Kryeziu: Parlamenti i Kosovës veproi në kundërshtim me Kushtetutën dhe jashtë rregullores

Kadri Krieziu
Burim: Kosovo Online

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, vlerësoi sot se veprimet që ndërmori dje Parlamenti i Kosovës nuk ishin të bazuara në Kushtetutë dhe se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare në konsultim me të gjitha partitë, përfshirë edhe Listën Serbe.

“Veprimet që ndërmori dje Parlamenti i Kosovës nuk ishin të bazuara në Kushtetutë, sepse për zgjedhjen e presidentit ishte e nevojshme prania e dy të tretave të deputetëve për të plotësuar kuorumin, përkatësisht 80 deputetë. Prandaj veprimet ishin jokushtetuese dhe në kundërshtim me rregulloren e parlamentit”, tha Kryeziu për Kosovo online.
Ai theksoi se presidentja e Kosovës tani duhet të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe të ftojë në konsultime të gjitha subjektet politike, përfshirë edhe Listën Serbe, për të caktuar datën e re të zgjedhjeve.
“Pasi të caktohet data e zgjedhjeve, duhet të kalojnë 45 ditë. Kjo është një situatë e jashtëzakonshme dhe nuk duhet të veprohet në këtë mënyrë. Duhet të zbatohen procedurat e bazuara në rregullat e Kuvendit. Veprimet që ata ndërmorën ishin jashtë rregullave të kuvendit. Kjo do të thotë se ata nuk dinë si të veprojnë me rastet para Gjykatës Kushtetuese dhe ndërmarrin veprime të tilla pa konsultime me juristë”, tha Kryeziu.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar për orën 13:00 konsultime me liderët e partive politike për të rënë dakord për datën e zgjedhjeve të reja, pasi mëngjesin e sotëm njoftoi vendimin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës për shkak të dështimit të zgjedhjes së presidentit.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, njoftoi mbrëmë se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.