Ellek: Lista Serbe të hënën nis peticion kundër ndërtimit të urës mbi Ibër

Zlatan Elek
Burim: TV Most

Në lidhje me paralajmërimin e Prishtinës për ndërtimin e një ure të re mbi lumin Ibër për kalimtarë dhe automjete, kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, thekson se serbët janë kundër një vendimi të tillë, sepse ajo urë nuk do të jetë simbol bashkimi, por përçarjeje dhe ndarjeje. Për këtë arsye, Lista Serbe do të nisë një peticion kundër ndërtimit të saj, raporton TV Most.

Ellek ka paralajmëruar se qytetarët do të mund ta nënshkruajnë peticionin duke filluar nga e hëna, para selisë së Listës Serbe.

„Këto ditë kemi zhvilluar bisedime intensive me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare dhe nga ta presim një përgjigje më serioze ndaj kësaj provokimi të qartë nga Prishtina. Në fund të fundit, detyra e bashkësisë ndërkombëtare është të sigurojë paqe për çdo qytetar, dhe shpresoj që do të arrijë ta bëjë këtë“, thekson Ellek.

Ai nënvizon se bashkësisë ndërkombëtare i është paraqitur simbolika e urës mbi Ibër, e cila ndan pjesën veriore nga ajo jugore e qytetit.

„Të gjithë e dimë mirë që ura mbi Ibër është simbol i vuajtjeve të popullit serb, i cili me jetën e vet ka mbrojtur veriun e Kosovës, si dhe fytyrën e bashkësisë ndërkombëtare që vazhdimisht flet për multietnicitetin. Gjithashtu u kemi bërë me dije të gjithëve se nuk jemi konsultuar, as nuk jemi pyetur për ndërtimin e një ure të re dhe kemi theksuar se të gjithë serbët janë kundër saj. Prandaj kemi nisur peticionin që qytetarët tanë do të mund ta nënshkruajnë nga e hëna para selisë së Listës Serbe“, deklaron Ellek për TV Most.

Në fund, ai thekson se kjo urë nuk do të ishte kurrfarë bashkimi, por do të thellonte ndarjen dhe përçarjen.