë e rrugës së integrimit të Kosovës në BE. Do të vazhdojmë të mbështesim punën e Avokatit të Popullit”, shkroi Orav.


komentet