Barduani: Çelja e urës mbi Ibër çështje politike, zgjidhja me dialog
Komandanti i Kfor gjeneral-major Enriko Barduani ka thënë në një intervistë për RTV 21 se çelja e urës mbi Ibër në Mitrovicë, është çështje politike dhe vendimi për këtë, duhet të merret përmes dialogut në Bruksel. Derisa nuk gjendet zgjidhje politike, përmend ai, Kfor do të vijojë të mbajë prezencën e vet në urë dhe ndërmarrë patrullime të rregullta në zonat përreth. Barduani ka thënë se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë por që egziston rrezik për eskalim pasi, mes të tjerash, shpesh përdoret retorikë therëse, janë të shumta dhe aktet e njëanshme, nën kujtesën e rastit Banjska dhe shpërthimin në kanalin Ibar-Lepenac.
Duke folur për urën mbi Ibër, Barduani kujtoi se gjatë shërbimit të tij të mëparshëm në Kosovë në periudhën e viteve 2001 dhe 2015, ura ishte e mbyllur për automjetet dhe bëri të ditur se për të, kjo do të thotë se mbyllja e kësaj ure, nuk është vetëm çështje sigurie, por e orjentuar drejt natyrës politike.
“Për t’a sqaruar qëndrimin e NATO për këtë temë, mund të them se ajo ishte, ka qenë e qartë, e vazhdueshme, konsistente dhe transparente gjatë gjithë kohës: vendimi për urën mbi Ibër në Mitrovicë duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim të duhur e efikas me komunitetet vendore, si dhe me komunitetin ndërkombëtar. Ndërkohë, KFOR mban dhe do të vazhdojë të mbajë më tej prezencën e vet mbi urë dhe të ndërmarrë patrullime të rregullta në zonat përreth derisa të gjendet zgjidhje politike” tha Barduani.
Pyetjes se çfarë e rëndon rolin e Kfor gjatë mandatit të tij një vjeçar që po i vjen fundi, Barduani tha se Kosova padyshim prej kohësh karaterizohet nga sfida komplekse dhe të ndërlidhura, pasojat e të cilave ndihen në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Mes këtyre sfidave të pazgjidhura, sikurse tha, çështjet politike janë padyshim më urgjente, pasi pengojnë proçesin e normalizimit mes Beogradit dhe Prishtinës dhe ndikojnë në sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Ndaj, shton, KFOR mban prani vigjilente dhe fleksibile në mbarë Kosovën, e gatshme të reagojë shpejt ndaj çdo ngjarjeje që mund të kërcënojë stabilitetin rajonal dhe sigurinë lokale.
"Këtë e bëjmë në përputhje me mandatin tonë afatgjatë të Kombeve të Bashkuara duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo moment, në mënyrë të paanshme, e veçanërisht në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Kosovare dhe Misionin e Bashkimit Europian të Sundimit të Ligjit, në rolet e tyre përkatëse si garantues të sigurisë. Përmes pranisë dhe aktiviteteve tona të përditshme, gjithashtu synojmë të mbajmë kornizën e sigurisë si dhe mbështetje të përpjekjeve të rëndësishme diplomatike", tha Barduani për RTV 21.
Pyetjes rreth situatës së sigurisë në Kosovë, Barduani tha se situata është paqësore, por që egziston rrezik nga eskalimi sepse, mes të tjerash, shpesh përdoret retorika nxitëse, veprime të shumta të njëanshme dhe ndodhi dhe incidenti në Banjskë në vitin 2023, ashtu sikurse shpërthimi që goditi kanalin Ibër-Lepenac në nëntor të vitit të kaluar.
Prania e KFOR ishte edhe më e rëndësishme në këto rrethana sfiduese, thekson Barduiani dhe shton se e ndihmuan në ruajtjen e stabilitetit, ndaljen e eskalimit duke parandaluar dhe qetësuar situatat që mund të çonin deri në incidente.
Pyetjes nëse është e mundur të ketë eskalim të mëtejshëm për shkak të përpjekjeve të Sërbisë për të destabilizuar Kosovën, Barduani deklaron se si ushtarak profesionist, më shumë do që t’a mbështesë në fakte.
