Borell ishte dashur të vizitonte Kosovën më 26 shkurt, udhëtimi u shty pas bisedimeve në Mynih
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kishte planifikuar të vizitonte Kosovën më 26 shkurt, por ai udhëtim u shty pas bisedimeve me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Mynih, mëson Kosovo online nga një burim diplomatik në Prishtinë. I njëjti burim na ka konfirmuar se pas Prishtinës, më 28 shkurt Borrell ka planifikuar të vizitonte Beogradin.
"Vizitat janë në pritje pas bisedimeve në Mynih. Nuk ka shenja se palët janë të përkushtuara për përparim të mëtejshëm në dialog", na tha një burim diplomatik nga Prishtina.
Kujtojmë se zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, ka thënë dje për agjencinë Beta se në këtë moment Bashkimi Evropian nuk mund të shpall raundin e ri të dialogut të nivelit të lartë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Nuk kemi asgjë në bazë të së cilës mund të shpallim një dialog të mundshëm në nivel të lartë”, tha ai, duke iu referuar deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq se pret një ftesë në Bruksel këto ditë dhe se shpreson për një zgjidhje lidhur me vendimin e Prishtinës për ndalimin e përdorimit të dinarëve në Kosovë.
Stano e tha këtë, me kërkesë të agjencisë Beta, për të shpjeguar nëse deklarata e Vuçiqit (pas bisedimeve në Mynih me Përfaqësuesin e Lartë Evropian Josep Borrell dhe të dërguarin special Miroslav Lajçak) do të thotë se së shpejti mund të zhvillohet një raund i ri dialogu.
komentet