Fjalët përfundimtare në gjykimin ndaj serbëve për terrorizëm, Millenkoviq: Gjykoni sipas drejtësisë, mos na dënoni pa prova

 Milun Milenković
Burim: Kosovo Online

Para Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, prokuroria dhe mbrojtja kanë filluar me paraqitjen e fjalëve përfundimtare në rastin kundër Millun Millenkoviqit, Dejan Pantiqit, Aleksandar Vllajiqit dhe Miomir Vakiqit. Ndërsa prokurorja ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë, avokati i mbrojtjes, Predrag Milkoviq, ka kërkuar shpalljen e pafajësisë, ndërsa vetë Millenkoviq ka kërkuar nga gjykata të gjykojë sipas drejtësisë dhe të mos i dënojë pa prova.

Millenkoviqi, Pantiqi, Vakiqi dhe Vllajiqi akuzohen nga Prokuroria Speciale për kryerje të aktit terrorist.

Prokurorja gjatë fjalës përfundimtare theksoi se çdo njëri nga provat e paraqitura në këtë procedurë pa asnjë dyshim vërteton faktin se të akuzuarit kanë kryer veprën penale sipas aktakuzës.

„Nga shqyrtimi i komunikimeve që kemi paraqitur para gjykatës, kemi vërtetuar qartë se të akuzuarit janë përgatitur më herët për kryerjen e veprës“, tha prokurorja.

Duke përmendur pjesë të aktakuzës, ajo theksoi se provat materiale tregojnë se të akuzuarit kishin përgatitur një plan për kryerjen e veprave penale që kanë sjellë, siç tha ajo, dëm për popullin e Kosovës. Ajo i propozoi gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë.

„Vetë shpallja e fajësisë për këta të akuzuar do të kontribuojë në ndalimin e veprave të tilla penale“, tha prokurorja.

Avokati Predrag Milkoviq theksoi se karakteristikat më të rëndësishme që kanë shënuar këtë procedurë penale janë: koha e papërcaktuar e sulmit, mungesa e bashkëveprimit, mungesa e dëmit material, mungesa e të dëmtuarve, mungesa e elementeve të veprës penale dhe fakti se është protesti i vetëm në Kosovë që është cilësuar si terrorist.

"Millun Millenkoviq nuk është fajtor dhe i vetmi përfundim i këtij procesi mund të jetë vetëm aktgjykimi lirues", tha Milkoviq.

Ai shtoi se gjatë këtij procesi, asnjë dëshmi dhe asnjë provë materiale nuk e kanë vërtetuar kohën e saktë të shpërthimit.

Sipas tij, sulmi ndaj zyrave të KKZ-së nuk ka mundur të ndodhë në kohën e përmendur në aktakuzë, por në periudhën prej orës 15:00 deri në 19:00, çka lë një hendek prej katër orësh që nuk është trajtuar në aktakuzë.

"Gjatë këtij procesi, prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë asnjë element të bashkëkryerjes. I gjithë procesi është ndërtuar mbi supozime. Kemi fotografi të Millunit dhe Aleksandrit duke mbajtur telefona në dorë, dhe nga kjo është nxjerrë përfundimi se ata kanë komunikuar me njëri-tjetrin. Komunikimi mes tyre nuk është dëshmuar asnjëherë. Vllajiq ka thënë se ka telefonuar gruan e tij, ndërsa fotografia e Millenkoviqit është bërë në mbrëmje. Pantiqi është parë duke kaluar rrugës me një qese në dorë, dhe prokuroria ka përfunduar se ai është organizatori. Më e çuditshme është përfshirja e Vakiqit së bashku me Millenkoviqin, sepse asnjë dëshmitar apo prokurori nuk e ka përmendur atë në këtë rast. Këta katër persona janë arrestuar në mënyrë të rastësishme, nuk kanë pasur ndonjë marrëveshje dhe as rol organizativ. Po të mos takoheshin në këtë sallë gjyqi, nuk do të ishin takuar as në rrugë", shtoi Milkoviq.

