Gashi: Gjyqi i Thaçit dhe të tjerëve në fillim, asnjëra palë nuk do të jetë e kënaqur me epilogun

Tom Gaši
Burim: Kosovo Online

Tre vjet pasi u konfirmua aktakuza kundër ish-presidentit të Kosovës dhe liderit të UÇK-së, Hashim Thaçi dhe të bashkë-akuzuarve të tjerë, nuk është e qartë se cili do të jetë epilogu, dhe avokati Tom Gashi thekson se gjykimi mund të zgjasë nga pesë deri në 10 vjet dhe se serbët apo shqiptarët nuk do të jenë të kënaqur me aktgjykimin, varësisht nëse do të lirohen apo do të akuzohen.

Aktakuza kundër Hashim Thaçit, Kadri Veseljit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Seljimit është ngritur më 24. prill 2020 dhe është konfirmuar më 5. nëntor, në mënyrë që gjykimi të fillojë në prill të vitit 2023. Dëshmitarët e prokurorisë janë duke u marrë në pyetje. 

Avokati Tom Gashi është i bindur se procedura do të zgjasë shumë. 

“Gjykata speciale njoftoi se marrja në pyetje e dëshmitarëve të prokurorit do të zgjasë më shumë se dy vjet, kështu që mendoj se do të jetë një nga rastet që do të zgjasë më shumë se pesë vjet. Sipas meje, nga pesë deri në 10 vjet, sepse ne kemi një gjykatë në tre nivele, siç kemi me ligjet e Republikës së Kosovës. Në këtë situatë, gjykimi zhvillohet si në gjykatën e shkallës së parë, kështu që edhe prokurori, edhe në këtë rast i pandehuri, kanë të drejtë të bëjnë ankesë në gjykatën e shkallës së dytë nëse nuk janë të kënaqur me aktgjykimin që do të kalohet dhe pas kësaj kanë të drejtë ta dërgojnë edhe në gjykatën e shkallës së tretë”, thekson Gashi.


Askush nuk mund të parashikojë epilogun e gjykimit, pohon Gashi, por është e qartë se të pakënaqur do të jenë serbët ose shqiptarët.

“Ne jemi vetëm në fillim të gjykimit dhe mendoj se nuk ka pasur arsye për themelimin e Gjykatës Speciale, ndoshta gjykata është dashur të jetë në territorin e Republikës së Kosovës ose është dashur të jetë ndonjë gjykatë ndërkombëtare që do të akuzojë, pas hetimeve, kushdo që ka kryer veprën penale të krimeve të luftës dhe krimeve të tjera të rënda të ndërlidhura me luftën në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999, dhe të mos jetë gjykatë njëkombëtare, kështu që, për mendimin tim, nëse pjesëtarët e UÇK-së janë shpallë fajtorë, shqiptarët nuk do t'i besojnë ato aktgjykime dhe nëse lirohen, serbët nuk do t'i besojnë ato vendime, kështu që absolutisht nuk i ndihmon askujt, sepse jo të gjithë në Kosovë do t'i besojnë aktgjykimeve që do t'i japë ajo gjykatë", tha Gashi.

Ai kujton se të gjithë nga territori i ish-Jugosllavisë që kanë kryer krime janë gjykuar në Tribunalin e Hagës dhe se njerëzit i kanë besuar asaj gjykate, gjë që, thotë ai, nuk është rasti me Gjykatën Speciale, e cila, sipas tij, është njëkombëtare.

Gashi gjithashtu beson se procesi para kësaj gjykate nuk do të mbyllë një kapitull historik.

“Mendoj se duhet të jetë krejtësisht ndryshe, ka pasur mundësi të zgjatet afati i gjykatës në Hagë për ish-Jugosllavinë ose të krijohet një gjykatë tjetër, një gjykatë ndërkombëtare, e cila do të merrej me të gjithë ata që kanë kryer krime lufte gjatë luftës në Kosovë, dhe jo vetëm nga një popull, ky është gabimi më i madh që është bërë dhe nuk mendoj se do të kontribuojë në ndonjë lloj paqeje në Kosovë, duke pasur parasysh se ende ka tensione mes serbëve dhe shqiptarëve, madje edhe pse kanë kaluar 25 vjet nga lufta. Mendoj se situata është mjaft e qartë, se Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk është dashur të krijojë një gjykatë njëkombëtare”, ka përfunduar Gashi.