Gjuriq: Vizita në Finlandë është një depërtim diplomatik i Serbisë drejt vendeve nordike
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi sot se vizita e tij në Finlandë përfaqëson një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet serbo-finlandeze dhe për të ardhmen evropiane të Serbisë, por gjithashtu edhe një depërtim diplomatik drejt vendeve nordike. Ai bëri të ditur se zyrtarëve finlandezë, siç bën gjithmonë, ua ka paraqitur pozitën e vështirë të serbëve në Kosovë.
“Në takimet e sotme me presidentin e Finlandës, Aleksandar Stub, ministren e Punëve të Jashtme, Elina Valtonen, si dhe me udhëheqësit e grupeve parlamentare, u konfirmua edhe një herë dhe në mënyrë të qartë mbështetja për të ardhmen evropiane të Serbisë. Gjithashtu iu dha një impuls i ri bashkëpunimit dypalësh”, tha Gjuriq, duke theksuar se kjo është vizita e parë ministrore në Finlandë pas më shumë se një dekade.
Ai bëri të ditur se gjatë bisedimeve me mikpritësit është shqyrtuar tabloja më e gjerë, përkatësisht zhvillimet në fqinjësinë e afërt të Finlandës dhe ndryshimet politike, të sigurisë dhe ekonomike.
“Ekziston një nivel i lartë pajtueshmërie mes nesh se vetëm një Evropë e bashkuar është një Evropë më e fortë, ndërsa Serbia, si vend i vendosur në qendër të Evropës Juglindore, përfaqëson një nga mundësitë zhvillimore, së bashku me pjesën tjetër të rajonit, për kontinentin tonë”, tha Gjuriq.
Ai shtoi se kanë biseduar edhe për temat për të cilat të dy vendet nuk kanë qëndrime identike, siç është çështja e Kosovës.
“Shfrytëzova rastin për të vënë në dukje pozitën e vështirë të popullit tonë në Kosovë dhe Metohi. Asnjëherë nuk e humbas këtë mundësi”, theksoi ai.
Gjuriq deklaroi se presidentët Aleksandar Vuçiq dhe Aleksandar Stub kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe se presidentit finlandez, përveç përshëndetjeve, i ka përcjellë edhe një ftesë për të vizituar Serbinë.
“Me ministren Valtonen bisedova për modalitetet konkrete të mbështetjes së zgjerimit të Bashkimit Evropian në rajon. U përpoqa të shpjegoj pse një rajon pa kufij, i integruar në Shengen dhe në tregun e përbashkët, përfaqëson një burim prej 50 miliardë eurosh vlerë të re të krijuar çdo vit dhe pse një rajon i tillë, më i bashkuar dhe më koheziv, nënkupton mbylljen e pikave potencialisht të cenueshme në jug të kontinentit”, tha Gjuriq.
Ai kujtoi se në Serbi operojnë kompani finlandeze në fushën e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, por edhe në sektorë të tjerë, duke shprehur shpresën se vëllimi i investimeve finlandeze do të rritet.
“Është shumë e rëndësishme të realizojmë një depërtim diplomatik në grupin e vendeve nordike. Vizita e sotme përfaqëson një hap përpara në marrëdhëniet e Serbisë jo vetëm me Finlandën, por edhe një depërtim diplomatik drejt grupit të vendeve nordike dhe forcimin e pozitës sonë në veri të Evropës”, përfundoi ministri Gjuriq.
0 komentet