Lajçak me Ahmetin: Është urgjente të ulen tensionet në veri të Kosovës në përputhje me kërkesat e SHBA-së dhe BE-së
I dërguari special i BE-së për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak, ka folur sot me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti, për situatën në veri të Kosovës.
Lajçak ka shkruar në Twitter se në takim është diskutuar edhe për nevojën urgjente për uljen e tensioneve në përputhje me kërkesat e SHBA-së dhe BE-së.
Uashingtoni dhe Brukseli i kërkuan kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që urgjentisht të deeskalojë situatën në veri, të tërheqë policinë e Kosovës nga ndërtesat komunale, si dhe që kryekomunarët shqiptarë të cilët u zgjodhën në zgjedhjet ku dalja ishte rreth 3.5 për qind dhe pozitat e të cilëve u bojkotuan nga serbët, i kryejnë funksionet e tyre nga lokacione alternative. Zgjedhjet e reja po kërkohen edhe në veri, me pjesëmarrjen e serbëve dhe formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe.
Për shkak të refuzimit të Kurtit për t'i përmbushur këto kërkesa, SHBA dhe BE tashmë kanë aktivizuar sanksione të caktuara që synojnë izolimin e Kosovës, duke përfshirë edhe pezullimin e pjesëmarrjes së KBS-së në stërvitjen "Defender Europe 23", si dhe shtyrjen e vizitave zyrtare dhe ngjarjeve të planifikuara dhe bashkëpunimit financiar të BE-së me Prishtinën.
"Një diskutim i gjatë me Ali Ahmetin, liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim. Diskutuam situatën në veri të Kosovës dhe nevojën urgjente për hapa për uljen e tensioneve në përputhje me kërkesat e BE-së dhe SHBA-së", ka shkruar Lajçak.
komentet