Forumi "Kosova në BE" në Vjenë: Kosovës jepini statusin e kandidatit për pranim në BE
Unioni Europian nuk është tërësisht i plotë pa Ballkanin Perëndimor dhe Kosovës sa më parë duhet t'i jepet statusi i kandidatit, ka qenë mesazhi nga paneli "Kosova në BE" mbajtur në Vjenë, organizuar nga shoqata austriake "Miqtë e Kosovës", e cila i dha çmimin "Erhard Busek" presidentes së Kosovës Vjosa Osmani.
Siç u spegua, Osmani u nderua me çmimin për "lidership dhe angazhim të shquar për paqen, demokracinë dhe integrimin euroatlantik".
Osmani nuk e mori çmimin personalisht, por në video-mesazh ajo theksoi se forumi po mbahet tre ditë pas përvjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO ndaj RFJ dhe se ky fakt tregon se drejtësia gjithmonë gjen rrugën e vet.
Ajo tha se rruga e Kosovës drejt paqes nuk ishte e thjeshtë dhe se ajo "u ndërtua me luftë por dhe nga përpjekja për liri, si dhe nga vendosmëria e aleatëve".
Duke kujtuar se madje dhe Austria neutrale mbështeti ndërhyrjen e NATO, falënderoi politikanët aktualë austriakë për mbështetjen e Kosovës, sikurse deputeti Andreas Minih, eurodeputetët Lukas Mandl dhe Helmut Brandshterer, por dhe shefja e diplomacisë Beate Majnl-Rajzinger.
"Kosova është një vend i natyrshëm në BE dhe NATO. Kosova avokon paqen, lirinë, drejtësinë, sundimin e ligjit dhe miqësinë me demokracitë në mbarë botën", nënvizoi Osmani dhe përsëriti se me krenari, është e përkushtuar ndaj paqes dhe partneritetit, si dhe të ardhmes euroatlantike.
Tubimi nisi me një minutë heshtje për punëtorët e ndërtimit nga Kosova që vdiqën së fundmi në Vjenë.
Organizatori i forumit Gynter Felinger, tha se Kosova ka vend në BE dhe për këtë arsye, derisa të shkohet tek anëtarësia, do të organizojë tubime të tilla dhe se çdo vit në mars, muajin në të cilin nisën bombardimet e NATO në vitin 1999, të cilat sikurse tha "çliruan Kosovën", do të organizohen forume deri në anëtarësimin e Prishtinës.
Ai theksoi se Kosova duhet të marrë sa më parë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Deputeti i Partisë Popullore të Austrisë (OVP) dhe presidenti i Shoqërisë Austriako-Kosovare, Andreas Minih, beson se për Austrinë, duhet të jetë qëllim i rëndësishëm që Kosova të pranohet në BE.
"Vetëm kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e BE, ideja europiane do të zbatohet plotësisht", tha Minih.
Ai tha se megjithatë situata politike në Kosovë aktualisht është jashtëzakonisht e rëndë.
"Pas zgjedhjeve, sërish kemi situatë të paqartë dhe kjo na shqetëson", tha Minih në fjalim.
Presidenti i Unionit Paneuropian, Rainer Kluçek, theksoi se është në interes të BE që Ballkani Perëndimor, kështu dhe Kosova, të jetë pjesë e tij, pasi përndryshe do t'u lihej fuqive të tjera, që paraqesin kërcënim për Europën.
Presidenti i Shoqatës së Biznesit Austriako-Kosovar, Ronald Kokelari, vuri në dukje se në Austri egzistojnë një numër i madh biznesmenësh nga Kosova dhe në pozita drejtuese.
Kokelari, i cili erdhi fëmi në Austri, theksoi rolin e NATO dhe bombardimeve në arritjen e pavarësisë së Kosovës.
Aktivisti i hershëm Niq Krasniqi vuri në dukje traditën e miqësisë midis Austrisë dhe shqiptarëve.
Kujtoi se gjatë monarkisë Austro-Hungareze, Austria bëri shumë për të ndihmuar shqiptarët në Perandorinë Osmane.
Vuri në dukje se shefi i atëhershëm i diplomacisë austriake, Alois Mok, ftoi presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugova në Vjenë e kështu u çeli derën shumë studentëve nga Kosova në Universitetin e Vjenës.
Bëri të ditur se në pozitat drejtuese në universitetet e Kosovës, ndodhen studentë vjenezë, sikurse Albert Hajrullahu që udhëheq Universitetin e Prishtinës.
"Mund të themi se figurat kryesore në sferën e arsimit në Kosovë kanë studiuar në Vjenë", shtoi Krasniqi.
Minih, duke speguar vendimin për t'i dhënë çmimin Osmanit, theksoi se nuk ka grua si ajo që lufton aq shumë për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO.
"Ajo ndërton ura jo vetëm brenda Europës, por kërkon dhe rrugë përtej Atlantikut. Përherë është diçka e veçantë të takohesh me Osmanin. Të dëgjosh idetë, vizionet e saj të Europës së saj me Kosovën, por edhe të bisedosh rreth projekteve të rëndësishme në botë", nënvizoi Minih.
Ky i fundit tha se tubime të tilla organizohen sesi të inkurajohet rruga e Kosovës drejt BE.
"Është e rëndësishme të shqyrtohen fusha të ndryshme në të cilat mund të ofrojmë mbështetje, jo vetëm inkurajim politik. Nevojitet të shqyrtohen masat që mund të kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë dhe fushave të tjera, sesi të ndihmohet Kosova të arrijë në korsinë e shpejtë në rrugën drejt BE", tha Minih për Kosovo Onlajn pas takimit.
Ai theksoi se situata aktuale politike në Kosovë nuk është e kënaqshme.
"Gjynah që kemi situatë të tillë. Por nuk dëshirojmë nga jashtë të japim këshilla. Do të lumturohemi që të kemi qeveri me të cilën mund të punojmë sërish bashkë në të ardhmen dhe të bëjmë hap drejt anëtarësimit në BE", shtoi Minih.




0 komentet