Hovenier: Për Kosovën dhe Serbinë nuk ka rrugë tjetër veç dialogut
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Xhefri Hovenier, tha se pret që Beogradi dhe Prishtina të veprojnë në përputhje të plotë me të gjitha obligimet që kanë marrë në dialog dhe shtoi se “nuk ka rrugë tjetër”.
“Për ata që kanë qenë në Kosovë për disa kohë, ndoshta i njihni mesazhet nga SHBA se si i shohim ne rrethanat në përpjekjet për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllimin përfundimtar të njohjes reciproke. Ky mbetet qëllimi i SHBA-së, i qartë dhe i thjeshtë. Nuk mendoj se duhet të shpenzoj kohë për të përshkruar shqetësimet që kemi për politikat që janë miratuar në Beograd dhe Prishtinë. Këto shqetësime janë reale dhe janë vërejtur. Ne presim që të dyja qeveritë të veprojnë në përputhje të plotë me të gjitha angazhimet që kanë marrë në dialog. Presim që ta marrin seriozisht dialogun”, tha Hovenier në Konferencën e Samitit të Kosovës për Paqe dhe Demokraci në Prishtinë.
Ai ka theksuar se është i befasuar nga historitë në Kosovë se ka edhe një rrugë tjetër përveç dialogut.
“Ekziston një sugjerim që nëse amerikanët ose gjermanët, ose kushdo që dëshironi, thjesht do të tundnin një shkop magjik ose do të bënin një bisedë të vërtetë, ato probleme do të zhdukeshin dhe Kosova do të bëhej menjëherë anëtare e plotë e NATO-s dhe BE-së dhe gjithçka tjetër. Bota nuk funksionon në atë mënyrë dhe unë duhet të jem i qartë për këtë. Pra, nëse do të varet vetëm nga SHBA, nëse do të ishim një perandori, romake në kulmin e saj, dhe të gjitha vendet do t'i binden dhe do të bënin pikërisht atë që ne i urdhërojmë të bëjnë, gjë që nuk është rasti në botë sot, edhe pse besojmë se kemi një ndikim të rëndësishëm në mbarë planetin, nuk do të ishim vetëm, do ta shihnim Kosovën shumë më mirë të integruar në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Serbia do ta pranonte më mirë realitetin e një fqinji sovran, të pavarur, multietnik, demokratik dhe paqësor”, tha ambasadori amerikan.
Ai nënvizoi se nuk e sheh se si Kosova mund të bëhet anëtare e BE-së pa pëlqimin e BE-së, që do të thotë pëlqimin e shteteve anëtare të BE-së.
“Nuk e shoh se si mund të bëheni një anëtar i plotë i NATO-s pa pëlqimin e të gjithë anëtarëve të NATO-s. Siç e dini, disa nga ato vende ende nuk e kanë pranuar zyrtarisht realitetin e një Kosove të pavarur, demokratike, multietnike si ne. Ju duhet t'i bindni ata. Ne duam të ndihmojmë. Kjo nënkupton punën në kuadër të proceseve të vendosura nga institucione të ndryshme. Gjyshi im kishte një thënie, dhe ju lutem me falni për karakterin paksa të shëmtuar të në të: nëse doni të hyni në klub, mos urinoni në derën e klubit”, ka deklaruar ai.
Hovenier përsëriti edhe një herë se SHBA-të dëshirojnë ta mbështesë Kosovën në integrimin e saj evropian dhe euroatlantik.
“Kemi investuar shumë, presidentë, sekretarë shteti, ambasadorë e të tjerë, për ta përmirësuar atë. Ne dimë për aspiratat, aspiratat shumë legjitime të popullit të Kosovës për ta arritur këtë. Duam të ndihmojmë. Presim që çdo qeveri e Kosovës të na ofrojë argumentet më të mira të mundshme, municionin më të mirë të mundshëm në ato bisedime. Sa më shumë të tregojmë një demokraci sovrane, demokratike, multietnike, të begatë, të suksesshme, aq më lehtë do të jetë”, tha ai.
komentet