“Roli im nuk më lejon të jap ndonjë spekulim personal. Ajo që mund të them është se Sërbia është faktor relevant në rajon dhe ne si NATO presim që Beogradi të vazhdojë të respektojë plotësisht detyrimet e veta ndaj mandatit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB të vitit 1999 dhe marrëveshjes tekniko-ushtarake. Dhe në këtë mënyrë, presim që Beogradi të luajë rol konstruktiv në rajon. Nga perspektiva jonë, ne vazhdojmë t’a ndjekim me kujdes situatën, të mbajmë prani të zgjeruar dhe fleksibile në mbarë Kosovën dhe të bashkëpunojmë me organizatën e sigurisë kosovare dhe forcat e ushtrisë së Sërbisë” tha Barduani.
Përsa i përket Sërbisë, sikurse tha, bashkëpunimi mes KFOR dhe Ushtrisë së Sërbisë është shumë profesional dhe në nivel të shkëlqyer, si dhe kontaktet e tija të rregullta me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Sërbisë gjeneral Millan Mojsilloviq.
“Edhe një herë, mendoj se këto përpjekje janë kyçe për të ruajtur stabilitetin rajonal” tha ai.
Theksoi se Beogradi respekton “vijat e kuqe“ që janë theksuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të KB dhe me referencë të veçantë në raport mes Kfor dhe autoriteteve ushtarake sërbe.
“Ato janë të shkruara në Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake të cilat NATO dhe Sërbia i nënshkruan në vitin 1999. Ushtria e Sërbisë dhe të gjithë aktorët me të cilët bashkëpunojmë janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë si dhe përkushtimin tonë të palëkundur. Vetëm për t’ju ofruar informacione të plota rreth kësaj çështjeje, bazuar në proçedurat egzistuese që dalin nga marrëveshja tekniko-ushtarake, Sërbia ka detyrimin e qartë se gjithmonë të njoftojë KFOR për të gjitha zhvillimet e tyre dhe aktivitet operacionale në afërsi të vijës së kufirit administrativ brenda zonës tampon pesë kilometërshe që e quajmë ish-zona e sigurisë tokësore. Përgjithësisht ky mekanizëm vazhdon të funksionojë efektivisht dhe jam i kënaqur me nivelin e lartë të bashkëpunimit profesional që KFOR ka zhvilluar në këtë këndvështrim” ka thënë komandanti i KFOR.
Pyetjes se cili është niveli i gatishmërisë së KFOR për të ndaluar "çdo konflikt potencial nga Sërbia", Barduani përsëriti se së pari, forcat e armatosura sërbe janë "të detyruara të raportojnë më parë praninë dhe aktivitetet e tyre në kufirin administrativ të NATO” dhe se përherë kanë respektuar këtë detyrim.
“Në këtë kuptim, mund të konfirmoj se gjatë mandatit tim, nuk kemi vërejtur ndryshime të dukshme të rëndësishme në praninë dhe qëndrimin e tyre. E dyta, KFOR mban prani të fortë dhe të dukshme në këtë zonë. Vazhdimisht ndjekim këtë situatë përmes spektrit të gjerë aktivitetesh, përfshirë patrullime të rregullta, vëzhgime, si dhe zbulime tokësore e ajrore dhe kontakte me civilë. Këto masa na mundësojnë të ruajmë njohje të saktë të situatës dhe menjëherë të identifikojmë çdo situatë jonormale apo zhvillim që mund të rrezikojë stabilitetin. Njëkohësisht, sikurse e përmenda, mbajmë kontakte të rregullta me forcat e armatosura sërbe, sepse komunikimi përherë ndihmon në parandalimin e keqkuptimeve dhe ruajtur stabilitetin” ka theksuar Barduani.
Në përgjigje të pyetjes rreth prezencës së Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri, Barduani tha se në përputhje me detyrimet egzistuese që autoritetet dhe institucionet në Kosovë pranuan me NATO në vitin 2013, FSK mund të dislokohet në veri të Kosovës vetëm me miratimin paraprak të komandantit të KFOR.
Barduani deklaroi se si komandant i KFOR, përshëndet respektimin e vazhdueshëm të këtij detyrimi nga ana e FSK e cila së fundmi u konfirmua me shkrim nga institucionet kosovare për këtë çështje.
