Lleposaviqi vendos të tërhiqet nga Shoqata e Komunave Kosovare
Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Komunës së Lleposaviqit, në mbledhjen e sotme morën vendimin për tërheqjen e kësaj vetqeverisjeje vendore, nga Shoqata e Komunave Kosovare, transmeton TV Most.
Vendimi u miratua me 15 vota pro, ndërsa nuk pati votë kundër dhe votë abstenuese.
Në spegimin e vendimit, bëhet e ditur se anëtarësia e kësaj komune në Shoqatën e Komunave Kosovare nuk i përgjigjet prioriteteve strategjike, financiare dhe zhvillimore të Lleposaviqit.
“Kuvendi Komunal i Komunës së Lleposaviqit mori vendimin për largimin e Komunës së Lleposaviqit nga Shoqata e Komunave Kosovare” bëri të ditur në mbledhje, kryetari i Kuvendit Komunal të Komunës së Lleposaviqit Marko Rakiq.
Ky i fundit tha se në përputhje me vendimet e parlamentit vendor, për largimin do të informohet me shkrim Shoqata e Komunave Kosovare në Pristinë.
"Në ditën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, marrin fund të gjitha detyrimet dhe të drejtat e Komunës së Lleposaviqit që rrjedhin nga anëtarësimi në Shoqatën e Komunave Kosovare përveç detyrimeve që kanë lindur deri në ditën e tërheqjes nga anëtarësimi", spegoi Rakiq.
Krahas miratimit të këtij vendimi, në seancën e sotme u verifikuan mandatet e këshilltarëve të rinj, të cilët u betuan.
Gjithashtu, këshilltarët shqyrtuan propozimin e Vendimit për nisjen e procedurës për lidhjen e marrëveshjes ndërkomunale mes Lleposaviqit dhe Graçanicës, si dhe shqyrtimin dhe miratimin e planit vjetor të punës së Kuvendit Komunal të Lleposaviqit.
Kryetari i Kuvendit, Millan Rakiq, u paraqiti këshilltarëve edhe raportin rreth situatës pas marrjes së detyrës nga kryekomunari i Lleposaviqit, Zoran Todiq.
Vendimi për t’u tërhequr nga Shoqata e Komunave Kosovare u mor sot dhe nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, i cili krahas kësaj, miratoi dhe vendimin e anulimit të vendimeve të miratuara më parë për emërtesat e rrugëve.
0 komentet