Eskobar: BKS do të jetë, pyetja e vetme është nëse me këtë qeveri të Kosovës apo me një të ardhshme
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, porositi sot në Beograd se situata në veri të Kosovës duhet të deeskalohet menjëherë, gjë që, siç tha ai, do të thotë se kryekomunarët e sapozgjedhur shqiptarë nuk i kryejnë detyrat e tyre nga ndërtesat komunale, që pjesëtarët e Policisë së Kosovës tërhiqen prej tyre dhe të ndalohet protestat e qytetarëve.
Duke iu drejtuar mediave në ambasadën amerikane në Beograd, Eskobar tha se SHBA dhe BE shpresojnë për zgjedhje të reja dhe se duan që serbët të marrin pjesë në to.
"Sfida më e madhe për Serbinë është të bindë serbët që të kthehen në institucione. Presidenti Aleksandar Vuçiq tha se do të përdor ndikimin e tij që serbët të marrin pjesë në zgjedhje", tha Eskobar i cili mbrëmë së bashku me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka takuar presidentin e Serbisë.
Lidhur me çështjen e Bashkësisë së Komunave Serbe, ai deklaroi se ajo do të jetë.
"Pyetja e vetme është nëse me këtë qeveri të Kosovës apo me atë të ardhshme. BKS është një kërkesë që qeveria e Kosovës duhet ta përmbushë. Është në marrëveshjen e Brukselit, në konkluzionet e Këshillit të BE-së dhe në marrëveshjen e Ohrit. Nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë, por mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Eskobar.
Ai ka thënë se Marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje normalizimi shumë e rëndësishme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe se ajo thekson obligimet e të dyja palëve.
"Ne duam që të dyja palët të ulen së bashku dhe të fokusohen në planin e zbatimit dhe formimin e BKS-së. Mendoj se mund të kemi shumicën e elementeve të arritur deri në fund të vitit," tha Eskobar.
I pyetur nga një gazetar se cili është afati për tre kërkesat, përfshirë zgjedhjet e reja, nëse është mesi i korrikut, apo edhe pas kësaj, Eskobar tha se “sigurisht nuk do të presë deri në korrik”.
"Pra, unë mendoj se sfida më e madhe për Serbinë është të bindë serbët në Kosovë që të kthehen në institucione. Kjo është diçka ku ne jemi në linjë me Serbinë. Ne duhet të sigurohemi që serbët që marrin pjesë në zgjedhje dhe kthehen në institucionet janë të mirëseardhura”, vuri në dukje Eskobar.
Ai tha se pret që dialogu në mes të të dërguarit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, dhe qeverisë në Prishtinë të vazhdojë edhe pas largimit të tij nga Beogradi.
“Nuk e di nëse deri më tani ka pasur ndonjë reagim nga Qeveria e Kosovës. Shpresoj se ata do të pranojnë se ka një pasojë, të cilën e tregova, e cila është se, siç thashë, t'i kthesh shpinën propozimit evropian do të thotë t'i kthesh shpinën BE-së, dhe kjo përfshin Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Kjo, në vetvete, është një pasojë shumë e rëndë. Ne si miq të tyre i inkurajojmë që të bashkëpunojnë, të koordinohen dhe të harmonizohen me ne dhe të arrijnë stabilitetin rajonal”, tha Eskobar.
Ai theksoi se partneriteti SHBA-BE është i hapur për Kosovën, por nëse vazhdojnë me veprime të njëanshme, largohen nga ai partneritet.
"Dhe kjo është gjithashtu një nga pasojat," tha Eskobar.
Ai ka theksuar se as në Prishtinë e as në Beograd nuk ka dhënë afate deri në të cilat duhet të përmbushen kërkesat e SHBA-së dhe BE-së për deeskalim të krizës.
“Si Lajçak edhe unë do të paraqesim raporte pas këtyre vizitave. Të premten, unë do të raportoj në Shtëpinë e Bardhë nëse ka ndonjë përparim apo jo. Lajçak do t'i paraqesë një raport Borelit. Nuk është një afat, por është hapi i radhës për mua dhe në bazë të raportit tim do të vendosim për hapat e ardhshëm”, tha Eskobar.
Në fillim të fjalës së tij, Eskobar ka thënë se SHBA-të janë të interesuara për thellimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, veçanërisht në ekonomi.
Lajçak dhe Eskobar të hënën dhe të martën kanë qenë edhe në Prishtinë, ku ndër të tjera janë takuar me kryeministren e Kosovës, Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani, si dhe me përfaqësues të Listës Serbe dhe opozitës kosovare.
komentet