Komandanti i KFOR-it: Nuk po planifikojmë të ndërtojmë një bazë të re në veri, trupa shtesë po vijnë
Komandant i KFOR-it në largim, gjeneralmajor Angjelo Mikelle Ristuqa tha sot, duke komentuar situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, se ky mision nuk planifikon të ndërtojë një bazë të re në veri.
Ristuqa, i cili sot në fund të mandatit të tij, mbajti një konferencë për media në Prishtinë, është përgjigjur në pyetjen e Kosovo online nëse duke marrë parasysh situatën aktuale, KFOR-i po mendon për ndërtimin e një baze të re në veri të Kosovës.
"Ne i kemi të gjitha kapacitetet e nevojshme, jemi të organizuar, të trajnuar, kemi mjaft njerëz dhe pajisje. Britania e Madhe dhe Rumania kanë dërguar trupa shtesë. Për momentin nuk po mendojmë për ndërtimin e një baze të re, kemi gjithçka që na nevojitet. Si ju e dini, ne jemi këtu që nga viti 1999 dhe në periudhën e kaluar numri i forcave është zvogëluar me kalimin e kohës, kështu që ne kemi gjithçka që na nevojitet në aspektin e kapaciteteve dhe nuk po mendojmë për ndërtimin e një baze të re”, tha Ristuqa.
Kur u pyet se me kë ishte në kontakt gjatë incidentit në Banjskë më 24 shtator, kur u vranë tre serb dhe një polic shqiptar, komandanti i KFOR-it tha se ishte në kontakt me të gjithë ata që ishin të nevojshëm në atë situatë.
“Kam qenë në kontakt me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, me EULEX-in, gjeneralin Millan Mojsiloviq, ambasadorët. Kam qenë në kontakt me të gjithë në përpjekje për të gjetur mënyrën më të mirë për zgjidhjen e situatës. Shqetësimi ynë ishte se situata mund të përshkallëzohej dhe ne donim të shmangnim viktimat civile. Në manastirin e Banjskës në atë moment ishin 40 pelegrinë”, theksoi ai.
Ristuqa ka përsëritur deklaratën që ka bërë në një intervistë për Kosova Online se “prania e trupave të KFOR-it në zonën e Banjskës ka penguar që ngjarjet të eskalojnë në një situatë edhe më të rëndë”, dhe se Beogradi dhe Prishtina duhet të kthehen në dialog dhe se vetëm një zgjidhje politike mund të sjellë paqe në rajon.
Ai tha se hetimet për ngjarjet në Banjskë janë duke vazhduar.
"Ne jemi në pritje të rezultateve dhe pastaj do të nxjerrim konkluzione. Do të bëjmë maksimumin për të garantuar sigurinë në Kosovë në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke përfshirë sigurinë në vijën administrative. Terreni është i vështirë dhe ka shumë rrugët ilegale”, tha Ristuça, dhe për pajisjet që u sekuestruan në Banjskë, ai tha se “qëllimi i atyre që e shkaktuan incidentin ishte të krijonin kaos dhe destabilitet”.
I pyetur nëse ndan të njëjtat mendime me institucionet e Kosovës se plani i sulmit ishte aneksimi i veriut, Ristuqa u përgjigj:
"Këto janë supozimet tuaja, jo përfundimet tona".
I pyetur nëse KFOR-i mund të bëjë më shumë për sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë, Ristuça tha se ata janë këtu për të bërë gjithçka që munden që të gjithë të ndihen të sigurt.
"Mos më pyesni se çfarë mund të bëjë më shumë KFOR-i, por pyesni të dyja palët pse nuk janë më konstruktive. Me dërgimin e trupave shtesë, NATO ka treguar se është plotësisht e përkushtuar për qetësimin e situatës," theksoi Ristuqa.
Ristuqa ka vlerësuar se situata në Kosovë tani është më e qetë se para disa ditësh.
komentet