Dioqeza e Rashkës-Prizrenit: Deklaratë e papërgjegjshme e Policisë së Kosovës, askush nuk është ndaluar brenda Bogosllovisë
Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit është deklaruar lidhur me ndalimin e 16 personave në Kosovë, nga të cilët 12 kishin qëndruar natën e kaluar në pjesën e mysafirëve të Bogosllovisë së Shën Kirilit dhe Metodit në Prizren. Nga Dioqeza theksojnë se asnjë person nuk është ndaluar brenda Bogosllovisë, dhe se Policia e Kosovës nuk ka hyrë në hapësirat e këtij institucioni kishtar-arsimor.
Në njoftim thuhet se të gjithë mysafirët e Bogosllovisë kanë qenë pelegrinë, të cilët kanë hyrë ligjërisht në territorin e Kosovës për të marrë pjesë në shërbesa fetare dhe kremtime kishtare. Siç theksohet nga Kisha, ajo nuk mund të ketë një pasqyrë të plotë mbi të gjithë vizitorët, pasi ata vijnë në përputhje me ligjet dhe nën kontrollin e institucioneve përkatëse.
“Disa serbë që kanë kaluar natën e kaluar në Bogosllovi, ndër të cilët sipas të dhënave tona vetëm dy persona janë nën dyshim nga organet e Kosovës për aktivitete të supozuara të palejuara, nuk janë personalisht të njohur për klerin dhe administratën e Bogosllovisë, por si të gjithë pelegrinët e tjerë kanë kaluar natën në prag të liturgjisë së sotme në kishën katedrale në Prizren, dhe vetëm pas kësaj janë ndaluar në qytet, jashtë kompleksit të Bogosllovisë,” theksohet në njoftim.
Dioqeza e Rashkës-Prizrenit ka hedhur poshtë si “plotësisht të papërgjegjshme” pohimet nga deklarata e Policisë së Kosovës se Bogosllovia kinse është përdorur për “kamuflim ose nxitje të tensioneve ndëretnike dhe fetare”. Siç theksohet, insinuata të tilla nuk bazohen në fakte dhe cenojnë liritë fetare.
Dioqeza e Rashkës-Prizrenit bën thirrje për përmbajtje në paraqitjet publike dhe për respektim të vendeve të shenjta, duke theksuar se institucionet fetare mbesin të hapura për të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që vijnë me qëllim për të praktikuar paqësisht fenë e tyre.
0 komentet