Ai gjithashtu theksoi se asnjë provë materiale nuk ka dëshmuar se çfarë është dëmtuar nga shpërthimi dhe cila është vlera e atyre sendeve.

"Policët që kanë ardhur atë ditë kanë deklaruar se dritarja ka qenë e thyer, ndërsa dera e mbyllur, që do të thotë se gjendja që ka gjetur forenzika në orën 19:00 nuk ka me çfarë të krahasohet", tha Milkoviq.

Ai theksoi se në këtë rast nuk kishte viktima.

"Pretendimi se jeta e anëtarëve të KQZ-së dhe policëve u kërcënua nuk u vërtetua sepse sulmi ndaj zyrës nuk ndodhi kur ata ishin të pranishëm. Sulmi, si ngjarja qendrore e kësaj aktakuze, nuk shkaktoi rrezikimin e jetës së anëtarëve të KQZ-së. Gjithçka që ndodhi atë ditë mund të quhet protestë qytetare, pasi pati qindra të tilla në dekadën e fundit në Kosovë. Zgjedhjet që u ndërprenë u mbajtën katër muaj më vonë. Nuk pati destabilizim të strukturave institucionale", tha Milkoviq.

Sa i përket fotove dhe videove, ne nuk e identifikuam Millunin në asnjë nga videot, theksoi Milkoviq.

Ai shtoi se hetuesi në raport ka deklaruar se nuk është gjetur asgjë në telefonin e Millenkoviqit, ndërsa në aktakuzë thuhet se ai ka mohuar komunikimet nga telefoni i tij përmes aplikacionit Viber.

"Gjatë procesit nuk është dëshmuar që Milun ka siguruar ndonjë bombë, dhe nuk mund të flitet më as për dyshim të bazuar mirë e as për dyshim të bazuar, por vetëm për një vlerësim të dobët dhe të papërkrahur mirë nga prokuroria. I vetmi përfundim i mundshëm i këtij gjykimi është aktgjykimi lirues për Millunin", tha Milkoviq.


Millun Millenkoviq theksoi se nuk është kriminel, siç e kanë karakterizuar, por se jeta e tij mund të përshkruhet me tri fjalë – familjar, baba i dy fëmijëve dhe sportist.

"Kam arritur shumë njohje, dhe në 15 vitet e fundit jam trajner, dhe suksesi im nuk qëndron në atë çfarë kam fituar, por në atë çfarë kam krijuar. Përveç familjes, kam krijuar shumë kampionë në kikboks, kampionë bote, Evrope, Ballkani..., dhe jam pa dyshim një nga trajnerët më të suksesshëm nga këto anë. Këta kampionë nuk i kam krijuar vetëm si sportistë, por edhe si njerëz të mirë, që me reputacionin e tyre të dëshmojnë për atë që kam bërë unë. Sot qëndroj para jush pa asnjë turp dhe pa ndjenjë faji, pavarësisht gjithçkaje që më ka ndodhur kohët e fundit. Nuk e konsideroj veten fajtor dhe ju lutem të gjykoni me drejtësi dhe të mos dënoni një njeri pa dëshmi", tha Millenkoviq.

Gjykimi u shty për shkak të temperaturave të larta në sallën e gjyqit, dhe argumentet përfundimtare do të vazhdojnë më 25 korrik.

Sipas aktakuzës, Millenkoviq, Pantiq, Vakiq dhe Vllajiq, në bashkëkryerje me persona të tjerë të paidentifikuar, kryen një sulm terrorist në ambientet e Komisionit Komunal Zgjedhor më 6 dhjetor 2022., kur, gjatë protestave serbe, u hodhën dy granata dore dhe dy bomba shokuese. Me këtë, siç thuhet në aktakuzë, ata rrezikuan jetën e njerëzve.

Millenkoviq dhe Vllajiq janë në paraburgim, ndërsa të tjerët po mbrojnë lirinë e tyre.