BE: Është shqetësues ndërtimi i katër bazave policore në tokë private në veri
Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka njoftuar se është në dijeni të vendimit preliminar të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e tokës me interes publik në komunat Leposaviq dhe Zubin Potok dhe ka apeluar tek autoritetet kosovare që t'i përmbahen me përpikëri procedurave ligjore, gjatë shpronësimit të pasurisë së paluajtshme.
Krijimi i katër bazave të policisë së Kosovës në tokë private dhe shoqërore, siç thuhet, në disa raste edhe para fillimit të procedurës së shpronësimit “shkakton shqetësim lidhur me të drejtat pronësore në veri të Kosovës”, me të cilat institucionet duhet të merren në mënyrë adekuate.
“BE u bën thirrje autoriteteve të Kosovës që të respektojnë me përpikëri procedurat ligjore gjatë shpronësimit të pronës së paluajtshme, të bëjnë gjithçka për të siguruar që të ndiqet procesi i duhur, dhe se të drejtat pronësore të pronarëve dhe palëve të interesuara të prekura respektohen plotësisht”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Zyra e BE-së në Prishtinë deklaroi se çdo shpronësim është nga natyra e ndjeshme, prandaj procedurat ligjore parashikojnë hapa të tillë si - që pronarët e pronave të njoftohen paraprakisht dhe të informohen plotësisht, dhe se ata kanë të drejtë të komentojnë mbi shpronësimin e kërkuar, mundësinë e një mjeti juridik të përshtatshëm dhe kompensimin adekuat përpara procesit.
komentet