Kllokoqi: Ka të gjitha mundësitë që Lajçak të largohet, BE të emërojë dikë më me përvojë si ndërmjetës në dialog

Seljatin Klokoći
Burim: Kosovo online

Gjatë mandatit të të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, nuk ka pasur progres në negociata, tha për Kosovo online Selatin Kllokoqi nga Demokracija plus, duke vlerësuar se emisari aktual evropian nuk e ka kuptuar më së miri situatën në Ballkan dhe marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Kllokoqi, duke komentuar largimin e mundshëm të Lajçakut nga pozita e tij aktuale dhe rikthimin në pushtetin ekzekutiv në Sllovaki, për të cilin spekulohet pas fitores së partisë “Smer” në zgjedhjet në këtë vend, vuri në dukje se i dërguari i BE-së ndonjëherë ishte i njëanshëm dhe se do të ishte mirë nëse në vend të tij do të vinte dikush që "do të ketë më shumë peshë dhe që do t'i shtyjë gjërat përpara".

“Nuk jam i sigurt nëse ai do të largohet, por spekulimet janë se duket se ai do të largohet. Nëse ai largohet, me siguri do të vijë dikush që ta zëvendësojë në pozicionin që ka në BE për Ballkanin. Në fund të fundit, as ai nuk ka pasur ndonjë sukses të madh deri më tani, pse, nuk mund ta gjykoj këtë, por dialogu i zhvilluar derisa ai ishte në krye nuk solli ndonjë përparim”, tha Kllokoqi.

Ai thotë se është i vetëdijshëm që Lajçaku nuk merrte vendime i vetëm, por se do të ishte mirë që të zëvendësohej nga dikush më me përvojë.

“Puna e tij nuk solli sukses, pyetja është kush është përgjegjës për këtë, në fund të fundit ai ishte mes dy palëve dhe duhej të kishte arritur diçka. Ai nuk dialogoi mirë dhe në bazë të përvojës sime konkludoj se ndonjëherë ishte i njëanshëm, sikur se nuk e ka kuptuar mirë situatën në Ballkan dhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thekson Kllokoqi.

Ai beson se anësia ndikoi në kontributin e Lajçakut në procesin e dialogut.

“Ka bërë deklarata që nuk duhej t’i bënte dhe më duket se ka mbrojtur ndonjëherë vetëm njërën palë”. E gjithë kjo kontribuoi në mungesën e suksesit”, përfundoi ai.