Gjuriq me Rogers në Nju Jork për forcimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe SHBA
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, u takua sot në Nju Jork me nënsekretaren për diplomaci publike në Departamentin e Shtetit, Sarah Rogers, me të cilën bisedoi për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Siç thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, vëmendje e veçantë iu kushtua pjesëmarrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ekspozitën e Specializuar Expo 2027 në Beograd.
Gjuriq theksoi se Serbia i kushton rëndësi të madhe pjesëmarrjes amerikane në këtë manifestim, nikoqir i të cilit është Beogradi, si dhe se Expo 2027 është një mundësi e rëndësishme për lidhjen e mëtejshme të dy vendeve, si përmes prezantimit të SHBA në kuadër të pavijonit kombëtar, ashtu edhe përmes përmbajtjeve dhe programeve të ndryshme që do të realizohen gjatë ekspozitës.
Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për hapat e ardhshëm në përgatitjen e pavijonit amerikan, si dhe për kompanitë konkrete të angazhuara në këtë punë dhe fazat që i presin, në mënyrë që gjithçka të jetë gati për realizimin e projekteve dhe përmbajtjeve në kuadër të Expo 2027.
Shefi i diplomacisë serbe theksoi gjithashtu se Expo 2027 mund të jetë një nxitje shtesë për një vizitë të nivelit të lartë në Serbi dhe për intensifikimin e kontakteve politike dhe ekonomike ndërmjet dy vendeve.
U diskutua gjithashtu për faktin se vitin e ardhshëm shënohet një jubile i rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve serbo-amerikane, pasi mbushen 145 vjet nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes Tregtare dhe Konventës Konsullore, gjë që vitit 2027 i jep simbolikë dhe rëndësi shtesë.
Në dritën e zhvillimeve aktuale, shefi i diplomacisë serbe theksoi se Serbia do t’i qaset në mënyrë sistematike zhvillimit të mëtejshëm të Dialogut Strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe forcimit të kornizës institucionale, e cila duhet të mundësojë konkretizimin e prioriteteve të dakorduara dhe të nxisë realizimin e mëtejshëm të nismave të përbashkëta.
0 komentet