Diskutim në Mitrovicën e Veriut për sfidat pas zgjedhjeve: Serbët më së shumti shqetësohen për çështjet ekzistenciale

MITROVICA
Burim: Kosovo Online

Diskutimi me temën “Pozita e komunitetit serb në pritje të formimit të institucioneve: sfidat, marrëdhëniet institucionale dhe perspektivat e ardhshme”, i organizuar nga OJQ-ja “Aktiv”, u mbajt sot në Qendrën për Energji Qytetare (CEC) në Mitrovicën e Veriut, dhe një nga përfundimet e këtij takimi ishte se mes qytetarëve, në një masë të madhe, ekziston pesimizëm sa i përket zgjidhjes së çështjeve ekzistenciale.

Gjatë diskutimit, përfaqësues të sektorit joqeveritar, mediave, qytetarëve dhe partive politike biseduan për sfidat me të cilat përballet komuniteti serb pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, si dhe për perspektivat e avancimit të dialogut institucional pas formimit të institucioneve të reja.


U përmendën edhe rastet e fundit të cenimit të të drejtave të komunitetit serb në Kosovë, si arrestimet dhe pretendimet për keqtrajtim të qytetarëve nga Policia e Kosovës në Gazimestan më 28 qershor, rrënimi i shtëpizave të fundjavës në Gjirin e Çeçevës, si dhe problemet me targat dhe dokumentet.

Zoran Saviq nga OJQ-ja “Aktiv” theksoi se fokusi i diskutimit ishte pozita e komunitetit serb gjatë periudhës para zgjedhjeve, gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve.

“U trajtuan temat më urgjente. Folëm për të ardhmen e universitetit, të ardhmen e sistemit shëndetësor dhe mënyrën se si do të zhvillohen këto procese. Gjithashtu biseduam për vetëqeverisjen lokale në komunat me shumicë serbe. Përmendëm shumë raste kur pushteti lokal është anashkaluar dhe kur institucionet qendrore kanë marrë vendime pa përfshirjen e kuvendeve komunale. Diskutuam edhe ngjarjet e Vidovdanit, kur u arrestuan 36 persona, si dhe atë që ndodhi gjatë atyre arrestimeve. Kishim edhe dëshmitarë të pranishëm. Trajtuam edhe temat që lidhen me Kampin Rezala dhe shtëpizat e fundjavës në Çeçevë, të cilat janë rrënuar ose pritet të rrënohen. U përpoqëm të marrim përgjigje nga pjesëmarrësit se si e shohin zhvillimin e mëtejshëm të situatës dhe çfarë pret komuniteti serb pas formimit të institucioneve”, tha Saviq.


Sipas tij, nga ky diskutim mund të shihet se mes qytetarëve mbizotëron një nivel i lartë pesimizmi sa i përket zgjidhjes së çështjeve ekzistenciale.

“Komuniteti serb ka mekanizmin e vet përmes vetëqeverisjeve lokale, ku kryetarët e komunave dhe shumica e këshilltarëve janë nga komuniteti serb. Megjithatë, fatkeqësisht kemi pasur raste kur pushteti lokal është anashkaluar me vendime të caktuara. Para së gjithash, për ankesat e paraqitura nga kryetarët e komunave dhe këshilltarët komunalë ende nuk kemi informacione nëse ndonjë nga ato çështje do të korrigjohet. Prandaj, në rreth 80 për qind të rasteve njerëzit janë pesimistë, duke e bazuar këtë në përvojat e tyre nga periudha e kaluar”, përfundoi Saviq.


Organizatorët theksuan se përfundimet dhe rekomandimet e këtij takimi do të përfshihen në një analizë që do t’i dorëzohet bashkësisë ndërkombëtare.