“Përsa i përket mundësisë së rritjes së sigurisë në veri, mund t’ju vërtetoj se KFOR është i mirëpajisur dhe i pozicionuar për të operuar mëvetësisht. Megjithatë, marrëdhëniet mes KFOR dhe FSK janë të rëndësisë së jashtëzakonshme, sikurse së fundmi u dëshmua kur FSK dërgoi ekipin e kërkim-shpëtimit në Liqenin e Ujmanit nën autorizimin dhe kontrollin e KFOR. Njëkohësisht, marrëdhënia mes KFOR dhe FSK vazhdon rregullisht në përputhje të plotë me mandatin rajonal e gjithashtu me përfshirjen e ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATO që është një element më shumë i pranishëm në Kosovë” tha ai.
Në lidhje me incidentin në Banjskë, Barduani tha se ai, ashtu sikurse dhe sulmet ndaj trupave të Kfor në vitin 2023, janë të papranueshme dhe autorët duhet të identifikohen qartë dhe të vendosen para drejtësisë.
Ai theksoi se Nato e ka bërë të ditur se kjo nuk mund të përsëritet.
Duke folur për nevojshmërinë që çështja të zgjidhet përmes dialogut Beograd-Prishtinë, Barduani tha se fatkeqësisht nuk është arritur përparim domethënës në normalizimin e marrëdhënieve prej shumë kohësh.
"Edhe përgjatë mandatit tim, gjithashtu di se ndikimi direkt i sigurisë nga ndikimi momental tek dialogu, shkon për llogari të sigurisë, nuk mund të përjashtojmë që mungesa e dialogut kuptimplotë rrezikon t'i shndërrojë çështjet politike në çështje sigurie", tha ai.
Theksoi se zgjidhja në fund të fundit është politike e jo ushtarake, dhe shtoi se në këtë kontekst, KFOR mbetet plotësisht i përkushtuar për të mbështetur dialogun në koordinim të ngushtë me aktorët e tjerë të bashkësisë ndërkombëtare të pranishme në Kosovë.
Pyetjes se deri në çfarë mase institucionet në Kosovë ende nuk janë formuar pas zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt, Barduani tha se situata politike mund të ndikojë në sigurinë lokale dhe për këtë ndjekin me kujdes zhvillimet politike pas zgjedhjeve parlamentare.
"Në këtë kuptim, KFOR do të vazhdojë të ndjekë çdo zhvillim të mundshëm të situatës e njëkohësisht i bashkohemi bashkësisë ndërkombëtare në inkurajimin e palëve që të ecin seriozisht përpara", tha ai.
Duke i’u përgjigjur pyetjes nëse Kosova është gati të bëhet pjesë e NATO, Barduani tha se kjo çështje është jashtë mandatit të tij.
"Do t'i drejtoheni udhëheqjes politike të NATO pasi të gjitha vendimet, përfshirë ato që lidhen me anëtarësimin, merren unanimisht nga aleatët", shtoi Bardouani.
Tha se beson që të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë ndajnë dëshirë unike dhe të fortë për të jetuar në paqe, për të gëzuar stabilitet dhe të ndërtojnë prosperitet dhe shtoi se rruga për arritjen e kësaj dëshire nuk është ushtarake, por politike.
"Roli i KFOR është të definojë kornizën për angazhim real dhe të sinqertë politik", shtoi ai.
Duke folur për praninë e forcave amerikane në kuadër të KFOR në Kosovë, Barduani deklaroi se Shtetet e Bashkuara e kanë konfirmuar qartë angazhimin e tyre ndaj aleancës, e gjithashtu ndaj KFOR përmes kontributit të tyre afatgjatë, që momentalisht e përbëjnë 600 ushtarë amerikanë.
"Ndaj, nuk shikoj asnjë shenjë të tërheqjes së SHBA. E dyta, kohët e fundit ndava vlerësimin tim për situatën e sigurisë dhe informacionin më të fundit mbi aktivitetet e KFOR në kuadër të Këshillit të Atlantikut të Veriut dhe Komitetit Ushtarak të NATO në Bruksel dhe disa ditë më parë me ambasadorët e 33 vendeve që kontribuojnë me trupa në KFOR këtu në Prishtinë. Dhe u takon liderëve tanë politikë të përcaktojnë rrugën e ardhshme të KFOR. Ajo që mund të them është se angazhimi i NATO është stabiliteti në Kosovë dhe në të gjithë rajonin, ndërsa KFOR mbetet shtyllë kryesore e angazhimit të NATO në Ballkanin Perëndimo. Shtyllë e suksesshme", konkludoi Barduani.
0 komentet