Ellek: Zgjedhjet e 7 qershorit janë betejë për mbijetesën e serbëve, uniteti kyç për fitimin e të dhjetë mandateve

Zlatan Elek
Burim: Kosovo Online

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, deklaroi se zgjedhjet e 7 qershorit përfaqësojnë një betejë për mbijetesën dhe qëndrimin e popullit serb në Kosovë dhe theksoi se uniteti është kyç në mënyrë që komuniteti serb të fitojë të gjitha dhjetë mandatet që i takojnë. Elek vlerësoi se serbët në Kosovë janë të ekspozuar ndaj presioneve të vazhdueshme dhe diskriminimit institucional, por theksoi se Lista Serbe do të vazhdojë të luftojë për ruajtjen e institucioneve serbe dhe vullnetit zgjedhor të qytetarëve.

Lista Serbe, kujton Ellek, në zgjedhjet e kaluara parlamentare fitoi shumicën dërrmuese të votave në të dhjetë komunat serbe në Kosovë.

“Kjo flet mjaftueshëm për vullnetin e popullit serb dhe për mbështetjen ndaj Listës Serbe. Jam i sigurt se populli ynë është politikisht i mençur dhe i përgjegjshëm dhe se e di që këto janë shumë më tepër sesa zgjedhje të zakonshme. Kjo është një betejë për mbijetesën dhe qëndrimin tonë në këto hapësira, për institucionet tona, për të drejtën që të mbetemi dhe të luftojmë në vatrat tona. Pres që Lista Serbe në zgjedhjet e ardhshme të 7 qershorit të jetë edhe më e fortë, sepse vetëm kështu mund t’i mbrojmë interesat e popullit serb në territorin e Kosovës dhe Metohisë”, theksoi Ellek në ”Dnevnik” e RTS-së.

I pyetur se si të arrihet uniteti dhe harmonia e popullit serb në ditën e votimit, Ellek u përgjigj se vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet fitimi i të gjitha dhjetë mandateve që i takojnë komunitetit serb.

“Lista Serbe gjithmonë insiston në unitetin dhe harmoninë e popullit serb në territorin e Kosovës dhe Metohisë, sepse konsiderojmë se vetëm nëse jemi unikë dhe të bashkuar mund t’i fitojmë të gjitha 10 mandatet. Prandaj është e rëndësishme që më 7 qershor të dalim në numër sa më të madh në vendvotime, të mos i shpërndajmë votat dhe të mos u japim mbështetje satelitëve të Kurtit”, tha ai.

Elllek theksoi se ka mirëkuptim për lodhjen e qytetarëve, sepse pas tyre janë disa procese zgjedhore, por edhe, siç tha ai, muaj dhe vite të vështira gjatë të cilave është ushtruar presion i madh mbi popullin serb.

Ai theksoi se në mbledhjen e sotme të Kryesisë së partisë do të përcaktohen kandidatët për zgjedhjet e ardhshme.

“Terrori, arrestimet e serbëve pa asnjë bazë, të gjitha me qëllim dobësimin e fuqisë politike të serbëve dhe të Listës Serbe dhe shuarjen e të gjitha institucioneve serbe në Kosovë. Ju e dini mirë se Lista Serbe është e vetmja që ka mbështetjen e shtetit të Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq dhe që lufton për interesat e çdo serbi, pavarësisht se ku jeton ai në territorin e Kosovës dhe Metohisë. Ajo që është e rëndësishme është se Lista Serbe sot do të mbajë mbledhjen e Kryesisë, ku do të përcaktojmë kandidatët tanë për zgjedhjet e ardhshme të 7 qershorit. Shpresoj që edhe këtë herë të jenë kandidatët më të mirë, njerëz profesionalisht të realizuar dhe politikisht me përvojë, të cilët kanë përfaqësuar qëndrimet e popullit serb si në Prishtinë ashtu edhe në Kuvendin e Kosovës”, deklaroi kryetari i LS-së.

Ellek shtoi se Lista Serbe përsëri është privuar nga anëtarët në disa komisione komunale zgjedhore dhe se nuk ka përfaqësuesit e saj në komunat e rëndësishme ku jeton populli serb, gjë që sipas tij vë në pikëpyetje rregullsinë e procesit zgjedhor.

“Fatkeqësisht po ndodh ajo për të cilën kemi paralajmëruar zyrtarët ndërkombëtarë – diskriminimi institucional ndaj popullit serb dhe Listës Serbe. Deri tani kemi mundur të kontrollojmë 18 vende, ndërsa tani, fatkeqësisht, vetëm 14. Kjo është dëshmi se disa qendra pushteti në Prishtinë duan ta dobësojnë Listën Serbe dhe popullin serb, duke vënë në pikëpyetje rregullsinë dhe gjithë procesin demokratik zgjedhor. Pavarësisht të gjitha pengesave, Lista Serbe do të luftojë për çdo votë të çdo serbi në territorin e Kosovës dhe Metohisë dhe do ta ruajmë vullnetin zgjedhor të qytetarëve tanë”, tha ai.

Ai theksoi se serbët në Kosovë jetojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira, nën presion të vazhdueshëm nga autoritetet në Prishtinë.

“Detyra e Listës Serbe, si partia politike më serioze dhe më e madhe e serbëve në Kosovë dhe Metohi, është që të jetë vazhdimisht pranë popullit të vet dhe t’i ofrojë çdo lloj mbështetjeje institucionale, juridike dhe çdo lloj tjetër. Çelësi i mbijetesës është që të jemi të bashkuar dhe unikë, të kemi mbështetje të fortë nga shteti i Serbisë dhe të ruajmë institucionet tona të shëndetësisë dhe arsimit, si dhe të luftojmë për çdo vend pune nën kompetencën e shtetit të Serbisë”, shtoi ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar investime të reja në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë në Kosovë, si dhe ndërtimin e një rruge të shpejtë deri në Mitrovicën e Veriut, gjë që Elek e sheh si një nxitje të madhe për mbijetesën në Kosovë.

“Mbështetja e shtetit të Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq është me rëndësi vendimtare për mbijetesën dhe qëndrimin e popullit serb në Kosovë dhe Metohi. Falë kësaj mbështetjeje janë ruajtur institucionet tona, spitalet dhe shkollat, janë hapur vende të reja pune, janë rindërtuar çerdhet... Çdo projekt i ri infrastrukturor, çdo vend i ri pune është një nxitje e madhe për mbijetesën dhe qëndrimin e popullit tonë në Kosovë dhe Metohi. Projekte kaq të mëdha infrastrukturore si rruga e shpejtë japin shpresë të madhe se Serbia mendon për çdo qytetar në KeM dhe japin mbështetje dhe stimulim të madh për qëndrimin e më të rinjve tanë këtu në KeM”, përfundoi Ellek.