Ibishi: Marrëveshja mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës është rezultat i prishjes së balancit të fuqive në rajon

Nuredin Ibiši
Burim: Kosovo Online

Eksperti për siguri Nuredin Ibishi vlerësoi se deklarata e fundit e nënshkruar për aleancë ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës është rezultat i prishjes së balancit të fuqive në rajon dhe se ka karakter ekskluzivisht mbrojtës, por se e njëjta gjë nuk mund të thuhet për aleancën ushtarake mes Serbisë dhe Hungarisë.

“Është prishur balanci i fuqive në rajon. Ka ardhur deri te një pabarazi fuqish, kështu që këto aleanca janë më shumë mbrojtëse. Është arritur një marrëveshje për mbrojtje të përbashkët dhe investime të tjera në industrinë e prodhimit të armëve dhe municionit,” tha Ibishi për Kosovo online.

Ai saktësoi se nuk ka “asgjë të keqe” në aleancën e Kosovës me Kroacinë dhe Shqipërinë për faktin se anëtarët e NATO-s përbëjnë shtyllën kurrizore.

“NATO tashmë është prezente këtu, dhe dy nga tre vendet janë në NATO. Kosova nuk është ende sepse forcat e armatosura të Kosovës janë në fazën e tranzicionit dhe në një të ardhme të parashikueshme do të hyjnë në fazën që i paraprin anëtarësimit në NATO, në programin Partneriteti për Paqe”, ka saktësuar ai.

Ai beson se aleanca ushtarake e Serbisë dhe Hungarisë është rezultat i një “revansh” për deklaratën e trefishtë, por edhe se ajo përbën një rrezik më të madh për shkak të “pretendimeve të Serbisë ndaj Kosovës dhe BeH”.

“Kjo aleancë e parë mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës ka më shumë mbrojtje sepse nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë vendi, por kjo aleancë e dytë mund të jetë disi ndryshe, sepse Serbia ka pretendime ndaj Kosovës dhe vendeve të tjera, ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës, veçanërisht ndaj Republikës Sërpska.Në këtë kuptim, ky është një lloj ekuilibri për një kohë”, tha Ibishi.

Kuptimi i aleancës treshe shihet edhe në faktin se Kroacia për një kohë të gjatë ka qenë lidere ushtarake në rajon, por se ndërkohë Serbia e ka tejkaluar atë, për çka dëshmojnë edhe të dhënat nga portali ushtarak Global Firepower.

“Megjithatë, unë nuk shoh asnjë rrezik nga këto aleanca, sepse gjithsesi aleanca e NATO-s është më e fuqishmja dhe brenda saj ekziston Neni 5 që parasheh mbrojtje të përbashkët,” sqaroi ky ekspert për siguri.

I pyetur nëse kjo nënkupton edhe një ndarje ushtarake në Ballkanin Perëndimor, Ibishi thotë se Hungaria nuk ka asnjë interes në këtë rajon.

“Serbia ka marrëdhënie miqësore me Hungarinë edhe për shkak të qasjes ndaj Rusisë, sepse të dyja vendet kanë një lloj partneriteti dhe nuk kanë shpallur ose miratuar sanksione ndaj Rusisë. Edhe nga ajo anë kanë një përputhje qëndrimesh. Kjo është një aleancë që është lidhur mes dy autoriteteve, Vuçiq dhe Orban,” vlerëson Ibishi.