Lista Sërbe: Mbyllja e ambulancave cënon direkt të drejtën për kujdes shëndetësor të popullit sërb
Me aksionin e sotëm në të cilën përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë nga Prishtina dhe Komuna e Sërbicës ndalën punën në ambulancat e fshatrave Banje dhe Grykë e Thatë në ditën e të Premtes së Madhe para Pashkës, cënohet direkt e drejta për kujdes shëndetësor për popullin sërb dhe gjithë qytetarëve që përdorin shërbimet e këtyre institucioneve shëndetësore, bën të ditur Lista Sërbe në deklaratë.
Sikurse theksohet nga Lista Sërbe, për këtë bastisje të pabazuar dhe shkelje të të drejtave të popullit sërb, u informuan përfaqësuesit e Unionit Europian, SHBA dhe vendeve të Pesëshes, si dhe misionet e OSBE-EULEKS, KFOR dhe UNMIK dhe kërkuan reagim urgjent.
"Kujtojmë se përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe para së gjithash përfaqësuesi special i Unionit Europian, Peter Sorensen dhe Ambasada e SHBA në Prishtinë, kanë treguar qartë se nuk duhet të ketë ndërprerje në ofrimin e shërbimeve për qytetarët në fushën e shëndetësisë dhe arsimit dhe se çështja e funksionimit të institucioneve në fushën e shëndetësisë dhe arsimit, do të zgjidhet vetëm përmes dialogut në bazë të marrëveshjeve të arritura dhe në marrëveshje me popullin sërb. Kërkojmë reagim urgjent nga bashkësia ndërkombëtare sesi të ndalet rrezikimi i mëtejshëm i të drejtave themelore të njeriut dhe të mundësohet puna e pandërprerë e institucioneve shëndetësore", shkruhet në deklaratën e Listës Sërbe.
Sikurse thuhet më tej, ambulancat e lartpërmendura që u mbyllën sot, prej vitesh ofronin shërbime për gjithë qytetarët pa diskriminim, çka tregon më tej se mbyllja e tyre është veprim i motivuar politikisht në dëm të njerëzve të zakonshëm dhe vjen pas provokimit të djeshëm kur flamujt sërb u hoqën në Graçanicë.
"Lista Sërbe kërkon që pa vonesa të rimundësohet funksionimi i ambulancave dhe që qytetarëve t'u ofrohet e drejta për kujdes shëndetësor, të cilën askush nuk duhet t'ua mohojë. Ky është test e përgjegjësisë dhe vendosmërisë së Bashkimit Europian dhe SHBA për të respektuar të drejtat e popullit sërb", thuhet në fund të njoftimit.
Ambulanca "Shënjt Nikolla" në fshatin Banje, në Komunën e Sërbicës dhe ambulanca në fshatin Gryka e Thatë u mbyllën sot në të Premten e Madhe nga ana e Inspektoratit Kosovar. Njëkohësisht nga Shkolla Fillore "Millun Jakshiq” në fshatin Banje dhe nga Shkolla Teknike në Sërbicë, u hoqën tabelat.
komentet