Bugaçku: Basha e ka shkelur Kushtetutën tri herë gjatë zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb

Vulnet Bugačku
Burim: Kosovo Online

Vullnet Bugaçku nga Instituti Demokratik i Kosovës ka deklaruar se kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, në vazhdimin e djeshëm të seancës konstituive ka marrë vendime që bien ndesh me Kushtetutën, me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe me praktikën parlamentare të konsoliduar në Kosovë.

Bugaçku tha se Kushtetuta parashikon qartë që tre nënkryetarët e parë të Kuvendit i propozojnë tre grupet më të mëdha parlamentare, ndërsa dy nënkryetarë të tjerë propozohet nga komunitetet joshumicë: një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet e tjera joshumicë.

„Megjithatë, pavarësisht kësaj qartësie normative, kryetari i Kuvendit ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën, me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit dhe me praktikën parlamentare të deritanishme, sepse nuk e ka respektuar të drejtën e subjektit parlamentar që përfaqëson komunitetin serb që të propozojë i pari kandidatin për nënkryetar, ashtu siç parashihet me nenin 67(4) të Kushtetutës dhe nenin 12 të Rregullores së Kuvendit. Përkundrazi, ai ka ftuar përfaqësuesit e subjekteve nga komunitetet e tjera joshumicë që të japin propozimin e parë për nënkryetar“, theksoi ai.

Sipas Bugaçkut, procedura e votimit të ndarë për secilin kandidat të propozuar nga komunitetet joshumicë është jo vetëm në kundërshtim me kërkesën kushtetuese për votim, por edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

„Gjykata ka theksuar rëndësinë e respektimit të procedurave të parashikuara nga Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit dhe praktika parlamentare e deritanishme, si garanci për legjitimitetin institucional të konstituimit të Kuvendit“, ka shkruar Bugaçku në një postim në Facebook.

Ai ka shtuar se Basha ka zhvilluar edhe procedurën e shortit për përcaktimin dhe zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, pa pajtimin dhe pa pjesëmarrjen e këtij komuniteti.

„Ky veprim nuk ka asnjë bazë as në Kushtetutë, as në Rregulloren e Kuvendit. Për më tepër, është në kundërshtim me parimet e demokracisë parlamentare dhe me përfaqësimin e garantuar të komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës, duke cenuar barazinë ndërmjet komuniteteve dhe funksionimin e balancuar të Kuvendit. Për këtë arsye, në këto rrethana, mënyra e vetme për ta rikthyer legjitimitetin dhe për ta respektuar hierarkinë kushtetuese është përsëritja e procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komuniteteve, në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe praktikën e deritanishme të konstituimit të Kuvendit“, ka përfunduar Bugaçku.