Brnabiq me Zijade: Beogradi ka paralajmëruar brutalitet ndaj serbëve në Kosovë
Kryeministrja e Republikës së Serbisë, Ana Brnabiq, ka biseduar sot me Përfaqësuesen Speciale të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe shefen e misionit të UNMIK-ut, Karolin Zijade, për situatën në Kosovë, njoftoi Qeveria e Serbisë.
Siç thuhet në njoftim, Brnabiq në veçanti ka theksuar se ngjarjet tragjike të 24 shtatorit në veri të Kosovës janë përdorur dhe keqpërdorur në mënyrë tendencioze nga përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe media të caktuara në Prishtinë me qëllim të përhapjes së dezinformatave dhe gjysmë të vërtetave.
Kryeministrja theksoi se Beogradi vazhdimisht dhe me këmbëngulje ka paralajmëruar për brutalitet, dhunë dhe diskriminim, ndaj të cilit popullata serbe dhe ajo joshqiptare në Kosovë është ekspozuar për një kohë të gjatë, gjë që çoi në eskalim dhe ngjarje tragjike.
Brnabiq posaçërisht theksoi se Bashkësia e Komunave Serbe ende nuk është formuar, edhe pse Prishtina është përkushtuar për këtë përmes Marrëveshjes së Brukselit më shumë se dhjetë vjet më parë, thuhet në deklaratë.
Zijade theksoi se më e rëndësishmja është se Serbia është e përkushtuar për paqen, stabilitetin dhe dialogun, i cili mbetet mjeti më i rëndësishëm për arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme në territorin e Kosovës.
Shefja e Misionit të UNMIK-ut theksoi se Misioni mbetet i qëndrueshëm në zbatimin e mandatit të tij në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, theksohet në njoftim.
komentet