Ellek: Lista Sërbe do të vazhdojë te jetë boshti i tubimit të sërbëve në K&M
Në seancën e sotme të Kuvendit të Listës Sërbe mbajtur në selinë e partisë në Mitrovicën e Kosovës, për kryetarin e ri njëzëri është zgjedhur dr Zllatan Ellek, bëhet e ditur nga kjo parti.
Siç bëhet e ditur në deklaratë, Ellek i cili zëvendësoi në këtë vend Goran Rakiqin me këtë rast u shprehu mirënjohjen delegatëve të Listës Sërbe për mbështetjen, besimin dhe nderin që i kanë shfaqur.
Njëkohësisht, ka falënderuar kryesinë e mëparshme të Listës Sërbe për përkushtimin që kanë treguar në luftën për interesat e popullit sërb në rrethana jashtëzakonisht komplekse.
Ellek, siç thuhet në njoftim, theksoi se “Lista Sërbe edhe në periudhën pasuese do të jetë boshti rreth të cilës do të tubohet populli sërb në Kosovë e Metohi ashtu sikurse të gjitha vendimet e rëndësishme politike përherë do të merren në koordinim me Beogradin zyrtar dhe në interes të të gjithë popullit sërb për të ruajtur përmes unitetit të nevojshëm”.
Në seancën e sotme në vendet e nënkryetarëve të Listës Sërbe u zgjodhën Dragisha Milloviq, Ivan Zaporozhac, Tanja Vujoviq, Dragana Antonijeviq dhe Dallibor Jevtiq.
Për anëtarë të kryesisë së Listës Sërbe u zgjodhën Gordana Saviq, Sërgjan Popoviq, Sërgjan Vulloviq, Nemanja Bishevac, Sllavko Simiq, Ivan Todosijeviq, Verica Qeraniq, Sinisha Llaziq dhe Sasha Millosheviq.
komentet